Sonja Caka
Apeli vendosi: Italia, 5 ditë kohë për të sjellë dokumentet për ekstradimin e Arben Isufajt. Gjykata: Ndryshohet masa me “30 ditë burg”, afati fillon nga momenti i arrestimit
Mbërrin në kohë rekord nga Italia kërkesa për ekstradimin e Arben Isufaj, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”.Pas afatit 5-ditor të lënë nga Gjykata e Apelit në vendimin e saj, drejtësia italiane ka vepruar menjëherë, pasi iu la vetëm pesë ditë kohë për t’u sjellë autoriteteve shqiptare të drejtësisë dokumentet për ekstradimin e Arben Isufajt. Nëse dokumentet për ekstradimin drejt Italisë nuk do të vinin deri në datën 9 prill 2014, Arben Isufaj do të lirohej. Ky ka qenë vendimi që është marrë dje nga treshja gjykues në Apel, Edmond Gogo, Gramoz Levanaj dhe relatore Fatmira Hajdari. Në vendimin e Gjykatës së Apelit në Tiranës thuhet shprehimisht: “Miratohet vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, me ndryshimin që Arben Isufaj të rrijë në burg 30 ditë”. Meqenëse Ben Qimja është arrestuar në datën 9 mars, atëherë në orën 24:00 të datës 9 prill 2014, sipas vendimit të djeshëm të gjykatës ai dilte i lirë. Por, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se po dje pasdite kanë mbërritur dokumentet për Isufaj, si dhe kërkesa për ekstradimin e tij drejt Italisë.
Vendimi
Në vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit thuhet se “Gjykata e Apelit vendosi: Miratimin e vendimit numër 548, të datës 11 mars 2014, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me ndryshimin që masa shtrënguese e përkohshme ndaj të ndaluarit Arben Isufaj, në bazë të nenit 494/6 të Kodit Penal të jetë 30 ditë që fillon nga data e arrestimit të tij, 9 mars 2014 ora 22:30 minuta. Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë. Trupi gjykues: Kryesuese Fatmira Hajdari, anëtarë, Edmond Gogo, Gramoz Levanaj”. Ky vendim erdhi pas debatit të ashpër të dy ditëve më parë mes prokurorit dhe avokatit Ardian Visha. Avokati Visha ka kërkuar që klienti i tij, Isufaj, të lirohet menjëherë, pasi, sipas tij, procedurat e ndjekura nga policia për ta arrestuar janë të paligjshme. Ndërkohë, një tjetër kërkesë e avokatit mbrojtës është edhe që çështja të transferohet në Gjykatën e Fierit, pasi arrestimi i tij është bërë në Fier dhe është e pakuptimtë që kërkesa për ekstradim të shqyrtohet në Tiranë.
Arrestimi
Arben Isufaj është arrestuar më 9 mars nga Drejtoria e Forcave Speciale për llogari të drejtësisë italiane, pas një mandat arresti të lëshuar nga shteti fqinj, ku akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe për pjesëmarrje në organizata kriminale. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë ditën e arrestimit se ndaj Arben Isufajt, 45 vjeç, është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga drejtësia italiane. Ndaj këtij shtetasi nga Interpol Roma është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, ka vendosur masën e “Arrestit me burg” për Arben Isufajn në qershor të vitit 2010, ndërsa nuk ka asnjë informacion përse nuk është ekzekutuar më parë arresti për këtë person. Sipas policisë, Isufaj gjithashtu ka qenë nën akuzë nga Prokuroria e Fierit edhe për 3 vrasje, ndërsa gjykata e ka liruar për mungesë provash.
Tiranë/Prokuroria paraqet provat për Mziun, avokatët kërkojnë pafajësi
Gjyqi ndaj kryebashkiakut të Kamzës ka vijuar dje normalisht, ku Prokuroria ka paraqitur provat e saj dhe mbrojtja po ashtu dhe Gjykata i ka marrë në administrim të gjitha. Prokurorja paraqiti emrat e 15 dëshmitarëve të akuzës, që sipas saj, do të provojnë se Mziu dhe dy të pandehurit e tjerë kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“. Ndërkohë, një nga kërkesat e Xhelal Mziut është rrëzuar nga Gjykata, kur ky i fundit kërkoi caktimin e një eksperteje kontabël për verifikimin e procedurave fiskale të ndjekura nga drejtuesit e Bashkisë Kamëz. Pas këtij momenti, avokati mbrojtës i drejtorit juridik të Bashkisë së Kamzës, Atli Hoti, kërkoi ndryshim të masës së sigurisë, kërkesë kjo që u pranua nga trupa gjyqësore, e cila vendosi ndryshimin e saj, nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim paraqitjeje”. Më 11 prill, seanca do të vijojë me pyetjen e 6 dëshmitarëve të parë të akuzës. Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, dhe dy zyrtarët e Bashkisë, Bujar Loshi dhe Alti Hoti, akuzohen për shpërdorim detyre dhe abuzim me tenderat, duke shkelur përkatësisht nenin 41 të Kodit Penal. Kreu i Bashkisë së Kamzës dhe dy zyrtarët e tjerë të pushtetit lokal akuzohen për abuzime me tenderin e rrugës Laknas – Valias.
SHBA/ Naço takon krerë të DEA-s, diskutohet për operacione të përbashkëta
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, ka vijuar takimet me krerë të lartë të strukturave ligjzbatuese në SHBA. Kështu, takimi i radhës ka qenë me përfaqësues të lartë të DEA-s (Administrata e Zbatimit Ligjor mbi Substancat Narkotike), mes të cilëve z. James Soiles. Kreu i drejtësisë shqiptare ka kërkuar ndihmën e DEA-s për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta operacionale, ndërsa e ka vlerësuar me mjaft rëndësi asistencën edhe me trajnime të specializuara. Misioni i Administratës së Zbatimi Ligjor mbi Substancat Narkotike (DEA), lidhet me zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve të SHBA-së mbi substancat e kontrolluara, dhe sjelljen në sistemin e drejtësisë penale dhe civile të SHBA-së ose të ndonjë juridiksioni tjetër kompetent, të organizatave të përfshira në kultivimin, prodhimin ose shpërndarjen e substancave të kontrolluara që shfaqen ose synohen për trafikim të paligjshëm në SHBA. DEA rekomandon dhe mbështetet programet parandaluese që synojnë uljen e pranisë së substancave të paligjshme në tregjet ndërkombëtare dhe të brendshme.