Gati marrëveshja, pension për emigrantët në Itali

0
192

Fillimisht përgjigjja e shtetit italian ka qenë negative, por vetëm pak ditë më parë, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, ka mbërritur një shkresë zyrtare për hartimin e projektligjit për njohjen e viteve të punës për të gjithë emigrantët

 

 

emigrantet_shqiptare_dergojne_euroKomisioni për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka miratuar dje projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, për mbrojtjen shoqërore”. Projektligji do të kalojë në seancë plenare për miratimin përfundimtar më 3 prill. Marrëveshja, e nënshkruar dhjetorin e shkuar në Bruksel nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Çështjeve Sociale dhe e Shëndetit Publik, Laurette Onkelinx, lejon njohjen e viteve të punës në Shqipëri e Belgjikë për rreth 35 mijë emigrantët shqiptarë. Kjo marrëveshje ofron mbrojtjen në aspektin e sigurimeve shoqërore e të kujdesit shëndetësor. Ajo bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Rregullat koordinuese garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit të ruajnë të drejtat dhe përparësitë e fituara apo që janë duke i fituar. Për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e pensioneve, do të merren në konsideratë të gjitha periudhat e punës sipas legjislacioneve kombëtare të Shqipërisë dhe Belgjikës.

 

Marrëveshje me Italinë

Pas Belgjikës, duket se edhe Italia është e gatshme për të nënshkruar një marrëveshje për njohjen e viteve të kontributeve me Shqipërinë. Fillimisht, përgjigjja e shtetit italian ka qenë negative, por vetëm pak ditë më parë, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, ka mbërritur një shkresë zyrtare për hartimin e projektligjit për njohjen e viteve të punës për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali. Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit të Marrëdhënieve të Punës, Pagave dhe të Punës nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Astrit Kuka, ka sqaruar se janë bërë përpjekje për të arritur marrëveshje të tilla edhe me Greqinë, por ato akoma nuk janë finalizuar. Kuka u shpreh se Shqipëria ka marrëveshje të mirëfilltë vetëm me Turqinë. “Me Rumaninë kemi bërë negociata, jemi në proces për miratimin, ndërsa me Bullgarinë nuk e kemi filluar, por do ta fillojmë. Kemi marrëveshjen me Belgjikën, që e konsiderojmë në hapat përfundimtarë. Kemi përfunduar me Hungarinë dhe me Luksemburgun, që është në proces përkthimi. Jemi në procedurë me Maqedoninë, që ka ngelur vetëm për një nen për sigurimin shëndetësor të anëtarëve të familjes”, – theksoi Kuka. “Edhe ne si opozitë jemi shumë dakord me këtë ratifikim të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës. Do të duhet të bëni maksimumin tuaj për ta vënë si pikë ndër më kryesoret në axhendën e të gjithë titullarëve të qeverisë dhe këtu them në axhendën e Kryeministrit, të ministrit të Jashtëm, të Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë në axhendën e bisedimeve sidomos me vendet si Italia, Gjermani, Anglia apo në ato vende që kanë shumë emigrantë shqiptarë”, – është shprehur kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi.

 

 

 

 

Dëshmorët

Kush përfiton nga skema

Ky shpërblim u jepet familjarëve të Dëshmorit të Atdheut. Në rrethin e familjarëve bëjnë pjesë: bashkëshorti ose bashkëshortja, fëmijët nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat nën kujdestari, sipas certifikatës së gjendjes familjare, në çastin e vdekjes së Dëshmorit të Atdheut. Masa e shpërblimit mujor për familjen e Dëshmorit të Atdheut është 5 000 lekë. Dokumentacioni që duhet:

– Certifikatë familjare në çastin e vdekjes së dëshmorit
– Certifikatë e vdekjes së dëshmorit
– Fotokopje e letërnjoftimit elektronik ose certifikatë personale e përfituesit
– Certifikatë familjare e kohëve të fundit (kur familjari ushtron të drejtën)
– Prokurë e posaçme për autorizimin e familjarit që do të tërheqë shpërblimin
– Vërtetimi i vazhdimit të shkollës për jetimët, që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar
– Certifikatë e vdekjes së familjarit të mëparshëm, kur duhet zëvendësuar