Gjermanët do të presin në fushën e tyre galaktikët e Realit të Madridit për të bërë surprizën apo për t’iu nënshtruar spanjollëve të Ançelotit
Parisienët shkojnë në sfidën kundër bluve të Murinjos për të marrë kualifikim, por në Londër nuk do të jetë e lehtë
Sonte nisin sfidat e dyta të fazës së çerekfinaleeve të kompeticionit më të rëndësishëm evropian, Liga e Kampioneve. Tashmë kompeticioni është në një fazë tepër vendimtare, pasi përballë njëri-tjetrit vendosen më të fortit. Sot në Gjermani Dortmundi do të presë galaktikët e Realit të Madridit, ndërsa në Londër PSG është në sprovë përballë strategut Murinjo, që synon përmybsjen.
Borusia Dortmund-Real Madrid
Në ndeshjen e parë ishte skuadra e Ançelotit ajo që fitoi takimin me rezultatin 3-0, ndërsa në Paris skuadra e Blankut bëri surprizën, duke mbizotëruar lojën dhe fitoi me rezultatin 3-1. Për ekipin e Klëpit duket e vështirë që të bëjë ndonjë surprizë, pasi verdhezinjtë nuk kanë lojtarët e vjetshëm në dispozicion. Rikthehet Levandovski në skuadër, por nuk do të jetë e lehtë që të shënojë, pasi as galaktikët nuk do të qëndrojnë në mbrojtje. I të njëjtit mendim është edhe uellsiani Gareth Bejl, që nuk e mendon të lehtë sfidën. Sipas tij, “Los Blancos” do të zbresin në fushë vetëm për fitore edhe në “Signal Iduna Park”. “Zhvilluam një ndeshje të madhe në fushën tonë, luajtëm mirë dhe e merituam fitoren, por në Dortmund do të jetë një tjetër sfidë. Ata do të luftojnë me të gjitha mundësitë e tyre, prandaj nuk do të jetë një takim i lehtë për ne. Pavarësisht nga rezultati i ndeshjes së parë, ne jemi Reali i Madridit dhe do të përpiqemi të fitojmë edhe në “Signal Iduna Park””. Për sa u përket mundësive të Realit për të fituar kompeticionin më madhor për klube, Bejl deklaroi. “Ne duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të mos mendojmë shumë se çfarë do të ndodhë më pas. Është e rëndësishme të ecim hap pas hapi dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi në të kundërt gjërat mund të shkojnë keq për ne”.
Çelsi-PSG
Me më shumë emocione pritet sfida midis Çelsit dhe PSG-së. Kjo, pasi të dyja skuadrat kanë rivalitet mjaft të fortë dhe nuk kanë shumë diferenca. Rezultati i Parisit edhe mund të rikthehet në “Stamford Bridge”, kur mendon se përballë është Hazard me shokë dhe një trajner si Murinjo, risia që pritet të përforcojë blutë është Eto. Sulmuesi kamerunas është stërvitur veçmas nga skuadra dhe shpreson të luajë kundër skuadrës së Blankut. Ish-lojtari i Barcelonës nuk është paraqitur në tri takimet e fundit të “bluve” si pasojë e lëndimit, ndërsa ai është stërvitur nga ndihmëstrajneri Rui Faria. Ndërkohë, Andre Shurrle, i cili pati probleme ndaj Stok Sitiit, është kthyer në stërvitje dhe pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Kështu, pritet që të dyja ndeshjet të përcjellin shumë emocione. Me një Dortmund që me rikthim e Levandovskit do të tentojë të prekë zemrat e madrilenëve, ndërsa në Londër me dy skuadra që do të vihen përballë për të vërtetuar se kush është triumfuesi.
