Sigurimet shëndetësore, sa kanë ndryshuar pagesat

0
223

sigurimet shendet Të gjitha rregullat e reja për llogaritjen dhe pagesën e kontributeve, pas vendimit të Këshillit të Ministrave të muajit shkurt 2014

 

Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 73, të 12 shkurtit të këtij viti, janë vendosur rregulla të reja për pagesën e sigurimeve shëndetësore. Vendimi mbështetet në ligjin nr. 10383, datë 24.2.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjet nr. 126/2013 dhe nr. 184/2013, me të cilët bëhen disa ndryshime të rëndësishme për kontributet e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 73, datë 12.2.2014, nuk bëhet asnjë ndryshim për kontributet e sigurimeve shoqërore. Këto ndryshime janë si më poshtë: Sipas përcaktimit në nenin 5 të ligjit, sigurimi i detyrueshëm shëndetësor dhe pagesa e kontributeve përkatëse janë të detyrueshme për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, me banim të përhershëm në Shqipëri, si:

 

a) të punësuarit

b) personat e vetëpunësuar

c) punonjësit e papaguar të familjes

ç) persona të tjerë ekonomikisht aktivë

 

Baza për llogaritjen e kontributit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor për personat e punësuar është paga bruto mujore pagë e cila nuk mund të jetë më e vogël nga paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Paga bruto dhe paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është sipas përcaktimit në kreun II, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1114, datë 30.7.2008, të ndryshuar.

Sipas pikës 2, të këtij kreu, paga mujore mbi të cilën do të llogariten kontributet e detyrueshme të kujdesit shëndetësor të personit të punësuar në personat juridikë dhe ata fizikë nuk mund të jetë më e vogël nga paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punëmarrësit, aktualisht 22.000 lekë dhe nuk ka kufi të sipërm (tavan) të pagës bruto mujore.

 

Baza për llogaritjen e kontributit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor për punonjësit e vetëpunësuar është dyfishi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve.

Pra paga mujore mbi të cilën do të llogariten kontributet e detyrueshme të kujdesit shëndetësor të personit të vetëpunësuar (person fizik) dhe për punonjësit (pjestarët) e papaguar të familjes së tij, mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht duke filluar nga pagat e periudhës tatimore janar 2014 do të jetë sa dyfishi i pagës minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve. Kjo pagë aktualisht rezulton e barabartë me 38.052 lekë, e cila është sa dyfishi i pagës minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve prej 19.026 lekë e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 1114, datë 30.7.2008, i ndryshuar. (19.026 x 2 = 38.052)

Pra nga data 1 janar 2014 për personin e vetëpunësuar (person fizik) dhe për punonjësit (pjesëtarët) e papaguar të familjes së tij, mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore do të llogariten mbi bazën e pagës mujore 19.026 lekë, ndërsa kontributet e detyrueshme të kujdesit shëndetësor do të llogariten mbi bazën e pagës mujore 38.052 lekë.

 

Masa e kontributit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor edhe për të vetëpunësuarit dhe për punonjësit (pjesëtarët) e papaguar të familjes së tij, mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht duke filluar nga data 1 janar 2014 do të jetë 3,4 për qind e pagës për llogaritjen e kontributeve, e cila është si në pikën 3 më sipër (aktualisht 38.052 x 3,4% =1.294 lekë në muaj).

 

Kontributet e sigurimit shëndetësor llogariten nga të dhënat e listë-pagesës bazuar si më poshtë:

 

Për të punësuarit, për pagat deri në kufirin e pagës maksimale mbi të cilën llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore, aktualisht 95.130 lekë, kontributi i sigurimit shëndetësor do të llogaritet mbi bazën e pagave të vendosura në rubrikën “Paga bruto mbi të cilën llogariten kontributet” ndërsa për pagat që janë mbi kufirin maksimal mbi të cilin llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore, aktualisht 95.130 lekë, kontributi i sigurimit shëndetësor do të llogaritet mbi bazën e pagave të vendosura në rubrikën “Paga bruto gjithsej”.

 

Për të vetëpunësuarit (persona fizikë) dhe pjesëtarët e familjes, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të vetë-punësuarin, në rubrikën e të dhënave të listë-pagesës “Paga bruto mbi të cilën llogariten kontributet” subjekti të vendosë pagën minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore aktualisht 19.026 lekë.

Për llogaritjen e kontributit të sigurimit shëndetësor merret për bazë paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore aktualisht 19.026 lekë dhe kjo pagë shumëzohet me 6,8 për qind (ose ajo mund të shumëzohet me dy dhe shuma shumëzohet me 3,4 për qind, duke dalë i njëjti rezultat.).

Për rastet kur i njëjti person, gjatë muajit, është i punësuar në dy ose më shumë subjekte juridikë apo fizikë llogaritja e kontributeve të sigurimit shëndetësor është e detyrueshme të bëhet nga secili subjekt mbi bazën e pagës bruto mujore, e cila nuk mund të jetë më e vogël nga paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të punëmarrësit aktualisht 22.000 lekë dhe pa kufi të sipërm (tavan) të saj.

Në rastet e personave të dypunësuar, kur shuma e përbashkët e pagave bruto mujore është më e lartë nga paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, aktualisht 95.130 lekë, shënimet përkatëse në listë-pagesë janë të vlefshme të bëhen vetëm për kontributet e sigurimeve shoqërore.