Bardheblutë kanë arritur të fitojnë ndaj një rivali historik, duke marrë një fitore në Korçë pas shumë vitesh
Nga ana tjetër, kanë bërë detyrën Flamurtari dhe Kukësi, që kanë arritur të sigurojnë tri pikë ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë
Është mbyllur dje edhe pjesa më e madhe e ndeshjeve të javës së 27-të të Superligës Shqiptare. Duele mjaft të forta mes skuadrave që gjithmonë dhurojnë spektakël sa herë përballen midis tyre. Me duelin Laç-Kukësi nisi java futbollisitike. Lojë e fortë, përballje nervash, objektiva të kundërt dhe në fund të 90 minutave rikonfirmohet Kukësi në vendin e dytë, ndërsa vijon “rënia e lirë” e kurbinasve. Dyshja Cikalleshi-Boja janë “prijësit” e skuadrës verilindore, që ka mundur Teutën me rezultatin 3-0 dhe e sheh veten në kuotën e 46 pikëve, ndërsa beratasi Polizoi Arbri i ka bërë gjëmën Laçit në fushën e tij, teksa ka ardhur nga stoli i rezervave dhe përmes një kundërsulmi vdekjeprurës i ka dhënë 3 pikë të arta mbijetese skuadrës së tij në fund të ndeshjes. Ndërkohë, Laçi regjistron tashmë tri humbje radhazi, të mjaftueshme për të thënë se kemi të bëjmë me një krizë të vërtetë rezultatesh Disfata e bardhezinjve, e fiksuar në fund të 90-minutëshit tejet luftarak, të luajtur në Laç, i zhbilancon edhe më të besuarit e Nicës në raport me zonën evropiane, ndërsa trepikëshi u bën shumë punë bregdetarëve të Jonit në misionin e tyre jetik, për mbijetesë. Flamurtari ka këmbyer vendet me Vllazninë, duke pasur tri pikë më shumë se kuqeblutë, derisa këta të fundit të luajnë një ditë më pas në “Roza Haxhiu” transfertën e radhës. Nëse dalin me sukses nga përplasja me lagunarët, atëherë Vllaznia dhe Flamurtari barazohen me pikë dhe ndajnë vendin e shtatë dhe të tetë.
Skënderbeu-Tirana
Sfida midis korçarëve dhe tiranasve ishte edhe ndeshja më e veçantë, pasi të dyja ekipet janë në një luftë prej disa vitesh me njëra-tjetrën. Nga njëra anë është legjenda e madhe bardheblu, ndërsa në anën tjetër qëndrojnë korçarët, që bëjnë ligjin për momentin në kampionatin shqiptar. Sfida midis së vjetrës dhe të resë është gjithmonë një përballje që dhuron emocione të veçanta. Kësaj radhe kanë qenë 24 herë kampionët ata që kanë vulosur me tre gola portën e Orges Shehit dhe kanë marrë një triumf historik. Midis shumë kontestimesh dhe problemesh nga tifozeritë e ekipeve, ndeshja ka dhuruar spektaklin e duhur. Do të ishte Kahata që do të shënonte i pari për miqtë duke ekzaltuar tifozët kryeqytetas. Ndërsa pak më vonë për të dhënë shuplakën e dytë do të sigurohej Morina që do e çonte skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes në avantazh. Menjëherë në fillimin e pjesës së dytë do të vinte edhe kryengritja e korçarëve do të ishte kroati Pejiç ai që do të shënonte 10 minuta nga fillimi i pjesës duke dhënë shpresën se korçarët nuk do të dorëzoheshin. Mirëpo blerja e re e skuadrës së Tiranës, Ndikumana, do të shënonte edhe golin që do të jepte goditjen përfundimtare për korçarët. Pesë minuta më vonë rrëqeth përsëri portën bardheblu Pejiç, por kjo nuk ka mjaftuar për tifozët korçar që filluan të tregonin shenja pakënaqësie në shkallët e stadiumit. Sulmuesi kroat me dy golat e shënuar e çon veten në krye të golashënuesve të ligës duke lënë mbrapa Cikalleshin. Kështu ndeshja nuk do të lëvizte më dhe minutat e tjera të lojës do të shtyheshin midis tymuesve dhe fishekzjarrëve. Kështu me këtë fitore ekipi i Manganit siguron një trepikësh të rëndësishëm që i jep shpresa për të shkëputur nga zona e rrezikut.
Klasifikimi
1 Skënderbeu Korçë 27 54
2 Kukësi 27 46
3 Partizani Tirana 27 44
4 Laçi 27 40
5 Teuta Durrës 27 39
6 Flamurtari Vlorë 27 35
7 Besa Kavajë 27 34
8 Tirana 27 34
9 Vllaznia Shkodër 26 32
10 Kastrioti Krujë 26 26
11 Lushnja 26 26
12 Bylisi Ballsh 26 24
Zubizareta ka kërkuar dorëheqjen, Bartolomeu ka refuzuar
Pas vendimin të FIFA-s për të bllokuar merkaton e Barcelonës, mësohet se drejtori sportiv Andoni Zubizareta ka paraqitur dorëheqjen e tij në zyrën e presidentit Josep Maria Bartomeu. Por, ka qenë ky i fundit që e ka refuzuar, duke e cilësuar si një lëvizje të gabuar dhe emocionale për momentin. Kanë qenë mediat spanjolle ato që kanë zbuluar këtë bisedë mes tyre, duke iu referuar burimeve pranë klubit katalanas. Presidenti i Barçës nuk ka dashur të destabilizojë më tepër situatën brenda ekipit, i cili po kalon një moment të vështirë prej sulmeve të njëpasnjëshme. Gjithsesi, Zubizareta është kritikuar shumë sezonin e fundit, duke e cilësuar paaftësi të tij që nuk arriti të afrojë një mbrojtës qendre cilësor gjatë merkatos së verës dhe janarit, edhe pse dihej që Pyjol nuk ishte në formë të mirë fizike. Për më tepër, ai është gjithashtu përgjegjës që nuk arriti të bindë Viktor Valdesin për të rinovuar kontratën. Nëse klubit nuk i hiqet pezullimi për merkaton, qendra e mbrojtjes dhe portieri do jenë dy nga repartet më shqetësuese për Martinon në edicionin e ardhshëm, pasi alternativat janë të pakta dhe nuk japin shumë garanci.
Kombëtarja e femrave humb ndaj Belgjikës
Pas humbjes së thellë me shifrat 7-1 nga Portugalia, kombëtarja e femrave të Shqipërisë pësoi një tjetër disfatë të rëndë. Vajzat e drejtuara nga trajneri Altin Raklli u mposhtën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit me rezultatin 6-0 nga Belgjika duke pësuar kështu humbjen e pestë pas 6 takimeve në grupin e 5-të eliminator. Vajzat belge imponuan lojën e tyre që në fillim të takimit duke treguar që janë kandidate serioze për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në Kanada në vitin 2015. Pas vetëm 11-minutash lojë, skuadra e drejtuar nga trajnerja Ives Serneels kaloi në avantazh me Van De Putte. Megjithatë minutat e mbetura të pjesës së parë nuk sollën më asnjë ndryshim duke lënë gjithçka për pjesën e dytë. Në këtë fraksion loje Belgjika shënoi plotë 5 gola të tjerë në portën e kombëtares tonë. Fillimisht ishte Wulleart në të 53-ën që dyfishoi, goli i saj u pasua nga ai i Mermans në të 65-tën. Por belget nuk u mjaftuan me kaq dhe skena ishte e gjitha për kapitenen Aline Zeler që me tre golat e saj në 15 minutat e fundit të takimit i dha një tjetër goditje të rëndë kombëtares sonë duke regjistruar shifrat përfundimtare 6-0 në favor të Belgjikës.
Barcelona në ndjekje të Atletikos
Barcelona ka shënuar fitore me rezultat 3-1 në shtëpi ndaj Betisit për të vazhduar gjuetinë për Atletiko Madridin në luftën për titull. Në minutën e 15-të shënoi Lionel Mesi nga pika e bardhë, penaltia e gjashtë për të këtë sezon duke u barazuar me Ronaldon. Në pjesën e dytë Betisi bëri presion por çdo gjë ishte e kotë pasi në minutën e 67-të shënoi në portën e tij Figueras duke e çuar 2-0 për Barcelonën. Kastro për Betisin realizoi në minutën e 69 duke e çuar ndeshjen 2-1 për të kthyer shpresat te vendasit. Sidoqoftë, nga penalltia Lionel Mesi do të shënonte përsëri në minutën e 86-të, nga penalltia por portieri ia ndali. Nga topi i kthyer argjentinasi realizoi për 3-1 dhe rezultatin përfundimtar të këtij takimi. Barcelona ka 78 pikë në vendin e dytë në La Liga, një pikë më pak se Atletiko Madridi në vendin e parë me gjashtë ndeshje pa përfunduar sezoni.
Junajtid fiton dhe kërcënon Bajernin
Mançester Junajtid ka fituar thellësisht me rezultat 4-0 në udhëtim ndaj Njukastëll Junajtidit, për të paralajmëruar kështu Bajernin e Mynihut para sfidës çerekfinale. Djajtë në këtë takim u paraqitën me formacion dytësor, ku Januzaj luajti nga minuta e 18-të pas largimit të Ashli Jongut. Shkëlqeu Huan Mata, i cili shënoi në minutën e 39-të për 1-0. Në pjesën e dytë spanjolli vazhdoi me lojën e mirë, duke realizuar në minutën e 50-të për 2-0. Më pas do të vinte në minutën e 64-të ishte Çikarito ai që iu kthye golave, për të konfirmuar fitoren e thellë në transfertë. Në fund të takimit shënoi edhe Januzaj duke shtuar galerinë e golave. Me këtë fitore Junajtid ka 57 pikë në vendin e gjashtë, shtatë pikë më pak se Arsenali në vendin e katërt.