Nga Telnis Skuqi
Bashkëshortja: Ishte i shqetësuar për vendin e punës, nuk e kam menduar kurrë se do të vetëflijohej
Drejtori i shkollës: Erdhi në zyrën time i lyer me benzinë, kërcënonte se do t’i vinte flakën vetes
Gjirokastër – I kërcënuan vendin e punës dhe për këtë arsye mësuesi ka tentuar të vetëdigjet me benzinë në zyrën e drejtorit të Shkollës Industriale në qytetin e Gjirokastrës. “Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit, ku mësuesi Laze Harshova, 60 vjeç, vendosi t’i jepte fund jetës së tij”, – thuhet në komunikatën e policisë. I njëjti burim tha se stafi pedagogjik ka ndërhyrë menjëherë, duke arritur të shuajë flakët. “Ata i kanë dhënë ndihmën e parë kolegut të lënduar, duke e transportuar në spitalin rajonal”, – thekson policia, ndërsa shton se mësuesi ka pësuar djegie në fytyrë të shkallës së dytë. Policia tha se tashmë ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet që detyruan mësuesin e shkollës profesionale të ndërmerrte këtë akt të rëndë.
Bashkëshortja
“Nuk e kam menduar kurrë që im shoq do të ndërmerrte këtë akt vetëflijimi”, – thotë Mimoza Harshova, bashkëshortja e mësuesit që tentoi të vetëdigjej. Në rrëfimin e saj, Mimoza, e papunë, tregon se prej disa ditësh, bashkëshorti i saj kishte shfaqur shqetësime për vendin e punës. Ajo thotë se dy ditë më parë, drejtori i shkollës industriale e kishte paralajmëruar për shkurtim të vendit të punës për shkak të numrit të ulët të nxënësve. “Një lajm i tillë nuk u prit mirë nga Lazi. Vetëm me atë rrogë jetojmë”, – thotë Mimoza, e cila shtoi se e “ka zemrën e thyer”, duke fshirë lotët. Më tej, Mimoza thotë se lajmin e mësoi nga media, por nuk e besoi derisa e konfirmoi në spitalin e Gjirokastrës. “Fatmirësisht i mbijetoi aktit. Mjekët më thanë se ka djegie të shkallës së parë në fytyrë dhe do të transportohet në Tiranë për një mjekim të specializuar”, – thotë Mimoza dhe sakaq largohet me ambulancë për të udhëtuar drejt kryeqytetit së bashku më bashkëshortin.
Drejtori i shkollës
Thoma Voda, drejtori i Shkollës Industriale, njëherazi dëshmitari i vetëm okular, e vlerëson aktin e kolegut të tij të dhimbshëm. “Lazja ishte shumë i shqetësuar qysh në orët e para të mëngjesit. Ai erdhi në zyrë i lyer me benzinë dhe kërcënonte se do të vetëflijohej, për shkak të shkurtimit të vendit të punës”, – tregon Voda, ndërsa nënvizon se asnjëherë vendi i tij i punës nuk është cenuar. Më tej, Voda tregon luftën që bënë kolegët e Lazes për ta shpëtuar jetën e tij. “Nuk u besoja syve kur ndezi shkrepësen dhe brenda një sekonde fytyra e tij u përfshi nga flakët e zjarrit. Një situatë të tillë kurrë nuk e kam ndeshur gjatë jetës sime”, – thotë Voda. Ai rrëfen se është dashur ndërhyrja e një tjetër kolegu për të marrë në kontroll situatën. “Unë hidhja ujë dhe zjarri ndizej më shumë. Kam bërtitur aq shumë sa kam alarmuar kolegët e tjerë, të cilët u vunë në lëvizje”, – flet Voda. I gjetur përpara një situate të tillë, Voda ka telefonuar urgjencën dhe policinë, të cilat nuk vonuan. “Ndiej dhimbje për këtë ngjarje të rëndë. Shqiptarët po përjetojnë një depresion social dhe kjo është e patolerueshme për shoqërinë”, – përfundon Voda rrëfimin e tij.