Ndryshimet e Kodit/ Propozimet e qeverisë: Burg kush vjedh energjinë, 3 vjet për konsumatorët, 5 për bizneset

0
153

Gëzim Saliu

 

Drafti i MIE-së: Vjedhja e energjisë, jo më kundërvajtje penale, do të quhet krim dhe do të dënohet

 

 

qeveria.Ministria e Industrisë dhe Energjetikës do të dërgojë në qeveri një amendament për të ndryshuar Kodin Penal, në nenin 137 të tij, i cili ashpërson masat për ata që vjedhin energjinë elektrike, si për biznesin ashtu dhe për familjarët. Në draftin e MIE-së përcaktohet se vjedhja e energjisë elektrike nuk do të konsiderohet më si kundërvajtje penale, por do të quhet krim dhe do të dënohet me burgim. Po ashtu, paralelisht me ndryshimet e mësipërme, në ligjin e ri do të konsiderohet krim edhe dëmtimi i qëllimshëm i matësve, i cili do të dënohet me tre vjet burg.

 

Ndryshimet

Amendamenti i hartuar nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës ashpërson masat ndëshkuese për ata që vjedhin energji, si për familjarët ashtu edhe për biznesin. Për konsumatorët familjarë, të cilët vjedhin energjinë, më shumë se një herë dhe në bashkëpunim, dënimi me burg është deri në tre vjet, ndërsa për biznesin ai shkon në pesë vjet, ku kjo masë argumentohet me faktin se në këtë rast vjedhja e energjisë ka rrethana edhe më të rënduara, pasi kryhet për qëllime fitimprurëse tregtare dhe jo për nevoja jetike si në rastin e familjarëve. Në të njëjtën linjë, në draft janë përcaktuar masa ndëshkuese edhe për ata që dëmtojnë qëllimisht matësit, ku pritet që ndëshkimi për këtë shkelje të jetë deri në tri vite burg. Pak kohë më parë qeveria ngrit një task-forcë për energjinë, e cila do të ketë si synim kryesor përmirësimin e nivelit të arkëtimeve dhe uljen e nivelit të humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Puna e task-forcës do të përqendrohet nga institucionet dhe nga ato kompani që vjedhin energjinë për qëllime fitimi dhe do të përqendrohet në dy nivele paralelisht: në nivelin e raporteve mes institucioneve buxhetore dhe publike me sistemin e shpërndarjes dhe paralelisht, në raportin mes biznesit dhe sistemit të shpërndarjes. Po ashtu, qeveria ka paralajmëruar një reformë të thellë në sektorin e energjisë, që përfshin rishikim të tarifave mes kompanive shtetërore e private si dhe ato për konsumatorët. Sipas ministrit Gjiknuri, duhen ndërmarrë reforma thelbësore në sektorin e energjisë, pasi në kundërt sipas tij gjendja do të rëndohet edhe më shumë. “Parësore del reforma e sektorit të energjisë, për ta bërë atë më likuid, në mënyrë që edhe prodhuesit të kenë mundësi të përfitojnë nga kontributi i tyre. Së bashku me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, do të miratojmë shumë shpejt ligjin e ri për energjinë, i cili synon të ndryshojë edhe modelin e tregut. Synon të liberalizojë më tutje tregun e energjisë në mënyrë që të krijohen potenciale private konsumatorësh, sepse barra e krijuar për KESH-in është një barrë jashtëzakonisht e rëndë”, – deklaroi Gjiknuri, duke theksuar se qeveria do të rishohë çmimin me të cilin Korporata Elektroenergjetike Shqiptare blen energjinë nga prodhuesit privatë, pasi, sipas tij, një pjesë e prodhimit të energjisë nga operatorët privatë mund të shkojë direkt dhe të furnizojë konsumatorët, pasi theksoi ministri nuk mund ta ketë KESH-i vazhdimisht këtë barrë.

 

 

Kontrolli te Tatimet

Debati në Kuvend, PS rrëzon KLSH-në. Braçe, replika me Leskajn

Komisioni i Ekonomisë nuk ka pranuar kërkesën e KLSH-së për detyrimin e Drejtorisë së Tatimeve dhe Doganave për t’i dhënë çdo informacion që do t’i kërkojnë. Propozim i Kontrollit të Lartë të Shtetit për të pasur më shumë akses në të dhënat e Tatimeve ka ngjallur diskutime të shumta në Komision, ku kreu i tij, Erjon Braçe, e argumentoi qëndrimin e Komisionit me faktin se shkelen të drejtat e subjekteve private. “Çështja e parë për të cilën KLSH-ja kërkon një rregullim, ka të bëjë me rritjen e nivelit të zbatueshmërisë së rekomandimeve të KSLH-së. Niveli i zbatueshmërisë së vendimeve të KLSH-së deri më sot 70%, ndërkohë që për propozimet për largim nga detyra ky nivel zbret në 50% të zbatueshmërisë së rekomandimeve të tyre”, – tha Braçe. Ndërkohë, për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, kjo kundërshti do të ndikojë në punën e tyre. “Bazuar në parimet klasike të auditimit të jashtëm zbatueshmëria e rekomandimeve lidhet edhe me vullnetin e atij që drejton një organizatë, një qeveri apo institucion të qeverisjes vendore. Në këtë kontekst unë mendoj që kjo duhet të jetë totalisht në vullnetin tuaj si ligjvënës, pasi çdo formulim që mund të bëjmë ne si institucion suprem auditivi, do të binte ndesh me parimet tona të auditimit të jashtëm”, – theksoi Leskaj. Nga ana e tij, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, ka sugjeruar që t’i jepet kjo e drejtë Kontrollit të Lartë të Shtetit, por me disa kufizime. “Kufizimi i parë që nuk duhet të bëjë dhe nuk mund të bëjë vizita fiskale tek subjektet dhe kufizimi tjetër, që në rekomandime nuk mund të përfshihen rekomandime për subjektet private, që kanë të bëjnë me rivlerësime apo më rritje të të ardhurave”, – tha Bode. Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar gjithashtu edhe kërkesën e KLSH-së për auditim më të detajuar të koncesioneve. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka akuzuar mazhorancën se nuk po zbaton rekomandimet e bëra nga institucioni që ai drejton. Këto pika kaluan për dhënie mendimi në Komisionin e Ligjeve dhe më pas do të rikthehen për diskutim në Komisionin e Ekonomisë.

 

 

Vizita

Gjosha në Kosovë, takime me krerët e shtetit

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, niset sot për një vizitë zyrtare në Kosovë, ku janë planifikuar një sërë takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit. Ministrja Gjosha ka planifikuar të zhvillojë një takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, Ahtifete Jahjaga si edhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Gjithashtu, pjesë e axhendës është takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj. Ndërkohë, pas takimit me ministren e Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku, do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes “Për krijimin e komisionit teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe, si dhe bashkëpunimit në sferën përafrimit të legjislacionit”. Ministrja do t’i dhurojë homologes Çitaku në emër të qeverisë shqiptare të gjithë legjislacionin e BE-së të përkthyer ndër vite.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency