Kuqezinjtë më fund mund të kenë shansin që ta shikojnë veten e tyre në Evropian. Një format i cili do të bëjë që të gjitha ekipet të kenë mundësi të trajtohen të barabarta përballë njëra-tjetrës.
Pardje është hedhur edhe ideja nga UEFA që flet për Ligën e Kombeve. Një kompeticon që mund t’u japë mundësi shumë ekipeve që të kualifikohen dhe të kenë shanse të barabarta. Edhe Shqipëria do të ketë shansin e saj që të dalë e fituar nga kjo ide, pasi shpeshherë kemi treguar që arrijmë të bëjmë surprizën. Tashmë që nuk është më në formën e një kompeticioni me eliminim, skuadra jonë mund të jetë më e favorizuar. Nga viti 2018, në Evropë nuk do të ketë më ndeshje miqësore, por një turne mes të 54 vendeve anëtare të futbollit në kontinentit tonë, të cilat do të luajnë me njëra-tjetrën të ndara në divizione të ndryshme dhe formula do të jetë e njëjtë me atë të kampionateve në Evropë, me skuadrat që do të kenë mundësi të ngjiten ose të zbresin në kategori në varësi të rezultateve që do të arrijnë. Kongresi i UEFA-s që po mbahet në Astana miratoi unanimisht projektin e Ligës së Kombeve, nëpërmjet së cilës mendohet t’u jepet më shumë rëndësi ndeshjeve miqësore me skuadrat që do të kenë edhe përfitime të drejtpërdrejta nga fitimi i tyre. Formati ende nuk është bërë i qartë plotësisht, por mendohet se 16 përfaqësueset më të mira të kontinentit do të luajnë në grupin e parë. Drejtuesit e saj theksojnë se çdo grup do të ndahet në minigrupe me 3-4 skuadra dhe secila prej tyre do të luajë 4 deri në 6 ndeshje nga shtatori 2018 deri në nëntor të atij viti. Faza “Final Four” ku bëjnë pjesë 4 ekipet më të mira të grupit A, do t’i zhvillojnë ndeshjet në vitin 2019, ndërsa ndeshjet “Play off” do të luhen në muajin mars 2020. Ndërkohë, fituesit e çdo divizioni, përveçse do të kenë mundësi të ngjiten në kategori, do të kenë edhe mundësinë për të shkuar direkt në Evropianin e vitit 2020. Ndeshjet mes tyre ato do t’i zhvillojnë në një periudhë katërvjeçare gjatë datave kur janë parashikuar miqësoret dhe do të luajnë me sistem vajtje-ardhje. Fitueset e divizioneve do të marrin pjesë në një “Final Four”, i cili mund të luhet në një vend asnjanës në verën e një viti pa kompeticione ndërkombëtare. Gjithashtu, fituesit e çdo divizioni, përveçse do të kenë mundësi të ngjiten në kategori, gjithashtu do të kenë shansin dhe për të fituar një vend direkt për në Evropianin e ardhshëm. Sipas drejtuesve të UEFA-s, Liga e Kombeve do të jetë kompeticioni i tretë më i rëndësishëm në botë për përfaqësueset, pas Botërorit dhe Kampionatit Evropian.
Platini: Jo miqësore për të shtuar emocionin e sfidës
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, beson se krijimi i Ligës së Kombeve është një hap përpara për futbollin ndërkombëtar. Pasi u miratua të enjten, gara do të shërbejë për të zëvendësuar shumicën e miqësoreve ndërkombëtare dhe do të ofrojë vende në garat e UEFA-s. Përfaqësueset e vendeve do të ndahen nëpër grupe, ndërsa gara do të përfshijë edhe promovimet dhe eliminimet, ndërsa do të ketë edhe një titull kryesor në fund të garës dhe Platini mendon se duke eliminuar shumë ndeshje miqësore nga kalendari futbollistik, kjo do ta ndihmojë futbollin ndërkombëtar. “Kjo u pranua dhe ne duhet ta urojmë veten për këtë. Ne kemi dëgjuar ftesat e atyre që duan ta bëjnë këtë, andaj kemi krijuar një garë”. “Ajo do t’i zëvendësojë miqësoret, ata nuk i interesojnë askujt. Është më shumë si një garë e zakonshme dhe mendoj se është një vendim i mirë pasi askush nuk i dëshiron ato miqësoret”, – u shpreh francezi.
