AKKP/ Kompensimi ish-pronarëve, lista e emrave që përfitojnë

0
717

Ish-pronarët që kompensohen, përfitojnë katër këste

 

shtepi privateAgjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ka publikuar dje emrat e ish-pronarëve që do të kompensohen. Në udhëzimin më të fundit të nënshkruar nga drejtorja e AKKP-së, Sonila Qato, janë 31 ish-pronarë të cilët përfitojnë. Pronarët e mëposhtëm do të marrin 4 këste, që në total përbëjnë 57% të vlerës totale të miratuar me VKM. “Në mbështetje të ligjit 9235, datë 29.7.2004. “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, të pikës 11, të VKM nr. 256, datë 13.4.2010 “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” dhe të pikës 9, paragrafi b, të VKM-së nr. 383, datë 19.5.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar pas miratimit të 31 kërkesave të subjekteve, me objekt kompensimin apo shpërblimin e pasurive, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, urdhëroj: Publikimin e listës për 31 kërkesa, të cilat përfitojnë nga kësti i parë. i dytë, i tretë dhe i katërt i përcaktuar për kompensimin në të holla prej 57% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse, të pronave që preken nga ndërtimet informale. Lista është pjesë përbërëse dhe i bashkëlidhet këtij urdhri”, – thuhet në urdhrin e drejtores së AKKP-së.

 

Procesi

Ndërkohë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka bërë më dije së të gjithë ata persona apo subjekte, të cilët preken nga ndërtimet informale, duhet të aplikojnë pranë këtij institucioni për të marrë kompensimin. Për pranimin e kërkesave nuk do të ketë afat. Dokumentet që duhet të dorëzojnë aplikuesit janë: Kërkesën tip, që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave; dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi (në rast se subjekti përfitues ka vdekur); prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarife shërbimi në vlerën 2000 (dy mijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme. Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës. Fotokopjen e dokumentit të identifikimit. Certifikatën familjare të kërkuesit/aplikuesit. Mandat pagesën për shumën 2000 (dy mijë) lekë për çdo aplikim të veçantë. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarife shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.