Murinjo: I kam thënë Abramoviçit të blejë Barin
Duket se fati i ekipit të Barit mund të marrë një kthesë të madhe. Ai që interesohet për klubin e Serisë B është vetë “Special One”. Në “Youtube” po bën xhiron e botës një intervistë e trajnerit të Çelsit, Hoze Murinjo, i cili flet për dashurinë e tij për klubin puljez. “Përherë ka qenë ëndërr për mua të trajnoj Barin. Në vitin 2000 kisha një akord me Matarrezen për një kontratë dyvjeçare. Më pas mësova nga gazetat se kishin marrë Shianimanikon”, – shprehet portugezi. Më pas Murinjo shton: “I kam thënë Abramoviçit që ta blejë, të shohim…”
Serse Kozmi grabitet nga 5 shqiptarë
Serse Kozmi, trajneri aktual i Peskarës në Serinë B, ka dëshmuar në Gjykatën e Peruxhas në kuadër të gjyqit kundër 5 shqiptarëve të akuzuar se i kanë grabitur banesën natën e 19 janarit 2011. “Më përplasën në tokë. Unë po ndihesha keq dhe më dhanë një gotë ujë”, – kujtoi Kozmi, citon “Corriere dello Sport”. Tekniku shtoi: “U thashë që do t’u jepja gjithçka, me kusht që të mos lëndonin vajzën dhe bashkëshorten time. Morën para, bizhuteri dhe disa orë. Më goditën me pëllëmbë disa herë, por jo në mënyrë të dhunshme. Ishin goditje për të krijuar një klimë terrori dhe frike. Na detyruan të futeshim poshtë çarçafëve dhe ndërkohë që njëri prej tyre na kishte drejtuar pistoletën, të tjerët kontrollonin vilën”.
Alegri, larg Milanit me Glorian
Ish-trajneri i Milanit, Masimilano Alegri, është i papunë prej muajsh. Por, me sa duket, ai ka me çfarë të merret. I fotografuar në shoqërinë e Gloria Patricit, modeles 28-vjeçare, e cila është e dashura e ish-trajnerit kuqezi, Alegri tregon se po kalon një periudhë relaksi dhe krejt larg presionit apo streseve që përjetoi pa fund në stolin e Milanit. 47-vjeçari duket se e ka harruar periudhën e hidhur në postin që mbante dhe largimin nga Milani duke u relaksuar me bukuroshen.
Partnerja e Mesit mohon lajmin: Nuk jam shtatzënë
Eliminimi i Barcelonës mbrëmjen e së mërkurës nga Atletiko e Madridit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve nuk e ka trazuar lumturinë në familjen e yllit argjentinas të Barcelonës, Lionel Mesi. Partnerja e sulmuesit të katalanasve, Antonela Rokuzo, ka lajmëruar në “Twitter” se çifti po pret fëmijën e dytë. Sipas këtyre raportimeve, Tiago, i cili lindi në 2 nëntor 2012, do të bëhet me vëlla ose motër në muajt e ardhshëm. Mirëpo, gjithçka duket se ka qenë një thashethem, pasi nuk ka qenë e vërtetë. Ka qenë vetë e dashura e argjentinasit ajo që ka mohuar lajmin e para pak orëve nëpërmjet profilit të saj në “Instagram”. Gjithë kjo zhurmë erdhi pasi një llogari false me emrin e saj në “Twitter” njoftoi pak orë më parë se çifti ishte duke pritur fëmijën e tyre të dytë. “Tërësisht false, nuk kam as “Twitter” e as “Facebook” dhe nuk jam shtatzënë”, – shkruan Rokuzo.