Pse përfiton Shqipëria
Është shumë e thjeshtë logjika, sepse kombëtarja jonë mund të favorizohet. Sipas formulës së re, grupet do të përcaktohen në bazë të klasifikimit që bëhet nga FIFA. Kjo do të thotë që ekipi ynë do të jetë në një pozicion me skuadra të barabarta. Edhe përfaqësueset e tjera do të kenë të njëjtin nivel, çka do të thotë që do të kemi më shumë mundësi të marrim pikë. Nëse sot gjendemi përballë rivaleve si Portugalia, Danimarka dhe Serbia, me formulën e re ekipi ynë kombëtar mund të përballet me skuadra të nivelit të Sllovenisë apo Norvegjisë. Ekipe që mund të jenë më të lehta për t’u marrë fitoren. Duke pasur më shumë mundësi për të fituar, atëherë edhe shanset do të jenë më të larta për të marrë një kualifikim
Shqipëria në misionin Euro 2016
Një short që ka rezervuar emocione të veçanta ka qenë ai i hedhur në Nisë të Francës për eliminatoret e 2016-ës. Kjo edhe për natyrën e përballjeve. Duke parë numrin e madh të skuadrave në eliminatore në grupe përballë njëra-tjetrës janë vënë skuadra që rivalizojnë ndërmjet tyre. Edhe kuqezinjtë e De Biazit kanë përballjet e tyre që kanë një karakter të veçantë. Duke parë skuadrat të cilat do të kemi përballë, duket se jo gjithçka ka shkuar mbarë. Kjo, pasi skuadra si Portugalia dhe Danimarka nuk janë të lehta për t’u kaluar. Një mision i vështirë që mund të ketë disa pengesa para. Interesante është edhe përballja që do të ketë ekipi ynë me kombëtaren serbe. Një përballje që nuk ka brenda vetëm garimin sportiv, por edhe historinë. Një ndeshje me emocione të mëdha që pritet me shumë kureshtje. Skuadrat ishin të ndara në pesë vazo, të varura nga rezultatet e arritura dhe rankimi i tyre në UEFA. Shqipëria nga ky short ka marrë grupin më të vështirë të mundshëm. Danimarka dhe Armenia janë ekipe që kanë lojtarë kualitativë dhe janë kombëtare të dëshmuara së fundmi, teksa Serbia është rival i përbetuar si në rrafshin politik, ashtu dhe në atë sportiv. Portugalia është e qartë se është favorit i këtij grupi, por mbetet të shihet si të reflektojë De Biazi dhe nëse edhe Adnan Januzaj do të jetë i përfshirë në kombëtaren shqiptare, e që do të ishte një lehtësim i madh. Zvicra e përforcuar me gjashtë shqiptarë do të ketë përballë Anglinë e Roi Hoxhsonit, në një grup relativisht të lehtë, teksa edhe kampionia e botës, Spanja, nuk do të ketë shumë punë të vështirë. Janë gjithsej tetë grupe me nga gjashtë skuadra dhe një grup tjetër me pesë skuadra. Në këto grupe, do të jenë nga dy skuadra që do të kualifikohen tutje, ashtu sikurse edhe ekipi më i mirë në vendin e tretë, teksa ekipet e mbetura të vendit të tretë do të luajnë në “play off”. Kualifikimet do të zhvillohen kësaj radhe me reformë në atë që quhet java e futbollit. Një javë e tërë do të jetë e rezervuar për futbollin e kombëtareve, të cilat do të shpërndahen proporcionalisht me të drejtat televizive në secilën ditë nga një ndeshje. Reformat e UEFA-s besohet se janë bërë për të reduktuar numrin e ndeshjeve të kombëtareve gjatë sezonit, në mënyrë që klubet të fokusohen më shumë në aktivitetet e tyre në garat tjera dhe lojtarët të jenë më të pushuar.
Grupi I
Portugalia
Danimarka
Serbia
Armenia
Shqipëria
*Franca (Ekipet e grupit I do të luajnë nga dy ndeshje me Francën, në formë miqësore, pa vlerë pikësh. UEFA ka vendosur t’i garantojë vendit pritës miqësore me ekipet e grupit të fundit, por e përsërisim pa vlerë pikësh).
De Biazi: Në Shqipëri ndihem i lumtur
Tekniku i kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, është “mburrur” për punën që ka bërë nën drejtimin e kuqezinjve, por edhe për mikpritjen që ka hasur nga shqiptarët gjatë kësaj kohe. “Shqiptarët e dashurojnë futbollin. Niveli i kampionatit atje është pak a shumë sa Seria C këtu në Itali, por gjithsesi mua më pëlqen. Para se të shkoja në drejtim të kombëtares, ajo ishte në vendin e 87-të, ndërsa u ngjit deri në vend të 37-të. Kam lojtarë të shpërndarë në gjithë botën, përfshi edhe këtu në Itali. Në Shqipëri kam gjetur mikpritjen dhe kënaqësinë e të jetuarit. Niveli ekonomik është i ulët, aq sa mund të shkosh pa frikë e të jetosh si pensionist. Në Itali kam pasur përvoja shumë të mira, si te Modena apo Breshia”, – shprehet tekniku i kombëtares shqiptare në një shkrim të publikuar në të përditshmen “La Tribuna di Treviso”.