Atentat mafioz/ Vritet Gjin Nika, i dyshuar si vrasës me pagesë

0
364

Anxhela Tato

 

Breshëri kallashnikovi të sapoçliruarit nga Gjykata, i telefonuan që të shkonte në Rinas

 Viktima, i dyshuar si vrasës i Hasan Tales dhe Shefqet Shehut, i përfshirë në konflikte të armatosura për kromin

 

gjin nikaAtentat mafioz në Tapizë, mbetet i vrarë Gjin Nika, i liruar para 15 ditësh nga Gjykata e Apelit. Një ndër të dyshuarit kryesor si autori i vrasjes së biznesmenit Hasan Talja dhe Shefqet Shehu është ekzekutuar me breshëri automatiku rrugës për në Rinas. Fatkeqësisht, viktimë nga ky atentat ka mbetur edhe shtetasi Ersild Xhunga, i njohur ndryshme me pseudonimin Fabio Xhunga. Gjin Nikës iu fal liria nga Gjykata e Apelit, e cila ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Detyrim paraqitjeje”. Mësohet se Nika ka marrë një telefonatë nga një person, i cili i ka kërkuar që të shkonte në Rinas. Dyshohet se ky person, ende anonim, ka qenë në dijeni të çdo lëvizjeje të Nikës, duke bashkëpunuar me autorin e krimit. Nika është një personazh i skeduar për policinë, i dënuar më parë nga Gjykata e Dibrës me 1 vit burg për akuzën e plagosjes së lehtë dhe armëmbajtjes pa leje. Nika dyshohet si një person i implikuar në rekrutimin dhe ndihmën e dërgimit të “ushtarëve” shqiptarë në Siri dhe i njohur si një frekuentues i rregullt i xhamisë. Por sikur të mos mjaftonin vetëm këto akuza, Nika cilësohet si një nga zaptuesit e galerive të kromit në Bulqizës, i përfshirë në luftën mes bandave për këtë mineral kaq të çmuar.

 

Krimi

Ngjarja ndodhi në Urën e Tapizës, rreth mesnate, dhe bashkë me Nikën u vra edhe 28-vjeçari Fabio Xhunga nga Kamza, që ndodhej në të njëjtin motor me të. Dy personave u është zënë pritë duke qëlluar me armë zjarrit tip automatik në drejtim të tyre dhe duke i lënë të vdekur në vend. Disa orë pas ngjarjes, policia e Tiranës ka shoqëruar 37-vjeçarin Gentian Kaçaj, si të dyshuar për ngjarjen. 37-vjeçari është plagosur në afërsi të Zogut të Zi një vit më parë dhe hakmarrja për këtë ngjarje, për të cilën ishte i dyshuar Gjin Nika, dyshohet të jetë motive i ekzekutimit të Nikës. Ngjarja ishte pa autor deri para arrestimit të Nikës në 20 janar nga Komisariati Numër 4. Pasi kishte mësuar për arrestin, Gentian Kaçaj, denoncoi se ishte pikërisht Gjin Nika që e kishte plagosur, por edhe kjo akuzë për të nuk e ka bindur prokurorinë. Ndaj tij Gjykata e Shkallës së parë të rrethit gjyqësor Tiranë kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, por më pas Gjykata e Apelit e ka ndryshuar këtë masë, duke e lënë të lirë Gjin Nikën. Në fakt, në një prononcim pas ngjarjes së mesnatës, nëndrejtori i Policisë së Durrësit, Jaeld Çela, tha se janë shoqëruar në total 21 persona dhe se ngjarja ka lidhje me të shkuarën e Nikës.

 

Hetimet

Policia ka kërkuar zbardhjen e tabulateve telefonike për të zbuluar identitetin e personit misterioz, i cili telefoni natën e ngjarjes Gjin Nikën, duke i kërkuar që të shkonte në Rinas. Dyshohet se ky person mund të jetë bashkëpunëtor i vrasësve. Ndërsa pistat e hetimit janë përqendruar tek konfliktet e armatosura për shkak të kromit, por edhe tek hakmarrja për vrasjen e Tales dhe Shehut, duke mos lënë mënjanë as hasmëritë për ngjarje të tjera kriminale ku ka qenë i përfshirë emri i Nikës. Burimet thanë se Nika dyshohet të ketë qenë objekti i atentatit, dhe se ngjarja ka për motiv hakmarrjen. Të njëjtat burime e lidhin ngjarjen me një hakmarrje të mundshme për plagosjen e Shkëlqim Shehut dhe vrasjen më pas të vëllait të këtij Shefqet Shehu, ngjarje në cilën u plagos vëllai i tretë Vehadi. Drejtoria e Përgjithshme të Policisë, duket se i kanë zgjeruar hetimet për Nikën pas vrasjes. Sipas burimeve pranë drejtorisë, Nika dyshohet edhe për kryerjen e vrasjeve me pagesë në të paktën 8 raste, në Tiranë, Mat dhe në rrethe të tjera. Të njëjtat burime shtuan se Nika ka qenë në vëzhgim edhe për lidhje të mundshme me grupet që kryenin rekrutimin e besimtarëve myslimanë nga Shqipëria për të luftuar në Siri.

