Anxhela Tato
Shefi i gardianëve të burgut pranon fajësinë dhe zbulon emrat e 9 bashkëpunëtorëve në krimin e rëndë
Ekspertiza toksikologjike, vdekja e Ilia Karelit, nga goditja me elektroshok
Ilia Kareli u dhunua dhe u torturua në mënyrë çnjerëzore nga shefi i sigurisë së gardianëve të burgut të Nigritas, Hari Konsolidis. Nga hetimet e organit të akuzës rezulton se i dënuari shqiptar është rrahur për rreth dy orë nga nëntë gardianë pas vrasjes së kolegut të tyre. Sipas një dëshmie, shefi i rojave të brendshme të burgut të Nigritas, Hari Konsolidis, që tashmë ndodhet i shtruar në psikiatrinë e Serresit, ka pranuar para kolegëve të tij në polici se e ka rrahur dhe e ka torturuar shqiptarin brenda në burg. Ai ka pranuar se në torturë ishin edhe 9 roje të tjera, 7 nga të cilët e mohuan pjesëmarrjen, ndërsa 2 e pranuan fajin e tyre. Kur Konsolidis mësoi se do të arrestohej, tentoi të vetëvritej, por u shpëtua nga kolegët. Mësohet se i ka telefonuar gruas dhe i ka kërkuar falje, më pas ka tentuar vetëvrasjen. Aktualisht, ndodhet i paraburgosur në klinikën psikiatrike të spitalit të Serresit për trajtim. Nga ana tjetër, policët e rajonit të Iteas deklaruan se “Ilia Kareli në asnjë rast nuk u prek gjatë qëndrimit të tij në mjediset e policisë”. Sipas zyrtarëve të kësaj policie, kur Kareli hyri në rajon, kishte shenja të dukshme në duar dhe kokë. Ai ishte i heshtur dhe u kërkoi vetëm pak ujë. Oficeri që e mori në dorëzim, ka regjistruar të gjitha goditjet dhe ka bërë një raport, thonë zyrtarët e policisë së Iteas për shtypin grek. Sot pritet të kryhen arrestimet e 8 gardianëve të burgut të Nigritas në Serres, kundër të cilëve është lëshuar urdhër arresti për torturimin deri në vdekje të të burgosurit shqiptar Ilia Kareli. Policia greke i la të lirë 3 gardianët e burgut të Nigritas, të cilët u ndaluan dje. Sipas policisë, duhet më tepër kohë të përfundojnë procedurat për çështjen. Dosja i ka kaluar prokurorisë dhe pritet një urdhër i dytë. Ndaj zyrtarëve të burgut rëndon akuza për rrahje dhe torturë me pasojë vdekjen, plagosje të rëndë dhe dëmtime të rënda të qëllimshme. Në raportin e prokurorisë vihet në dukje se në bazë të hetimeve, vendi dhe koha e kryerjes së goditjeve vdekjeprurëse përkon me qëndrimin e të dënuarit brenda territorit të Serresit, gjë që shkarkon nga përgjegjësia gardianët e burgut të Malandrinos dhe policët e rajonit të Iteas.
Dhuna
Sipas testit toksikologjik, Ilia Kareli nuk ka qenë as i dehur dhe as i droguar. Goditja finale i është dhënë nga elektroshoku, i cili i ka lënë shenja djegieje në duar. Sipas ekspertizës, ai është rrahur në burgun e Malandrinos, 9 ditë para se të vriste gardianin grek. Pas vrasjes që kreu, ai u dhunua me shkop gome nga 5 gardianë rreth orës 16:00 të datës 25 mars në burgun e Nigritas. Dhuna ndaj tij ka ndodhur para se ta vendosnin në dhomën e mbikëqyrur me kamera, prej ku vdiq nga dhimbjet në kraharor. Hetimet e prokurorisë tashmë janë përqendruar në atë që ka ndodhur në datat 25-27 mars 2014 deri në vdekjen e shqiptarit. Sekretari i burgut të Nigritas ka thënë se ka parë filmimet: “Pashë me sytë e mi që gardianët e rrahën Karelin”. Prokurorët që po hetojnë rastin kanë në dispozicion informacionin dhe deklaratat që tregojnë se Kareli është torturuar egërsisht për 3 ditë dhe net. Fillimisht është rrahur nga oficerët e burgut në Malandrino, menjëherë pas vrasjes së gardianit George Tsironi. Tortura thuhet se ka vazhduar gjatë transferimit në burgun e Nigritas. Sipas dëshmive, kamera në korridorin e burgut të Nigritas ka regjistruar faktin se në orën 16:00 të së enjtes së kaluar gardianët e futën shqiptarin në një dhomë pa kamera sigurie. Gjysmë ore më pas në pamje shihen dy punonjësit, që e zvarrisnin jashtë qelisë Karelin e pavetëdijshëm. Në dëshminë e oficerit të burgut të Nigritas, i cili e shoqëroi atë, thuhet se “gjatë kontrollit fizik paraprak gjeta se ishte goditur. Në 19:15 shkova në qelinë e tij dhe për fat të mirë kam pasur një aparat fotografik me të cilin regjistrova gjithçka. Unë nuk e kam goditur dhe ne s’e kishim një qëllim të tillë. As ndonjë i burgosur nuk e goditi atë. Ai nuk ankohej për dhimbje në trup, vetëm ishte pak i frikësuar”.
