Gjiknuri: Duhet ristrukturuar marrëdhënia me prodhuesit, liberalizim të tregut të energjisë
Qeveria ka paralajmëruar një reformë të thellë në sektorin e energjisë, që përfshin rishikim të tarifave mes kompanive shtetërore e private si dhe ato për konsumatorët. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, bëri të ditur dje se qeveria do të rishohë çmimin me të cilin Korporata Elektroenergjetike Shqiptare blen energjinë nga prodhuesit privatë. Sipas tij, një pjesë e prodhimit të energjisë nga operatorët privatë mund të shkojë direkt dhe të furnizojë konsumatorët pasi theksoi ministri nuk mund ta ketë KESH-i vazhdimisht këtë barrë. “Ligji i ri për energjinë kishte futur një koncept që ishte kontradiktor, e kishte vënë për subjekt. Ju e dini shumë mirë që çmimet që i merrni i keni për njësi prodhimi, pra krijonte një kontradikte të madhe. Jo të gjitha njësitë e prodhimit kanë kosto të njëjtë të prodhimit të energjisë, jo të gjitha kontribuojnë njësoj në rrjetin energjetik shqiptar”, – tha ai.
Tryeza
Në takimin me prodhuesit e pavarur të energjisë, organizuar nga Dhoma Italiane e Tregtisë dhe Këshilli Ekonomik Kombëtar, ministri Gjiknuri theksoi se duhen ndërmarrë reforma thelbësore në sektorin e energjisë, pasi në kundërt, sipas tij, gjendja do të rëndohet edhe më shumë. “Parësore del reforma e sektorit të energjisë, për ta bërë atë më likuid, në mënyrë që edhe prodhuesit të kenë mundësi të përfitojnë nga kontributi i tyre. Së bashku me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, do të miratojmë shumë shpejt ligjin e ri për energjinë, i cili synon të ndryshojë edhe modelin e tregut. Synon të liberalizojë më tutje tregun e energjisë në mënyrë që të krijohen potenciale private konsumatorësh, sepse barra e krijuar për KESH-in është një barrë jashtëzakonisht e rëndë”, – deklaroi Gjiknuri. Duke u ndalur në ligjin “Për energjinë e rinovueshme”, që u shty në Parlament, ministri Gjiknuri bëri të ditur se ai ligj kishte mangësi dhe se do të rishikohej. Sipas tij, qëllimi i vërtetë që u bë shtyrja është për të fituar kohë në mënyrë që të dialogohet dhe të gjendet zgjidhje që i përshtaten stadit aktual të investimeve në këtë sektor. Ndërkohë në tryezën me prodhuesit privatë të energjisë, ambasadori italian Massimo Gaiani kërkoi gjetjen e një zgjidhje të shpejtë sa i përket humbjeve teknike dhe atyre joteknike. “Nëse krahasohet me çmimin e importit, duhet pasur parasysh se çdo kilovat i prodhuar në Shqipëri gjeneron taksa, punësim. E gjithë kjo duhet të merret në konsideratë në optikën e një sistemi që duhet të jetë i qëndrueshëm dhe për të qenë i tillë duhet të përballet me problemin e humbjeve dhe hendekut mes prodhimit dhe faturimit. Humbjet fizike dhe në arkëtim janë problemi më i madh për të sjellë sistemin në ekuilibër”, – tha Gaiani. Nga ana tjetër përfaqësuesi i BERZH për Shqipërinë Fabio Serri ka kërkuar vëmendje sidomos ndaj sistemit të shpërndarjes së energjisë. “Dialogu midis operatorëve të sistemit energjetik është i rëndësishëm. Sektori energjetik në Shqipëri është më i lëkunduri dhe për këtë duhen marrë vendimet e duhura. Pika më problematike e sistemit energjetik është shpërndarja dhe pikërisht aty duhet të përqendrohet vëmendja më e madhe”, – tha ai. Sektori energjetik shqiptar është përcaktuar si mjaft problematik nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore të cilët kanë kërkuar një reformim të thellë, çka nënkupton edhe rritje të çmimit të energjisë. Pas paralajmërimit, se Enti Rregullator do të heqë tarifimin me dy fasha për qytetarët, këta të fundit mund të penalizohen më tej, por nga ana e saj qeveria ka premtuar se me politikat e saj do të mbrojë konsumatorët, deklaratë të cilën opozita e ka cilësuar si të pavërtetë.