 

Prokuroria/ Dyshimet, viktima Gjin Nika, vrasës me pagesë në 8 raste

Viktima Gjin Nika që dyshohet si ekzekutori i të fortit të Bulqizës, Qerim Marku, dhe Hasan Tales në Tiranë, mendohet se vrasjet i ka kryer me pagesë. Policia dhe Prokuroria e Tiranës ngrenë dyshime të forta se Nika ka qenë pjesëmarrës në dy vrasjet e sipërcituara dhe se implikimi i tij dyshohet të ketë ndodhur dhe në ngjarje të tjera kriminale. Si një person që është aktiv në tregtinë e kromit në Bulqizë, si dhe individ problematik dhe me precedent penalë, Nika ishte njeriu kryesor i dyshuar në vrasjen e Hasan Tales. Dyshimet policore flasin se autori dhe viktima njiheshin me njëri-tjetrin pasi rezultojnë kushërinj dhe se kohët e fundit biznesmeni Talja ishte konfliktuar me Nikën dhe persona të tjerë në Bulqizë, ku si çdo herë shkak i sherrit ka qenë nxjerrja e mineralit të kromit në galeritë e minierës së Bulqizës. Dyshimet e grupit të hetimit flasin se Gjin Nika është paguar nga persona të tretë, me qëllim eliminimin fizik të biznesmenit Hasan Talja. Ndërkohë, veç këtyre dyshimeve, Gjin Nika, sipas policisë së Tiranës, rezulton person me precedentë penale dhe se është dënuar disa herë nga gjykatat shqiptare për “Armëmbajtje pa lejë”, “Plagosje së lehtë me dashje” dhe “Falsifikim dokumentesh”. I dyshuari si vrasës me pagesë, është dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë me 3 muaj burg, për shkak se ka falsifikuar dokumentet e një automjeti tip “BMW”. Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Nika ka falsifikuar një dokument që bënte fjalë për hyrjen e automjetit në pikën doganore të Hanit të Hotit. Mjeti ka hyrë nga Mali i Zi, ndërkohë që nga hetimi i Prokurorisë rezultoi se dokumentet ishin falsifikuar. Për këtë ngjarje Gjykata e dënoi Nikën me 3 muaj burgim. Nika dyshohet si person i përfshirë në 8 krime me pagesë.

 

Ministria e Brendshme / “Shkak dyshohet të jenë konfliktet e hershme”

 Ministria e Brendshme ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e Gjin Nikës dhe Fabio Xhungës në vendin e quajtur Ura e Tapizës. “Në datë 3.4.2014 rreth orës 23:40, në vendin e quajtur Ura e Tapizës, segmenti rrugor Fushë-Krujë – Tiranë, teksa udhëtonin me një motoçikletë tip “Yamaha” me targa AA441, janë vrarë me armë zjarri: Gjin Nika, 35 vjeç, banues në Bulqizë, i dënuar në vitin 2010 me 1 vit burgim për veprat penale “Mbajtje pa leje të municioneve luftarake” dhe “Plagosje të lehtë me dashje”, i dënuar me 2 muaj burgim për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, si dhe i proceduar penalisht për vrasjen e mbetur në tentativë të datës 8 prill 2013 në Tiranë të shtetasit G. K. Fabio Xhunga, 33 vjeç, banues në Kamëz të Tiranës, i proceduar penalisht më parë për “Organizim të lotarive të palejuara”. Nga tërësia e të dhënave të deritanishme hetimore të grumbulluara dyshimet kryesore lidhur me motivet dhe autorët e kësaj ngjarjeje bien mbi konfliktet që shtetasi Gjin Nika kishte pasur më parë për shkak të precedentëve të tij kriminalë”.

 

Policia/ “Gjin Nika dyshohej si vrasës dhe organizator i nisjes së grupeve për Siri”

Viktima dyshohej si vrasës me pagesë dhe i dërgimit të grupeve të shqiptarëve në Siri. Burime konfidenciale nga policia pohojnë se Nika dyshohej si vrasës me pagesë që vepronte në Vlorë, Fier, Pogradec, Krujë, Shijak dhe Tiranë. Po kështu dyshime ka se ai kishte lidhje dhe për nisjen e grupeve me shqiptarë në drejtim të Sirisë.