Çelo Hoxha
Më 11 mars 2014, policia shqiptare arrestoi shtatë qytetarë të dyshuar, sipas deklaratës së saj, për “rekrutim të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”, për “nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe “nxitje të urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”. Pesë persona të tjerë u shpallën në kërkim, ngaqë, gjithnjë sipas policisë, “ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në Siri e Turqi”. Duke e lënë mënjanë terminologjinë juridike, këta persona janë arrestuar, sipas të njëjtës deklaratë të policisë: “të dyshuar si të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri”.
Siria prej dy vjetësh është kthyer në një shesh lufte, një konflikt mes qeverisë dhe forcave antiqeveritare, në të cilin janë përfshirë dhe luftëtarë nga vende të tjera. Sipas një artikulli të britanikes Daily Mail, 16 shkurt 2014, mendohet që në Siri kanë shkuar rreth 2000 luftëtarë evropianë, prej të cilëve 200 britanikë të identifikuar nga shërbimi sekret. Edhe BBC konfirmon pak a shumë të njëjtat shifra, në një artikull (në faqen e internetit), të datës 15 tetor 2013. Në raportin vjetor të Komisionit parlamentar britanik për Sigurinë, i cituar nga BBC, shqetësimi ishte për vitet e ardhshme, sepse luftëtarët në Siri mund të kryejnë, kur të kthehen në vendin e tyre, vepra radikale në Britani, por, sipas kryetarit të komisionit, Malcolm Rifkind, “jo të gjithë ata që do të kthehen do të radikalizohen”. Britanikët nuk duket se nguten për t’i arrestuar ata, vetëm për faktin se shkojnë të luftojnë në Siri. Shqipëria dallohet për t’i imituar politikat e vendeve perëndimore deri në nivele vulgare, por jo edhe në rastin e menaxhimit të luftëtarëve që shkojnë në Siri apo të atyre që i dërgojnë atje. E shkuara totalitare duket se ka ndikuar dukshëm në trajtimin në mënyrë të pavarur të çështjes.
Aksionet parandaluese, siç ishin arrestimet e marsit, janë një veprimtari me rrënjët në totalitarizëm. Shqipëria ka 45 vjet histori dhe një mal me dënime parandaluese që e dëshmon këtë. Një nga akuzat e përdorura më shpesh në dënimet politike gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri (për shkak të detyrës, si historian kam parë me mijëra të tilla), ka qenë kjo: “Arrestim për tradhti ndaj atdheut, në formën e arratisjes, e mbetur në tentativë”. Me fjalë të tjera, kjo thuhet kështu: arrestim për diçka që personi i arrestuar nuk e ka kryer.
Qëllimi kryesor i aksioneve parandaluese në përgjithësi është përfitimi politik. Diktatura e përdorte këtë formë, pavarësisht se e kishte futur në kornizë ligjore, për terror. Përkufizimi i terrorit, në të vërtetë, duke iu referuar dhjetëra burimeve shkencore, përputhet me përmbajtjen e aksioneve parandaluese: përdorim i dhunës për të arritur një synim politik.
Aksionet parandaluese mund të përdoren shumë rrallë, por nga institucione me besueshmëri të lartë dhe kjo është shumë e rëndësishme, këto institucione të jenë të kontrolluara rreptësisht. Në aksione parandaluese, mënyra e organizmit dhe koha e zgjedhur për goditjen mbeten çështje të diskutueshme edhe në vende me institucione të konsoliduara, jo më në Shqipëri, ku besueshmëria, me të drejtë, është shumë e ulët. Prokuroria, gjykatat dhe policia shqiptare kanë vrarë shqiptarë të pafajshëm (gjatë gjysmë shekulli diktaturë) më shumë se çdo pushtues dhe një ditë të bukur, pas rënies së komunizmit, rezultoi se të gjithë të vrarët apo të burgosurit, kishin qenë të pafajshëm. Më shumë, ndëshkimet parandaluese panikun e një qeverie apo klike sunduese, sesa dimensionet reale të një krimi.
Regjimet totalitare, të cilat e mbajnë pushtetin përmes dhunës, jetojnë në gjendje terrori të përhershëm. Frika është e dyanshme: qytetarët kanë frikë regjimin e tyre, regjimi ka frikë qytetarët që sundon. Regjimi jeton i terrorizuar nga dyshimet se qytetarët mund të revoltohen, mund të arratisen, mund të përdorin metoda të ndryshme për ta shkatërruar, dhe për këto arsye, ai organizon herë pas here fushata ndëshkimi, të cilat shoqërohen me një fushatë të gjerë propagandistike. Qëllimi i këtyre fushatave: t’u kujtojë qytetarëve se cili është fundi i tyre nëse ata guxojnë, qoftë edhe të mendojnë, kundër regjimit.
Në kohën e teknologjisë, kur mundësia e përgjimit është lehtësuar dhe masivizuar, viktimë e metodave totalitare kanë rënë edhe vendet demokratike. Në dhjetëvjeçarin e fundit janë me dhjetëra aksionet “parandaluese” të terrorizmit ndërkombëtar. Sa krime janë parandaluar, sa jetë njerëzish janë shpëtuar nga këto aksione, nuk do të merret vesh kurrë, sepse s’kemi asnjë mundësi reale – përveç hamendjes – të numërojmë njerëzit që nuk u vranë kurrë.