Konsulli shqiptar në Selanik
Përfaqësuesi i qeverisë shqiptarë, konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik, Riza Poda, vijon kontaktet me autoritetet hetimore për çështjen e vdekjes së shqiptarit Ilia Kareli. Poda ka kontaktuar me prokurorin e Serresit si dhe drejtorin e Kontrollit të Brendshëm të Policisë, që zhvilloi hetimet. Sipas Podës, autoritetet greke kanë siguruar se hetimet vijojnë me intensitet për nxjerrjen e përgjegjësve do të ketë arrestime dhe ndëshkime për vdekjen e dhunshme të shqiptarit.
Ministria e Drejtësisë: Të zbardhet pa vonesë vrasja e Karelit
Ministria shqiptare e Drejtësisë ka reaguar dje mbi ngjarjet që ndodhën ditë më parë në burgjet e Malandrinos dhe të Nigritas në Greqi. Në një njoftim për mediat thuhet: “Ministria e Drejtësisë shpreh keqardhjen e saj për ngjarjen e rëndë të ndodhur në burgun e Malandrinos dhe Nigritas në Greqi, me pasojë humbjen e jetës së shtetasve Jorgos Cironis dhe Ilia Karelit, i cili vuante dënimin në burg”. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar zbardhjen e pa vonesë të çështjes. “Duke besuar në marrëdhëniet e mira të fqinjësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të drejtësisë të dy vendeve dhe në zbatimin reciprok të ligjit dhe marrëveshjeve e konventave ndërkombëtare, veçanërisht ato me fokus respektimin e të drejtave të njeriut, Ministria e Drejtësisë shpreh besimin se reagimi i drejtësisë greke do të jetë i menjëhershëm për sa i takon zbardhjes së çështjes pa vonesë”, – thuhet në njoftimin e MD-së.
Protestë, digjet flamuri grek përballë Ambasadës
Të rinjtë e lëvizjes “Reago” i kanë vënë flakën flamurit grek në shenjë revolte ndaj vrasjes së Ilia Karelit në Greqi. Në një protestë të paralajmëruar para Ambasadës Greke, të rinj i kanë djegur flamurin e vendit fqinj, duke kërkuar njëherësh zbardhjen e vrasjes së Ilia Karelit. Ata i kanë kërkuar Ministrisë së Jashtme të vendit tonë t’i kërkojë llogari Athinës zyrtare për këtë krim, të cilin e kanë vlerësuar si një akt terrorist. Forca të policisë kanë mbikëqyrur protestën, e cila është zhvilluar pa incidente.
Elbasan
Flakët shkrumbojnë banesën, vdesin burrë e grua
Dy persona kanë humbur jetën nga zjarri i rënë në një banesë në fshatin Mlizë të Elbasanit. Ngjarja është regjistruar dje paradite, ndërsa policia e këtij qyteti bën me dije se viktimat janë bashkëshortët Dhimitër dhe Sanie Sinani. Dyshohet se zjarri fillimisht ka rënë në kuzhinën e banesës së tyre, në katin e dytë, duke u përhapur me shpejtësi në të gjithë shtëpinë. Çifti i bashkëshortëve ka parë flakët që përfshinin banesën dhe janë munduar t’i shuajnë ato, duke humbur kështu edhe jetën. Ata janë nxjerrë të karbonizuar nga banesa e tyre. Në banesë nuk ndodhej asnjë pjesëtar tjetër i familjes Sinani. Nga hetimet paraprake rezulton se shkak për rënien e zjarrit është bërë rrjedhja e gazit nga bombola. Mësohet se në banesë ka qenë ndezur soba e druve, e cila ka provokuar zjarrin. Bashkëshortët janë asfiksuar nga tymi i gazit dhe trupat e tyre janë karbonizuar. Ngjarja e rëndë ka tronditur djalin e viktimave, të cilit i ka rënë të fikët kur ka parë prindërit e pajetë. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit.
Greqi
Trafikuan 160 kg kanabis, pranga 2 shqiptarëve
Dy shqiptarë janë arrestuar duke trafikuar 160 kilogramë lëndë narkotike nga Shqipëria në Greqi, ndërsa shoferi i fugonit që po transportonte lëndën, ka mundur të largohet. Aksioni është zhvilluar në një fshat të Igumenicës nga Drejtoria e Antidrogës së kësaj zone. Kur policia kishte ndaluar fugonin, shoferi i mjetit kishte vrapuar nëpër fushë duke i shpëtuar arrestimit, por policia ka mundur të arrestojë dy shqiptarët e tjerë të cilët ndodheshin në një makinë që ishte si pararoja e kamionit me drogë. Gjatë kontrollit brenda në makinë policia ka gjetur 150 pako me kanabis sativa që me peshë totale ishin 160 kilogramë. Dy shqiptarët kanë treguar se ata kontrollonin rrugën. Nga hetimi, policia ka zbuluar dy makinat e sekuestruara ishin marrë me qira në Athinë.