Info/kult

0
207

Andrea Llukani 

 

 

Koncert virtuoz i “Dzambo Agusev Orkestra”

 

DzamboPrej datave 4-9 prill 2014, u zhvillua “Java Rome” në Muzeun Historik Kombëtar. Gjatë këtyre ditëve u çel ekspozita e artistit Sead Kazanxhiu, u shfaqën filma dokumentarë mbi kulturën rome, u hap ekspozita me foto nga jeta e komunitetit rom “Na njihni…”, e piktorit Fatmir Boshnjaku etj. Pika kulmore e aktiviteteve, kushtuar komunitetit rom, ishte më datën 8 prill, ora 19:30, me koncertin e formacionit orkestral “Dzambo Agusev Orkestra”. Në koncert qenë ftuar përfaqësitë diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë, përfaqësues të organizatave joqeveritare, që merren me integrimin e komunitetit rom etj. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe u ideua në sajë të vizionit, që kanë drejtuesit e ri të këtij institucioni, për të përmbushur një nga prioritetet e qeverisë, në lidhje me integrimin e kësaj shtrese të popullsisë. Ishte i pranishëm edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, i cili foli për shanset e barabarta dhe të drejtat, që duhet të ketë komuniteti rom në shoqërinë e civilizuar shqiptare. Në vijim, formacioni orkestral “Dzambo Agusev Orkestra”, i ardhur nga komuniteti rom i Maqedonisë, interpretoi muzikë të zgjedhur rome. Gjatë koncertit prof. Ramazan Bogdani u emocionua aq shumë, saqë u shprehu urimet e sinqerta muzikantëve, të cilët qenë të përkryer në interpretimin e pjesëve muzikore, me tematikë nga jeta e komunitetit rom.

Cilët janë romët e Shqipërisë? Romët kanë ardhur në fillim të shekullit VII, nga shkretëtirat e Gandit të Indisë. Ata ruajnë me fanatizëm bashkësinë fisnore, janë shtegtarë, merren me tregti dhe kanë një shpirt të mbushur me muzikalitet. Romët janë fise nomade, të cilët flasin gjuhën e tyre, jetojnë nëpër çadra dhe udhëtojnë me karvanë kuajsh. Gjithashtu ata merren me prodhime artizanale, të cilat i tregtojnë vetë. Vendbanimet kryesore të tyre janë në Korçë, Elbasan, Vlorë, Tiranë, Fier, Delvinë etj. Organizimi i komunitetit të tyre bëhet në bazë të bashkësisë fisnore. Çdo bashkësi rome ka kryetarin e saj, i cili është njeri prej më të moshuarve të fisit. Gjithashtu rreth vitit 1993 romët kanë krijuar disa shoqata, me anën e të cilave mbrojnë interesat e komunitetit rom në Shqipëri. Drejtuesit kryesorë të romëve të Shqipërisë janë: Gurali Mejdani, i cili është zgjedhur anëtar i Parlamentit Rom në Vjenë, Skënder Veliu që kryeson shoqatën “Amaro Drom” dhe Meleqe Rrënja, kryetare e Shoqatës së Grave Rome. Komuniteti rom në Shqipëri nuk ka unitet të brendshëm, pra i mungon lidershipi, i cili do të kërkojë integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare.

Sipas një raporti të UNICEF bëhet e ditur se në Evropën Lindore dhe Qendrore qarkullojnë rreth nëntë milionë romë, 80.000 prej të cilëve jetojnë në Shqipëri. Shumica e tyre jetojnë në varfëri të plotë. Nga një studim i bërë nga Banka Botërore dhe Qendra për Studime Ekonomike, rezulton se 28% e romëve nuk i plotësojnë nevojat për ushqim. Gjithashtu 65% e romëve banojnë nëpër kasolle dhe shtëpi jo të përshtatshme për banim. Romët kanë prirje të martohen në moshë të re dhe lindin shumë fëmijë. Nga shkaku i mosushqyerjes dhe kushteve të këqija të jetesës, vdekshmëria foshnjore e romëve kap shifra të larta. Romët nuk i regjistrojnë fëmijët e tyre kur lindin, gjë që i përjashton ata nga shërbimet shëndetësore. Niveli i analfabetizmit për grupmoshën 7-20 vjeçare kap shifrat 65% për femrat dhe rreth 60% për meshkujt e këtij komuniteti.

