SUPLEMENT/ NE & LIGJI

0
309

drejtesia1-550x360E drejta për jetën

 E drejta e jetës kryeson katalogun e të drejtave kryesore në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 21 i Kushtetutës që përcakton se jeta e personit mbrohet me ligj). E drejta e jetës shikohet si kusht për gëzimin e të drejtave të tjera si një e drejtë natyrore që lind me vetë njeriun. Pikërisht për shkak të rëndësisë së saj edhe koncepti i moskufizimit apo moscenimit të kësaj të drejte në asnjë rast. Secili shtet ka detyrimin që jo vetëm të garantojë materialisht në legjislacionin e brendshëm, por të marrë të gjitha masat dhe të garantojë mjete efektive për mbrojtjen e saj, duke filluar nga instrumentet ligjore. Në këtë kontekst mund të themi që shteti jo vetëm në rast mosgarantimi, por edhe në rast mosndërhyrjeje apo neglizhence lejon shkeljen e kësaj të drejte, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për cenimin e saj. Ky karakter u pasqyrua në lëvizjet që morën shtetet për heqjen e dënimit me vdekje si një nga sanksionet më të rënda që cenonte drejtpërdrejt të drejtën e jetës. Heqja e dënimit me vdekje u realizua në vendin tonë në vitin 1999, me vendim te Gjykatës Kushtetuese. Neni 21 garanton të drejtën e jetës nga çdo veprim arbitrar jo vetëm të individit ndaj individëve të tjerë, por edhe ndaj shtetit kundrejt individëve. Nuk do të kemi privim në kundërshtim me ligj, në qoftë se jemi para rasteve të cenimit të jetës në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, kundërshtimit të trazirave apo kryengritjeve në përputhje me ligjin dhe në rastet e procesit të arrestimit të rregullt apo pengimit të arratisjes së personave ligjërisht të burgosur. Legjislacioni shqiptar konsideron si moment të fillimit të kësaj të drejte zënien e një fëmije me kusht lindjen gjallë të tij, një spektër ky që tregon rëndësinë e veçantë që ka një e drejtë e tillë.

 

Kontrata e qirasë

 Qiraja është një kontratë e lidhur midis qiradhënësit dhe qiramarrësit për gëzimin e një sendi në mënyrë të përkohshme përkundrejt një shpërblimi të caktuar me marrëveshje të palëve. Shpërblimi jepet në të holla ose në natyrë, ndonëse pak e hasur kjo e fundit. Kontrata e qirasë është një kontratë formale për efekt provueshmërie. Kjo kontratë duhet bërë me shkresë, kur lidhet për një afat 1 vit ose më shumë. Kur lidhet për sende të luajtshme, me afat më pak se 1 vit, mund të bëhet me gojë e të provohet me dëshmitarë, por kur sendi është i paluajtshëm dhe afati mbi 9 vjet ajo duhet të regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për efekt vlefshmërie, kur kemi objekt kontrate tokën bujqësore kontrata mbi 9 vjet duhet me akt noterial dhe të regjistrohet ndryshe është i pavlefshëm. Një ndër elementet kryesore të saj është se ka objekt sendet të luajtshme ose të paluajtshme të pakonsumueshme. Sendi duhet të jetë individualisht i përcaktuar, që do të thotë të ketë karakteristika të veçanta që e dallojnë nga të tjerët dhe të jetë i pakonsumueshëm, sepse në përfundim të kontratës kthehet i njëjti send. Qiramarrësi ka të drejtë të japë sendin me nënqira me një person të tretë në qoftë se kjo nuk ndalohet shprehimisht në kontratë. Por, qiramarrësi nuk mund t’ia kalojë në asnjë rast kontratën e qirasë një të treti pa pëlqimin e qiradhënësit. Kontrata e qirasë mund të lidhet me ose pa afat, por ligji parashikon afate specifike në varësi të objektit të saj. Këto afate janë 5 vjet për ndërtesat që përdoren për banim, 30 vjet për çdo lloj kontrate, kur nuk është parashikuar ndryshe. Në qoftë se qiraja është e lidhur për një kohë më të gjatë se ky afat 30-vjeçar ose është pa afat, ajo ka fuqi vetëm për këto 30 vite, pjesa tjetër është e pavlefshme. Por edhe kur kalon afati i kontratës dhe palët vazhdojnë ta respektojnë sikur të mos kishte mbaruar, atëherë kontrata ripërtërihet automatikisht me të njëjtat kushte, përveç afatit që palët e caktojnë sërish. Qiradhënësi është i detyruar të dorëzojë sendin në kohën e caktuar në gjendjen që palët kanë rënë dakord, të garantojë gëzimin e qetë të sendit pa shqetësimin e të tretëve për qiramarrësit dhe të kryej riparimet e nevojshme në përjashtim të atyre me natyrë të përditshme që kryen qiramarrësi. Qiramarrësi është i detyruar të paguajë shpërblimin në kohën dhe formën e caktuar në kontratë dhe të dorëzojë sendin në përfundim të kontratës në po atë gjendje që kishte sendi në fillim me përjashtim të dëmtimeve të zakonshme që vijnë nga përdorimi i sendit në përputhje me kontratën.

 Rastet e mbarimit të kontratës

Kontrata me afat përfundon në mbarim të këtij afati të caktuar në kontratë. Në qoftë se sendi në momentin e dorëzimit ka të meta që cenojnë vlerën e përdorimit të tij, qiramarrësi ka të drejtë të kërkojë uljen e çmimit ose zgjidhjen e kontratës.

 

I mitur në ligj…

 Të miturit përfaqësojnë një kategori subjektesh që gëzojnë një trajtim të veçantë nga legjislacioni ynë. Ky trajtim i veçantë vjen për shkak të moshës delikate që i bën shpeshherë të paaftë për të kuptuar rëndësinë dhe seriozitetin e veprimeve të tyre. Trajtimi i veçantë i të miturit vjen edhe nga për shkak të personalitetit të të miturit, i cili nuk është formuar plotësisht. Instrumenti që parashikon mbrojtjen e të miturit nga shteti është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila në nenin 54.1 shprehet: Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë nga shteti.

Kodi ynë Penal parashikon diferencime për të miturit në llojin e dënimit, në masën e dënimit, por parashikon edhe rastet e përjashtimit të të miturit nga dënimi. Me qëllimin për të mbrojtur maksimalisht këtë kategori, ligji ynë e parashikon si rrethanë rënduese kryerjen e veprave penale ndaj të miturve. Rrethana rënduese merret parasysh në caktimin e llojit dhe masës së dënimit nga gjykata për autorin e veprës penale.

Ligji parashikon se ndalohet dhënia e dënimit me burg për të miturin që kryen kundërvajtje penale.

Për të miturin, që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk ka mbushur moshën 18 vjeç, jepet dënim me burgim, por jo më shumë se gjysma e dënimit të parashikuar për të rriturit për të njëjtën vepër penale. Të miturit e vuajnë dënimin e tyre në vende të veçanta nga të rriturit. Gjykata në dhënien e dënimit për të miturin duhet të jetë e kujdesshme që të caktojë një lloj dënimi të përshtatshëm, duke pasur parasysh rëndësinë e mosndërprerjes së procesit edukativ (si p.sh. ndjekja e studimeve).

Por ligji parashikon edhe rastet të përjashtimit nga dënimi i personave të mitur. I mituri mund të përjashtohet nga dënimi për shkak të rrezikshmërisë së pakët të veprës penale dhe rrethanat konkrete të kryerjes së saj dhe së dyti nisur nga sjellja e mëparshme e të miturit në raport me të tjerët dhe jo vetëm në një situatë konkrete por në vijueshmëri (p.sh. sjellja e tij në shkollë, sjellja me bashkëmoshatarët etj.). Në rastin e mosdënimit të të miturit ndaj tij jepet një masë edukuese e cila ka të bëjë me vendosjen e të miturit në institucione edukimi. Pavarësisht parashikimit nga ligji i kësaj mundësie duhet pasur shumë kujdes në caktimin e kësaj mase duke pasur parasysh se ende në Shqipëri nuk ekzistojnë institucione edukimi.

Karakteri human i legjislacionit tonë penal tregohet edhe në faktin se ai parashikon që të miturit pavarësisht veprës së kryer në asnjë rast nuk mund të dënohen me burgim të përjetshëm.

 

Të drejtat dhe detyrimet që lindin me lidhjen e martesës

Në suplementin e kaluar trajtuam shkurtimisht disa prej kushteve ligjore që duhen plotësuar për të hedhur hapin më të rëndësishëm të jetës së një individi. Duhet të kemi të qartë që me lidhjen e martesës, nuk lindin vetëm të drejta dhe detyrime morale, por edhe ligjore për vetë karakterin dhe rëndësinë që ajo paraqet. Rregulluesi i këtyre të drejtave dhe detyrimeve është Kodi ynë i Familjes si dhe ligje të tjera të posaçme, për aspekte konkrete të marrëdhënies martesore. Duhet theksuar që këto të drejta dhe detyrime rrjedhin automatikisht dhe prodhojnë pasoja juridike që nga momenti i lidhjes së martesës, në mënyrë të barabartë për bashkëshortët dhe në rrugë ligjore ato nuk mund të shmangen as duke lidhur një marrëveshje vullnetarisht mes tyre. Shkurtimisht, më poshtë do të gjeni disa prej të drejtave dhe detyrimeve të parashikuara në Kodin e Familjes. Me lidhjen e martesës bashkëshortët duhet të parashikojnë edhe mbiemrin që do të mbajnë, duke përzgjedhur si mbiemër të përbashkët njërin prej mbiemrave të tyre ose secili prej bashkëshortëve mund të mbajë mbiemrin e vet, pa u kufizuar nga lidhja e martesës. Theksoj se rastet praktike ku persona të ndryshëm mbajnë dy mbiemra nuk sjellin pasoja juridike, përveçse ngatërresa në individualizimin e personave. Bashkëshortët duhet të përcaktojnë me marrëveshje mes tyre banesën e përbashkët, por ata janë të lirë të vendosin edhe një banesë jo të tillë, për shkaqe të arsyeshme. Kjo e fundit nuk duhet të cenojë kontaktin e tyre fizik dhe intelektual, në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pa shkak të arsyeshëm, bashkëshorti i interesuar mund t’i drejtohet gjykatës, por kurrsesi për të detyruar forcërisht bashkëshortin për t’u kthyer në banesën e përbashkët. Ligji parashikon disa sanksione të tjera të arsyeshme për këtë rast; bashkëshortit, që është larguar, i ndërpritet mbështetja morale dhe materiale, por nuk ndodh e kundërta, ai vazhdon të jetë i detyruar të përmbushë këtë detyrim. Kodi i Familjes i jep të drejtë bashkëshortit të interesuar të kërkojë zgjidhjen e martesës në rast mospërmbushjeje të përsëritur të detyrimeve bashkëshortore ose kur mungesa e jetesës së përbashkët ka vazhduar për të paktën 3 vjet. Detyrimi i jetesës së përbashkët nuk duhet ngatërruar me detyrimin për vendbanim të përbashkët. Jetesa e përbashkët është një detyrim i gjerë, i cili e përfshin banimin e përbashkët. Me jetesën e përbashkët nuk kuptojmë vetëm jetesën nën një çati, këtu përfshihet edhe ajo që quhet detyrim bashkëshortor. Edhe ata bashkëshortë që nuk ndajnë banesë të përbashkët mund të bëjnë jetesë të përbashkët. Ky term përbën vetë qëllimin e martesës dhe mosqenia e tij mund të çojë në pavlefshmëri të martesës. Me lidhjen e martesës lindin edhe detyrime të dyanshme për besnikëri bashkëshortore. Në këtë sferë përfshihet shmangia e marrëdhënieve afektive dhe seksuale me persona të tretë, duke mos cenuar besimin e ndërsjellë të bashkëshortëve si dhe duke respektuar parimin e monogamisë të sanksionuar në legjislacionin tonë. Ky detyrim mund të kërkohet vetëm ndaj bashkëshortit/es që nga momenti i lidhjes së martesës deri në zgjidhjen e saj. Mospërmbushja e këtij detyrimi i jep të drejtën bashkëshortit tjetër të kërkojë zgjidhjen e martesës, të shpallë bashkëshortin tjetër të padenjë për një trashëgimi të mundshme, të kërkojë shpërblim dëmi sipas ligjeve në fuqi etj. Detyrimi për ndihmë morale dhe materiale ka të bëjë me solidaritetin që duhet të tregojnë bashkëshortët përballë njëri-tjetrit dhe familjes. Nuk bëhet fjalë vetëm për kontribut material në para, por edhe në kujdes ndaj familjes, fëmijëve. Në këtë mënyrë aktiviteti shtëpiak do të konsiderohet si kontribut material në familje dhe përmbushja e këtij detyrimi. Mënyra si mund të realizohet zgjidhet vullnetarisht nga të dy bashkëshortët. E rëndësishme është që ata të kontribuojnë në drejtim të fëmijëve apo në rastet kur njëri prej bashkëshortëve nuk është në gjendje për t’u kujdesur për veten e tij apo është i papunë. Në bashkësinë e jetesës së përbashkët përfshihet edhe detyrimi për bashkëpunim në interes të familjes dhe bashkëjetesës. Kjo realizohet duke marrë pjesë në problemet ekonomike apo personale të anëtarëve të familjes, duke respektuar personalitetin e njëri-tjetrit, ndryshimet mes tyre apo edhe marrëdhëniet shoqërore të secilit.