Në thelb, goditjet parandaluese të institucioneve të dhunës – polici, ushtri etj. – janë ndëshkime kundër mendimit, sepse, realisht, nuk ka veprim. Në romanin “1984”, një konstruksion imagjinar i totalitarizmit, Xhorxh Oruelli e emërton policinë: policia e mendimit. Sepse, ajo pikërisht me këtë merrej, me parandalimin e mendimeve kritike ndaj Vëllait të Madh (Big Brother).
Në 11 mars, policia prezantoi si rrezik për shoqërinë ca njerëz që më shumë dukeshin si gjynahqarë. Ata mund të kenë çuar njerëz në Siri, por nuk ka ndonjë dyshim që ata janë çuar me dhunë. Veç kësaj, ata që shkojnë në Siri rrezikojnë jetën e tyre, por nuk përbëjnë ndonjë rrezik për sigurinë e Shqipërisë. Modeli britanik i sjelljes ndaj atyre që kthehen nga Siria – mbajtja nën vëzhgim – është një model që shqiptarët mund ta ndiqnin. Nga ana tjetër, në një vend si Shqipëria, kur shumica e popullsisë është myslimane, krijimi i frymës sikur këtu ka terrorizëm me bazë fetare është shumë i dëmshëm për sigurinë e vendit dhe imazhin e tij. Në deklaratën e policisë thuhet se dy imamët e arrestuar nuk janë të njohur nga Komuniteti Mysliman, por në media ata u përcollën si islamikë. Kjo pikë kërkon sqarime, sepse jo çdo person që e shpall veten si imam duhet trajtuar si i tillë. Nëse ata nuk i njeh Komuniteti si imamë, atëherë ata nuk janë të tillë. Nëse personat e arrestuar konsiderohen si myslimanë se shkojnë në xhami, atëherë myslimanë që shkojnë në xhami ka edhe në radhët e policisë, të prokurorisë etj. dhe titujt e gazetave mund të jenë që policia myslimane arreston kaq e aq myslimanë të papunë, pa profesion ose me këtë profesion. Edhe në radhët e gazetarëve ka besimtarë myslimanë e kështu ndoshta duhet shkruar që artikullin e ka bërë një mysliman, një katolik, një ortodoks apo një ateist, nëse qenka e nevojshme të specifikohet përkatësia fetare.
Megjithatë, shqetësim për sigurinë e shqiptarëve, më shumë se çfarë ndodh në një vend mijëra kilometra larg, mbetet krimi ordiner i brendshëm. Në gjashtë muaj ka pasur 32 atentate dhe shkatërrime prone me tritol, për zbulimin e autorëve të të cilave policia ka bërë shumë pak, për të mos thënë asgjë (s’duhet harruar se sasinë më të madhe të tritolit [rreth gjysmë ton] kundër pronës së ligjshme e ka përdorur qeveria në prishjen e disa pallateve dhe këto akte tritolizimi nuk janë përfshirë në 32 rastet e përmendura).
Një aksion i bujshëm, siç ishte ai i 11 marsit, mund të jetë fare mirë një tentativë e policisë për të tërhequr vëmendjen nga krimet në vend. Nga ana tjetër, kjo i shkon përshtat edhe SHISH-it, sepse tregon që ai është në punë, ndërkohë që institucioni ka nevojë për një lajm pozitiv, pas kritikave që i ka lëshuar qeveria dhe vetë ministri i Brendshëm muajt e fundit. Prokuroria po ashtu ka nevojë për ndonjë lajm të mirë, ngaqë nuk besoj se gjen në Shqipëri ndonjë qytetar të thotë për të ndonjë fjalë pozitive. Por, ia vlen të kujtohet, që ndërmarrja e aksioneve të caktuara për të tërhequr vëmendjen e publikut nga problemet reale të shoqërisë është gjithashtu sjellje e huazuar nga totalitarizmi. Gjatë katër dekadave e gjysmë diktaturë, sa herë që vendi zhytej në krizë, aq herë zbulohej ndonjë “grup armiqësor”.
Një element tjetër që duhet marrë në konsideratë, kur bie fjala për dërgimin e luftëtarëve në vendet e tjera, është precedenti historik. Kjo që po ndodh sot me Sirinë, ka ndodhur në mesin e viteve ‘30 me Spanjën, dhjetëra shqiptarë shkuan në Spanjë. Disa u vranë, të tjerët u kthyen dhe regjimi komunist, një pjesë prej tyre i trajtoi si heronj. Sot ka ende shkolla, biblioteka publike apo institucione të tjera që mbajnë emrat e Asim Vokshit, i vrarë në Spanjë, Petro Markos etj. Ata që shkojnë sot në Siri apo dërgojnë njerëz aty, nuk mund të ndëshkohen, kur të tjerë, të cilët kanë bërë të njëjtën gjë, shoqëria shqiptare i mban ende si figura të shquara të historisë së saj. Heronjtë ekzistojnë të prezantojnë modelin e tyre për brezat, një pjesë prej të cilëve edhe mund ta imitojnë shembullin e tyre.
Me një sfond historik të tillë, aksionet për parandalimin e shqiptarëve që shkojnë në vend të huaj duken veç një sajesë propagandistike pa substancë.
Revista “Shenja”, prill 2014