Procesi i integrimit të romëve nuk mund të jetë i suksesshëm, nëse ata diskriminohen dhe trajtohet ndryshe nga anëtarët e tjerë të komunitetit. Dihet që popullsia rome është më e diskriminuara, është komuniteti që ka problemet më të shumta sociale, sepse kategoritë e kësaj shtrese janë më pak të punësuar, kanë nivel të ulët arsimor, familje të pastabilizuara me probleme strehimi etj. Shumë fëmijë nga komuniteti rom nuk shkojnë në shkollë, por punojnë në punë të ndryshme si hamej, lustraxhinj, larës të xhamave të makinave etj. Disa të tjerë lypin nëpër rrugë, duke u bërë pre e trafikimeve të ndryshme, prandaj duhet një strategji kombëtare me objektiva konkrete për zhvillimin, mbështetjen dhe integrimin e tyre në jetën shoqërore. Kjo strategji është një nga prioritetet e qeverisë. Në një shoqëri demokratike, ka rëndësi të madhe barazia dhe krijimi i shanseve të barabarta pakicave etnike, etnokulturore dhe gjuhësore, si edhe përfshirja e tyre në arsim, punësim, formim profesional, strehim, aktivitete kulturore etj.

 

“Allegretto Albania” e Stefan Çapalikut, premierë në Podgoricë

Me datë 15 prill 2014, ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Podgoricës në Malin e Zi, do të jepet premiera e dramës “Allegretto Albania” e Stefan Çapalikut, në gjuhën malazeze. Përkthimi i tekstit u realizua nga përkthyesi i njohur i shqipes në Malin e Zi, Agron Camaj.

Për realizimin e këtij produksioni teatror u angazhua trupa profesioniste e Teatrit Kombëtar Malazez e drejtuar nga Janko Ljumović. Janko Ljumović prej kohësh po tenton ta hapë teatrin që ai drejton drejt prirjeve më të reja të dramaturgjisë bashkëkohore.

Është hera e parë që një autor shqiptar bëhet pjesë e repertorit të këtij teatri, që shquhet për produksione dhe bashkëpunime të rëndësishme në rajon.

Regjisori i kësaj pjese do jetë Idriz Gjokaj, një i ri shqiptar nga Mali i Zi, të cilit i është dhënë mundësia të punojë dhe të promovohet në skenën e Teatrit Kombëtar të këtij vendi.

Në rolet kryesore luajnë Mirko Vlahović në rolin e babait, Gorana Maković në rolin e nënës, Slavko Kalezić në rolin e djalit të madh, Petar Burić në rolin e djalit të vogël, Dragan Račić në rolin e mësuesit, Jelena Minić në rolin e spikeres dhe Mišo Obradović në rolin e Satedinit.

Skenografia dhe kostumografia e shfaqjes është realizuar nga Ivana Murišić dhe Lina Leković, kurse elementet multimediale nga Anja Jovanović.

Ky është produksioni i pestë i dramës “Allegretto Albania” që nga viti 2006, kur edhe fitoi çmimin e parë në konkursin kombëtar të dramës organizuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Premiera botërore e “Allegretto Albania” u realizua në vitin 2007 nga Teatri i Kombësive të Shkupit me regjisor Alfred Trebickën, produksion ky që përfaqësoi këtë teatër në Festivalin Ndërkombëtar të Ohrit po atë vit.

Produksioni i dytë ishte ai i vitit 2009 i Teatrit Kombëtar të Tiranës me regjisor Altin Bashën.

Në qershor të vitit 2010, ky teatër me “Allegretto Albania” përfaqësoi për herë të parë Shqipërinë në Bienalen “New plays from Europe” në Visbaden e Majnc të Gjermanisë, ku dhe mori çmimin e parë nga Forumi Ndërkombëtar i Kritikës.

Produksioni i tretë i kësaj drame u realizua nga Teatri Odeon i Bukureshtit në vitin 2010, nën drejtimin e regjisorit Cristian Dumitru. Në Nëntor të vitit 2011 regjisori amerikan Joe Martin organizoi premierën e katërt të kësaj vepre në Ambassador Theater në Uashington DC.

Pjesa është gjithashtu e botuar përveçse në gjuhën shqipe edhe në frëngjisht, anglisht, rumanisht dhe serbisht.