Florenc Drizari
Zyrtari i lartë i DASH: Në të vërtetë, ne e kemi një anë, ne jemi në anën e shqiptarëve
Drejtori për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, i bëri thirrje klasës politike në Shqipëri që të gjejnë konsensusin për çështjet e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Zyrtari i lartë amerikan tha se nuk mbështet asnjë krah politik në veçanti dhe se SHBA kërkon të shohë një konsensus si ai që solli Shqipërinë në NATO.
“Shqipëria ka një shoqëri dinamike dhe ju keni më shumë dinamizëm mes partive politike sesa keni nevojë. Edhe media është dinamike gjithashtu. Keni partinë e Kryeministrit Edi Rama, partinë e kryebashkiakut Basha, partinë e Kryetarit të Kuvendit Meta, partinë e ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu, dhe lind pyetja: Në cilën anë është SHBA? Përgjigjja diplomatike do të ishte: Ne nuk mbajmë asnjë anë. Por, në të vërtetë, ne e kemi një anë, ne jemi në anën e shqiptarëve. Ne duam të shohim konsensusin dhe dialogun që ju solli në NATO. 5 vjet më parë”, – vuri në dukje Moore.
Moore konsideroi se në momentin kur Kosova dhe Serbia, që ndajnë një të kaluar të vështirë, kanë nisur dialogun, përse politika shqiptare të mos bashkëpunojë.
“Kush do të mendonte vetëm pak vite më parë, se do të ishte e mundur për Beogradin dhe Prishtinën të dialogonin. Nëse ky lloj progresi do të ishte i mundur mes Kosovës dhe Serbisë, ky lloj progresi mund të jetë i mundshëm edhe brenda Shqipërisë gjithashtu”, – theksoi zyrtari i lartë amerikan.
Gjithashtu Moore theksoi mbështetjen e SHBA-së për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke nënvizuar domosdoshmërinë e përmirësimit të jetës së shqiptarëve.
“Ne dëshirojmë të jemi partnerë me Bashkimin Evropian, sepse BE ka një rol mjaft të rëndësishëm dhe përpiqet për të mirën e vendeve dhe kjo është mjaft e mirë për të gjithë. Këtu mund të përmendim edhe rastin e Kosovës me Serbinë, ku Bashkimi Evropian po përpiqet për normalizimin marrëdhënieve. Dëshira jonë për Shqipërinë është qe të ecë përpara dhe ne e mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Shqipëria duhet të plotësojë të gjitha rekomandimet, të punoni dhe të flisni së bashku për të marrë statusin e vendit kandidat, pasi dialogu është shumë i rëndësishëm. Shqipëria duhet të sjellë përmirësime për të mirën e të gjithë popullit shqiptar. Jemi optimistë se e ardhmja do të jetë e mirë. Ju po kontribuoni për të sjellë më të mirën e vendit tuaj”, – u shpreh Morre.
Debatin politik ai e konsideroi pjesë të demokracisë dhe për këtë morri si shembull edhe përballjet mes demokratëve dhe republikanëve në Shtetet e Bashkuara.
“Unë vij nga Shtetet e Bashkuara dhe mund t’ju them se demokratët dhe republikanët tanë nuk bien dakord mbi shumë gjëra dhe ne e respektojmë këtë, por për objektivat kryesore të Shteteve të Bashkuara të gjithë janë bashkë. Kështu, ne shpresojmë që përpjekjet dhe qëllimet e përbashkëta mund të arrihen, ku të gjitha forcat politike në Shqipëri, të ecin përpara drejt Bashkimit Evropian”, – deklaroi Drejtori për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, gjatë takimit të djeshëm në konferencën e parë ndërkombëtare të “Albanian Policy Center – Bashkëpunimi trans-atlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkan”.
Majko: Anëtarësimi në NATO s’ka ndryshuar papërgjegjshmërinë politike
Ish-kryeministri socialist Pandeli Majko tha se anëtarësimi në NATO nuk e ka ndryshuar papërgjegjshmërinë politike dhe se ky është problemi i vonesave tona historike, duke nënkuptuar edhe çështjen e refuzimit të statusit të vendit kandidat për në BE. Në fjalën e tij gjatë takimit të djeshëm me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Majko tha se kjo ishte përpjekje serioze që përbën suksesin më të madh në historinë paskomuniste. “NATO përbën suksesin më të madh të Shqipërisë pas periudhës postkomuniste. Anëtarësimi në NATO i dha vendit status të ri, ngriti rrugën për shkëputjen nga tranzicioni”, – u shpreh Majko. Sipas tij, ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë dhe ndërmjetësimi që po bën në Maqedoni po i ndihmon shqiptarët të projektojnë identitetin e tyre në Evropë, ndërsa shtoi se anëtarësimi në këtë aleancë nuk ka ndryshuar papërgjegjshmërinë e politikës shqiptare. “Marrëdhënia politike është çështje e sigurisë kombëtare e ka bazën tek mungesa e shtetit ligjor, politikanët shqiptarë nuk janë naivë, mund të akuzohen për mungesën e skrupujve, për interesa të tyre. Qëllimet politike nuk njohin kufizime”.Sipas Majkos, rajoni i Ballkanit mbetet ende një shkollë e vështirë për diplomacinë dhe demokracinë evropiane.
PS kërkon shkarkimin e kreut të KLSH-së, Leskaj: Nuk kam shfaqur tendenca politike
Kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, raportoi dje para Komisionit të Ligjeve lidhur me projektligjin e ri për Kontrollin e Lartë të Shtetit, që pritet të votohet në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë raportimit të tij, u fol edhe për ndryshimin e nenit 20 të këtij projektligji, që ka të bëjë në zgjedhjen dhe rizgjedhjen e kreut të KLSH-së. Deputeti i Partisë Socialiste hodhi propozimin për ndryshimin e këtij neni në mënyrë që çdo mazhorancë të ketë kryetarin e saj në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Në nenin 20 thuhet: kryetari i KLSH zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozimin e Presidentit me një mandat 7-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Mos duhet të ishte e drejtë që pas çdo mazhorance kryetari i KLSH-së të ishte i mazhorancës pas çdo zgjedhjeje? Unë mendoj se duhet vënë në ligj një gjë e tillë dhe Presidenti t’i japë të drejtë mazhorancës të ketë kryetarin e saj të KLSH”, – deklaroi Fino.
Në përgjigjen e tij, kreu i këtij institucioni, Bujar Leskaj, tha se gjatë punës së tij nuk ka shfaqur tendenca politike.
“Në nëntor të 2012-ës si kryetar i KLSH-së unë kam depozituar në Kuvend të gjithë projektligjin e ri, të cilin e risolla në nëntor të vitit 2013. Nuk është serioze se përse ky ligj nuk është futur në axhendën e Kuvendit. Pyetja e dytë, tashmë nuk operohet me drejtues të kapicës dhe shumicës, këtë nuk e rekomandon edhe Kushtetuta. Kjo do të ishte një kthim mbrapa. Në këto vite nuk kam shfaqur tendenca politike të njërit apo tjetrit krah”, – deklaroi Leskaj.
Gjatë raportimit të tij, Leskaj theksoi mosndryshimin e disa neneve që prekin kompetencat e këtij institucioni, duke thënë se këto kërkesa vijnë edhe nga përfaqësues të Bashkimit Evropian.