Gëzim Saliu
Legalizim vetëm për ata që kanë ndërtuar para 2009-ës, si bëhet pagesa
Zbardhet vendimi i plotë i qeverisë për ligjin e ri të legalizimeve. Pas detajeve të bëra publike dy ditë më parë lidhur me paketën e re, qeveria ka publikuar dje vendimin e marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i cili paraqet skemën e plotë të legalizimeve, duke nisur nga përcaktimi i familjeve që do të përfshihen ose përjashtohen nga procesi e deri tek procedurat e pagesës apo tek penalizmit për shtesat në pallate. Sipas vendimit, ligji i ri do të ketë zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje deri më 15.1.2009, ku përfshihen dhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer procedurën e vetëdeklarimit për legalizim, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj. Ndërkohë që për ndërtimet pa leje të ngritura pas kësaj date, legalizim do të ketë për ato familje që kanë ngritur objektin në truallin që kanë në pronës të tyre si edhe që nuk kërkojnë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin.
Ndryshimet
Sipas ligjit të ri, pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore do të bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe me bono privatizimi. “Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë. Bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit”. Sa i përket procesit të kompensimit të pronarëve, ligji veç rastit të kompensimit të tyre me vendim qeverie, përcakton edhe rastet kur parcela ndërtimore objekt kompensimi rezulton në pronësi të njësive të qeverisjes vendore. Në këtë kontekst theksohet se përpara se të kryejë procedurat e kalimit të pronësisë dhe kompensimit, duhet të kërkohet më parë miratimi i njësisë së qeverisjes vendore përkatëse.
Shtesat pa leje
Një tjetër pikë e rëndësishme që preket nga ndryshimet e ligjit të ri të legalizimeve është ajo që lidhet me shtesat pa leje, ku përcaktohet një rregullim i veçantë për shtesat anësore apo shtesa kati. “Në rastin e objekteve me leje ndërtimi apo të ngritura përpara vitit 1993, tek të cilat janë kryer shtesa anësore/ shtesa kati, përfshirja në procesin e legalizimit të subjekteve posedues të tyre, bëhet me kërkesë, me kushtin që njëri nga subjektet posedues të ketë aplikuar për legalizim, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në këtë ligj”. Ndërkohë që neni 39 i ligjit që ka të bëjë me përjashtimin nga legalizimi ndryshohet në pjesën ku thuhet: “Ndërtimet pa leje dhe shtesat anësore/në lartësi në ndërtimet me leje, që cenojnë veprat kryesore të infrastrukturës publike, akset rrugore kombëtare, sipas distancave të përcaktuara në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore, territorin e institucioneve publike, integritetin e monumenteve të kulturës, nuk legalizohen”. Po ashtu në ligj janë përcaktuar edhe penalitetet për legalizimin e shtesave të subjektit ndërtues. “Subjektet, shoqëri ndërtuese/investitorë, që kanë kryer shtesa anësore apo në lartësi tej lejes së ndërtimit, me qëllim kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien, paguajnë për efekt të legalizimit për llogari të ALUIZNI-t, këto penalitete: a) 4 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe banimi; b) 5 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që shfrytëzohet për veprimtari social-ekonomike; c) 10 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që është bërë ndryshim destinacioni”, thuhej në ligj.
Kalimi i së drejtës së pronësisë dhe mënyra e pagesës së parcelës ndërtimore
Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, si rregull, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit pa leje. Sipërfaqet mbi masën e përcaktuar në këtë pikë, të cilat për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim. Këshilli i Ministrave miraton listën e poseduesve të objekteve pa leje dhe sipërfaqet e parcelave ndërtimore, për të cilat ngarkon ALUIZNI-n të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë. Çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik është ai i përcaktuar në bazë të vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Funksioni ndërtimit pa leje përcaktohet sipas evidentimit në terren nga institucioni që kryen këto procedura.
Shtesat në pallate, penalitetet dhe përjashtimet
-Në rastin e objekteve me leje ndërtimi, apo të ngritura përpara vitit 1993, tek të cilat janë kryer shtesa anësore/ shtesa kati, përfshirja në procesin e legalizimit të subjekteve posedues të tyre, bëhet me kërkesë, me kushtin që njëri nga subjektet posedues të ketë aplikuar për legalizim, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në këtë ligj.
-Ndërtimet pa leje dhe shtesat anësore/në lartësi në ndërtimet me leje, që cenojnë veprat kryesore të infrastrukturës publike, akset rrugore kombëtare, sipas distancave të përcaktuara në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore, territorin e institucioneve publike, integritetin e monumenteve të kulturës, nuk legalizohen.
-Subjektet, shoqëri ndërtuese/investitorë, që kanë kryer shtesa anësore apo në lartësi tej lejes së ndërtimit, me qëllim kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien, paguajnë për efekt të legalizimit për llogari të ALUIZNI-t, këto penalitete:
a) 4 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe banimi
b) 5 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që shfrytëzohet për veprimtari social-ekonomike
c) 10 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që është bërë ndryshim destinacioni
Legalizimet
PD: Rama mashtroi, tapia do të kushtojë dy herë më shumë
Partia Demokratike ka reaguar ndaj vendimit të fundit të qeverisë për legalizimet, duke pohuar se Kryeministri mashtroi qytetarët, pasi, sipas demokratëve, jo vetëm që nuk ka legalizime falas, por tapia do të kushtojë dy herë më shtrenjtë. “Edi Rama ka vendosur uljen e përdorimit të letrave me vlerë në procesin e legalizimit, nga 70 për qind që ishte më parë, në 30 për qind. Pra qytetarët do të paguajnë me para në dorë, të paktën dy herë më shumë se sa në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Kjo është e reja e Edi Ramës me legalizimet. U bënë më shumë se 6 muaj, që Edi Rama dhe Lamja i tij, rrotullohen duke menduar një zgjidhje për mashtrimin e legalizimeve falas. Vendimi i parë që morën ishte bllokimi i procesit. Ka më shumë se 6 muaj që ALUIZNI nuk bën asgjë. Madje tapitë që dha dje Edi Rama me regji qendrore, janë tapitë e përgatitura nga administrata e qeverisë së mëparshme që ai i mallkonte dhe i baltoste çdo ditë kur ishte kryetar bashkie, dhe kur mbajti të bllokuara për vite me radhë mbi 6 mijë dosje legalizimi, për interesat e veta klienteliste”, – tha zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi. Më tej, ajo theksoi: “Edi Rama vetëm është tallur me legalizimet dhe qytetarët që kanë pasur nevojë për këtë shërbim, dhe vazhdon të tallet edhe sot. Prej 6 muajsh, Edi Rama nuk ka përgatitur as edhe një tapi të vetme. Nuk ka përgatitur as edhe një dosje legalizimi. Gënjen dhe mashtron, dhe sërish me regji qendrore. Nuk ka legalizim falas. Tapia e legalizimit do të kushtojë 2 herë më shtrenjtë se më parë”.