Beshiktashi, ofertë për Valdet Ramën
Klubi turk raportohet se është duke shfaqur interesim serioz për anësorin e kombëtares shqiptare. Sipas mediave turke dhe atyre gjermane, klubi turk tashmë e ka shprehur interesimin te klubi spanjoll që ka në pronë shqiptare, Real Valadolid. Mustafa Karan, një ndërmjetës në mes të Beshiktasit dhe Valadolidit, ka konfirmuar për “Gazetefutbol.de” interesimin e klubit turk për lojtarin. Sipas turqve, lojtari shihet si një përforcim i frytshëm, pasi ai mund të luajë në të dy krahët e sulmit, të majtin dhe të djathtin. Rama, i cili vlerësohet me rreth një milion euro, ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm, 2015. Kjo do të thotë se edhe klubi do të ishte më i gatshëm ta shiste, në vend që të rrezikojë ta humbë atë sezonin e ardhshëm me parametra zero.
Agim Cana: Loriku nuk lëviz nga Lacioja
Ka disa javë që përflitet për Lorik Canën largimi nga klubi lacial. Mirëpo ka ardhur edhe reagimi i babait dhe agjentit të tij, Agim Cana, i cili për faqen e specializuar për merkaton “calciomercato.it” ka sqaruar pozicionin për të ardhmen e djalit të tij. Nëpërmjet një deklarate, Agim Cana ka bërë të ditur se asgjë nuk është e vërtetë dhe gjithçka që thuhet janë vetëm fjalë. Babai i Lorikut ka theksuar se është ai vetë që i merr vendimet për të ardhmen e djalit të tij dhe kapiteni i kombëtares shqiptare ndihet 3000 mijë për qind lojtar i skuadrës bardhekaltër, kështu që lojtari nuk ka ndërmend të largohet nga “Olimpico”. Cana ishte bashkë me Etrit Berishën një ndër titullarët në ndeshjen ndaj Sampdorias.
50 milionë lekë për Flamurtarin, nëse eliminon Skënderbeun
50 milionë lekë të vjetra kanë vënë në dispozicion donatorët vlonjatë për skuadrën, nëse këta të fundit arrijnë të eliminojnë Skënderbeun dhe të kualifikohen në finalen e Kupës së Shqipërisë. Edhe pse fillimisht u fol për një shumë prej 30 milionë lekësh të vjetra, donatorët e kanë rritur akoma më shumë vlerën e premios për të motivuar në maksimum stafin teknik dhe futbollistët në prag të ndeshjes që do të zhvillohet në Korçë këtë të mërkurë. Nëse Flamurtari jo vetëm eliminon Skënderbeun, por fiton edhe trofeun, shpërblimi i donatorëve do të mbërrijë deri në 100 milionë lekë të vjetra. Një shumë e konsiderueshme kur bëhet fjalë për futbollin shqiptar. Tashmë duket se do të kemi një Flamurtar më të uritur për të marrë suksesin.
Kielini: E gjithë Italia lufton Juven
Xhorxho Kielini mendon se të gjithë në Itali e kanë inatin me Juventusin. Kampionët janë pesë pikë në krye të tabelës së Serisë A dhe janë në rrugë për të ngritur titullin e tretë radhazi. Kishte dy festa, kur Napoli, i treti në tabelë, i dha fund serisë së Juventusit prej 22 ndeshje si i pamposhtur, pasi fitoi me rezultat 2-0 në fundjavën e kaluar. Por Kielini thotë se kjo eufori tregon se ata janë duke luftuar kundër të gjitha skuadrave të tjera italiane. “Nuk mendoj se ishte e tepruar, ishte thjesht një festim i thjeshtë për ata që duan të fitojnë dhe të mos përfundojnë të dytët. Ka qenë Juventusi përballë të gjithë pjesës së mbetur të Italisë që nga fillimi i sezonit. Kur Juventusi pëson, çdokush feston, pasi ata shpresojnë se gara për titull do të jetë e hapur sërish. Sa më shumë fitoni, më pak njerëz ju duan. Sigurisht, shpresoj se vitin tjetër ata të na pëlqejnë ne edhe më pak”, – është shprehur mbrojtësi italian.