Për një kategori të caktuar personash, p.sh. nëse njëri prej bashkëshortëve është nëpunës publik, për bashkëshortin tjetër lind detyrimi i deklarimit të pasurisë, jo vetëm asaj të përbashkët, por edhe personale.

Krahas detyrimeve të lindura nga martesa, bashkëshortët fitojnë edhe një sërë të drejtash. Nëse njëri prej bashkëshortëve është i mitur, mbas martese ai fiton zotësi të plotë për të vepruar, duke pasur të drejta e detyrime po aq sa bashkëshorti tjetër.

Nëse njëri prej bashkëshortëve është shtetas i huaj, atëherë ai me vullnet të plotë, mbas lidhjes së martesës, fiton shtetësinë e bashkëshortit tjetër, por kjo nuk ndodh automatikisht, madje as nuk detyrohet të heqë dorë nga shtetësia e tij/saj.

Bashkëshortët me marrëveshje mes tyre mund të vendosin për lindjen e një fëmije me metodat e riprodhimit të asistuar, vetëm në këtë mënyrë kjo procedurë do të jetë e vlefshme.

Lidhja e martesës sjell edhe të drejtën për të përfituar trashëgiminë ligjore të bashkëshortit të vdekur. Edhe në rast se nuk është parashikuar në radhët e trashëgimtarëve, bashkëshorti pasjetues konsiderohet si trashëgimtar i radhës së parë në pjesën qe ligji ka përcaktuar. Por në rast se bashkëshorti pasjetues shpallet i padenjë, ai nuk mund të përfitojë. Pas vdekjes së bashkëshortit, bashkëshorti pasjetues mund të përfitojë pension familjar (nëse bashkëshorti ka qenë i siguruar) ose pagesën për vdekje.

Këto janë të drejta dhe detyrime që lindin me lidhjen e martesës, por kjo nuk cenon në asnjë mënyrë të drejtat dhe detyrimet që i përkasin çdo individi dhe ushtrohen me vullnet të lirë prej tij/saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency