Procedura për pallatet me shtesa, pagesat sipas zonave
Ekzistojnë dy opsione për ndërtimet pa leje që janë ngritur pas vitit 2009, të cilat nuk preken nga ligji i ri i legalizimeve. Kreu i ALUIZNI-t, Arta Lame, bëri të ditur dje detajet lidhur me këtë procedurë, duke bërë të ditur: “Të gjitha ndërtimet e bëra në tokë shtet nuk mund të legalizohen pas janarit të 2009-ës. Ka dy opsione, të qëndrojë në ambientin që është në qoftë se nuk i prish punë dikujt. Por nëse do të duhet aty të hapet një rrugë apo ka një plan konkret për ndërtimin e një vepre publike, ajo do të prishet”. Në intervistën në emisionin “Të bësh ekonomi” në “News 24”, Lame zbardhi edhe procedurën që do të ndiqet për pallatet me shtesa si edhe shifrat e pagesave sipas zonave.
A ka një shifër për legalizimet?
Pa dashur ta ndajmë nga fillimi, 2013-a ku në mars u bënë ndryshime, shifra e përgjithshme, të bëra deri tani, llogaritet rreth 270 mijë. Them rreth, se në normalitetin shqiptar kemi kaq muaj që mundohemi të listojmë dosjet, saqë akoma jemi në një shifër të përafërt.
Sa është numri i objekteve që do legalizohen?
270 mijë qytetarë të Republikës iu bindën shtetit shqiptar në vitin 2005, në kohën e qeverisë socialiste, që në kohën e Kryeministrit Nano. PD pastaj i futi në sirtar kërkesat e tyre.
Po si mendoni, do të mbeten të kënaqur qytetarët?
Do ketë nga ata që mbeten të kënaqur, do ketë që do mbeten të pakënaqur dhe do e pësojnë dhe do mundohemi të jenë sa më pak këta.
Sa shkon vlera e legalizimit për 500 metra katrorë për t’u legalizuar në Tiranë?
Me kaq pak të dhëna është e vështirë për t’u përgjigjur, pasi ka shumë komponentë dhe të dhëna për të përcaktuar se sa shkon shuma e legalizimit. Ne kemi bërë një ndryshim deri në 500 metra katrorë, por jo më shumë sesa sipërfaqja që zë objektin e ndërtuar. Ne denoncuam disa raste, pasi ka raste të rënda, ku ishin bërë legalizime të objekteve deri në 30 metra dhe ishin legalizuar mbi trefishi i objektit. Ky rast u lokalizua në Shkodër, ku ishin legalizuar 900 metra katrorë të legalizuar. Pra, nuk legalizohen jo më shumë se 300 metra katrorë. Ndaj duhet parë se a ka mundësi që në këtë objekt dhe parcelë, a ka mundësi të krijohet një parcelë tjetër e re. Çmimi paraprak që përcaktojmë për parcelën është 50 % e vlerës së tregut, por jo më shumë se 150 lekë. Pra nëse çmimi i truallit me vlerë tregut është 50 mijë lekë të tjera, 50% e vlerës është 15 mijë lekë.
Zona për të cilën flas është zona e Babrrusë, është 30 mijë lekë të reja, sa më takon të paguaj?
Do të legalizohen me 15 mijë lekë të vjetra, më pas nisin zbritjet e tjera. 50% të kësaj shume mund t’i shlyeni me letra me vlerë. Kemi ulur kuotën e pagesës me letra me vlerë, ishte vendim social, nga 70% në 50%.
Ato ndërtesa që kanë certifikate pronësie te truallit, çfarë detyrimesh kanë ndaj shtetit?
Shtëpitë që janë ndërtuar në porosi të tyre, nuk ke pse paguan për legalizimet. Në rastin kur ke ndërtuar tek toka e dikujt tjetër, në këto raste trualli. Nëse një shtëpi është 100 metra, legalizimi i tokës së tij është maksimumi 300 metra, pra trefishi i saj.
A do të shemben banesat që janë ndërtuar në tokë-shtet, nëse janë ndërtuar pas vitit 2009?
Po, do të shemben. Nëse aty do të ketë një plan konkret për ndërtimin e një vepre publike, siç mund të jetë parku… etj.
Si qëndron problemi me pronarët dhe ish-pronarët?
Agim Toro: Qytetarët e kësaj Republike janë edhe pronarët, të cilët po trajtohen si kundërshtarë të kësaj demokracie. Ndryshimet e ligjit po japin efektet e tyre. Ndonëse u shty afati, ky legalizim po bëhet në kurriz të pronarëve dhe po sjell dëme të jashtëzakonshme dhe nuk llogariten dot. Deri më sot kanë dal 15 vendime për pronarët, 73 hektarë tokë, shifra kalon 100.10 milionë dollarë. Askush nuk e mendon se sa shkon kostoja për ndërtimet pa lejë në tokat e pronarëve. Kur doli ligji i legalizimeve, ne e çuam vendimin në Gjykatë Kushtetuese. Në ligjin e legalizimeve, pavarësisht se ai është në tokën e tjetrit, pronari nuk përmendet në asnjë vend. Sasia e kërkuar për këto shpronësime është 15 milionë dollarë.
Nuk ka lidhje fondet e buxhetit për kompensimin e pronarëve me procesin e legalizimeve. Të dallojmë dy gjëra, në 8 vjet të PD-së buxheti i shtetit s’ka vënë asnjë lekë. Të vetmet para që ata kanë marrë kanë qenë ato 110 milionë dollarë. Ato të tjerat i ka përdorur Ridvan Bode për buxhetin. Paratë do të mblidhen për shitjet e parcelave të shtetit dhe nga buxheti i shtetit dhe do t’u jepen paratë pronarëve. Pra nga procesi i legalizimeve do përfitojnë pronarët, pasi atyre do t’u kthehen lekët me këto fonde që do mblidhen.
Qytetari që kërkon të marrë legalizimet, do t’ia paguajë qeverisë paratë para se të marrë titullin e pronësisë apo do t’ia paguajë vetë pronarit?
Nëse ne do t’i linim palët të merreshin vetë vesh me njëri-tjetrin, do ndodhin shumë konflikte, siç kanë ndodhur gjithmonë. Ne themi se shteti është në mes. Do marrë ato para që paguan qytetari që ndërton në tokën e ish-pronarit dhe shtojmë nga buxheti i shtetit dhe kompensojmë pronarët.
Zoti Lame kur do merret certifikata e pronësisë për këto 300 pallate?
Janë dy arsyet kryesore, kur themi 300 pallate, do të thotë se janë mbi 6-7 mijë familje. Këto janë pallate që kanë bërë shtesa apo kanë marrë leje të reja dhe ndaj janë vonuar. Ndoshta ka të bëjë me indiferencën e administratorëve. Tani do t’i marrin lejet të gjithë. Përtej kësaj, për këtë kategori dhënia e lejes së legalizimit hap rrugën për hipotekimin dhe më pas qytetarët të kenë titujt e pronësisë. Kemi edhe ato raste kur qytetarët kanë paguar për të marrë lejet për shtesa në pallatet e tyre.
Përfitojnë ndërtuesit për legalizimin e banesave?
Ata përfitojnë, por ligji i legalizimeve është bërë për të gjithë qytetarët që të gëzojnë të drejtën e pronësisë mbi pronën e tyre.
Këto pallate janë me leje dhe nuk kanë asnjë problem dhe shumë herë u është kërkuar ndërtuesve të paguajnë paratë, por dosja e tyre nuk është përcjellë asnjëherë. Duhet të dimë se kur do nisë të ndodhë zhbllokimi i këtyre dosjeve. Buxheti i shtetit do ndihmohet…
Janë trajtuar 4 500 kërkesa dhe ankesa të qytetarëve pranë sporteleve tona dhe kjo tregon kthim besimi tek ajo derë që do t’u hapet. Ajo çka është bërë në kaq shumë vite do dojë kohën e vetë për t’u bërë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin seriozisht këtë çështje, na ndihmoni dhe ne. Kur të nisë të funksionojë ligji i ri do merremi me zona të caktuara kadastrale, ndaj do bëhen verifikime në terren dhe kjo ndihmon sistemin.