Konsensusi për reformën
Nënkryetari i grupit të PS-së, Balla: Konsensus opozitës në proces, presim Bashën në tryezë
Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, deklaroi se forca ku ai bën pjesë është e gatshme për bashkëpunim me opozitën për të nisur punën për reformën administrative territoriale. Duke e cilësuar këtë të fundit si një domosdoshmëri, deputeti socialist tha dje në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, në “A1 Report” se sa u përket kërkesave të opozitës për konsensus, është ratifikuar, sipas tij, qartë mënyra e marrjes së vendimit. “Ratifikohet që i gjithë procesi është konsensual. Nuk kemi të bëjmë këtu me diçka që është e pamundur. Gjithë procesi kërkon pjesëmarrjen e opozitës dhe ajo duhet ta ushtrojë këtë gjë”, – u shpreh ai. Në këtë kontekst, Balla theksoi se nisur nga fakti se PD është forca kryesore e opozitës, mazhoranca ka shprehur gatishmëri që reforma të tilla si ajo administrative të bëhen në mënyrë konsensuale nga të dy krahët e politikës. “Nga njëra anë PS e LSI dhe nga ana tjetër, PD, PDIU dhe PR. Ne duam që ky proces të kryhet me pjesëmarrjen e të gjithë dialogut politik. PD duhet të ushtrojë përgjegjësinë e vet si pjesë e opozitës. Ne duam që kreu i PD të jetë pjesë e kësaj tryeze dhe të diskutojmë për këtë reformë”. Më tej duke bërë të ditur se të majtët i kanë numrat për këtë reformë, nënkryetari i grupit parlamentar socialist tha se PS është e gatshme të dialogojë për çështje të rëndësisë së veçantë. “Nëse do kishim dashur që ta miratonim këtë reformë kjo do të kishte përfunduar me kohë. Janë dhjetëra institucione ndërkombëtare që kanë punuar në Shqipëri për këtë reformë. Ne nuk po themi që numrat i kemi dhe ta bëjmë de fakto një domosdoshmëri që ka Shqipëri. Kjo reformë bëhet në 20-30 vjet dhe tani ka ardhur ky moment. Kjo reformë është pjesë e një dialogu për një të mirë për vendin. Edhe PD-ja duhet ta shikojë kështu”.
45-vjetori
Detajet nga festa me 600 të ftuar e Ilir Metës, pjesëmarrësit nga e majta dhe e djathta
Festa e 45-vjetorit të Kryetarit të LSI-së e njëkohësisht Kryeparlamentarit Ilir Meta ka mbledhur në Gjirin e Lalzit më shumë se 600 të ftuar. Gjithçka u organizua në oborrin e shtëpisë private të kreut të LSI-së, ku u ngrit një çadër gjigante në të cilën u vendosën edhe tavolinat e të ftuarve. Fillimisht, kreu i LSI ka falënderuar të pranishmit, ndërsa më pas ka trokitur gotat me të gjithë të ftuarit nëpër tavolina. Për disa çaste, Meta është ulur në tavolinën ku ndodhej Edi Rama me bashkëshorten e tij Linda, Behxhet Pacolli si edhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Po ashtu në një tavolinë ndodheshin të ulur edhe dy ministrat e kabinetit qeveritar, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Por krahas pjesëmarrësve nga e majtë në festën e Kryeparlamentarit nuk kanë munguar as miqtë e djathtë të Metës, si ish-ministri i Ekonomisë në qeverinë “Berisha”, Genc Ruli apo deputetja Mesila Doda. Po ashtu i ftuar nga e djathta ka qenë dhe deputeti Eduard Selami.