Shoqata e Bizneseve të Huaja: Qeveria të mbajë premtimet

0
197

Ervin Kaduku

 

 

Rama me investitoretInvestitorët e huaj në Shqipëri i kërkojnë qeverisë të mbajë premtimet e dhëna biznesit. Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, FIAA, ka vendosur t’i rikujtojë ekzekutivit shqiptar 10 premtimet që ka marrë prej tij. Taksat që shpesh janë bërë burim “pakënaqësish” për investitorët e huaj dhe vendas zënë një vend të rëndësishëm në kërkesat që ata i përsërisin ekzekutivit.

Një nga shqetësimet kryesore të investitorëve të huaj është sistemi aktual i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. FIAA pret që qeveria ta modernizojë këtë sistem dhe të realizojë sa më shpejt rimbursimin e TVSH-së. Në këtë drejtim, tashmë është aprovuar nga ekzekutivi skema e re e rimbursimit, që do të jetë automatik dhe do të realizohet brenda 60 ditëve.

Çmime referencë në dogana janë gjithashtu një problematikë e pandalur e biznesit me qeverinë, në kushtet kur sipërmarrësit kërkojnë, që si në çdo vend tjetër, të botës të operojnë përmes faturave të shitjes apo blerjes dhe jo përmes çmimeve referencë.

“I kujtojmë qeverisë që duhet të mbajë premtimin për të hequr sistemin e çmimeve referencë në dogana dhe në tatime”, – citohet në letrën e botuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri.

Për të bërë plane të duhura dhe të suksesshme, sipërmarrësit e kanë të domosdoshme të kenë programe afatmesme nga qeveria në lidhje me sistemin tatimor që të aplikojë dhe ta zbatojë në vend. Shpeshherë, nga investitorët e huaj, kjo është cilësuar si një nga pengesat më të mëdha për të nisur investimet këtu, në kushtet kur nuk mund të bëjnë plane disavjeçare për biznesin.

Përcaktimi i një plani afatmesëm për taksat është dhe një nga premtimet që qeveria “Rama” u ka dhënë sipërmarrësve të huaj dhe ata po “ia kujtojnë” që ta mbajë.

Energjetika, e cila konsiderohet një nga sektorët më potencialë të vendit ka tërhequr edhe shumë investime të huaja. Interesi për këtë industri është në rritje dhe prandaj FIAA kërkon që edhe në këtë drejtim, qeveria të përmbushë premtimin për të liberalizuar dhe për të hapur tregun e energjisë në vend.

 

LISTA E PREMTIMEVE

-evropianizimi i sistemit të TVSH-së dhe rimbursim i shpejtë i saj

-liberalizimi dhe hapja e tregut të energjisë në vend

-heqja e sistemit të çmimeve referencë në dogana dhe tatime

-përcaktimi dhe detajimi i një plani afatmesëm për taksat dhe tatimet në vend. Kjo të përfshihet në paketën fiskale 2014

-t’u jepet fund subvencioneve të padrejta dhe të garantohet disiplina e pagesave nga shërbimet publike

-fokusim në stabilitetin fiskal dhe ruajtje e balancës makroekonomike

-aplikimi i praktikave të mira qeverisëse dhe standardeve europiane në administratë

-vendosja e një niveli të ri transparence me publikime online dhe progres në koncesione

-të vendoset një fokus i madh në nxitjen e konkurrencës dhe të investimeve

-krijimi i një njësie të re, Këshilli i Investimeve dhe Konkurrueshmërisë për investitorët

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency