Ekipi vlonjat ka arritur që të dalë fitues në duelin e dytë radhazi pas atij të kupës ndaj korçarve
Tre pikëshi i marrë nga ekipi i Gjokës hap rrugën për luftën në kampionat ku Kukësi është ndjekësi më i afërt
Janë zhvilluar dje disa nga ndeshjet e vlefshme për javën e 28-të të Superligës Shqiptare. Përballje me shumë emocione që kanë hapur disa skenarë interesantë për sa i përket luftës për titull. Kjo pasi duket se korçarët po përjetojnë nja nga momentet më të këqija në këto tre vitete fundit. Ekipi i ujqërve të dëborës tashmë ka vënë në rrezik titullin kampion pas humbjes që ka marrë dje. Goli i Ablilaliajt, shënuar në minutën e 60-të, ka larguar nga zona e ftohtë e renditjes skuadrën bregdetare të Gjokës, ndërsa i ka dhënë një “asist” në mënyrë indirekte finalistit tjetër të Kupës, Kukësit. Delirit të tifozërisë së shumtë vlonjate në këtë ballafaqim, me siguri që i është shtuar edhe lumturimi i tifozëve kuksianë, kudo që janë, sepse tashmë skuadrën e tyre të zemrës e ndajnë vetëm 5 pikë nga kreu. Pesë pikë në pesë javë të mbetura të kampionatit janë pak për t’u rikuperuar, nëse shohin trajektoren e të dyja skuadrave në ndeshjet e fundit. Kukësi nuk di të ndalet, kalon nga fitorja në fitore, ndërsa juglindorët e shohin veten tashmë në një krizë rezultatesh. Skënderbeu dha disa shenja kthese në lojën e zhvilluar, por nuk e tejkaloi dot ngërcin rezultativ. Kampionët nuk arritën ta thyejnë dot tabunë 38-vjecare të mungesës së fitores në Vlorë. Skuadra e Josës regjistron humbjen e tretë radhazi në kampionat, cka e ngushton ndjeshëm diferencën me ndjekësit më të afërt, kuksianët, në pesë pikë, aq sa me të drejtë verilindorët kanë shfaqur hapur “oreksin” për titullin. Të besuarit e Gjokës vërtet shënuan një gol, por dominuan lojën dhe morën maksimumin e mundshëm nga një “finale”, që ka vlera mbijetese për ta. Me 38 pikë, aq sa ka edhe Vllaznia, kuqezinjtë duken në rrugën e duhur të qëndrimit në Superiore.
Josa: Nuk jemi në krizë, Gjoka vlerëson forcën e skuadrës
Skënderbeu në krizë rezultatesh, por jo në krizë loje. Është ky mendimi i trajnerit të kampionëve Mirel Josa, që ndoshta nga sa mund të pritej u shpreh i kënaqur nga ajo çka paraqiti skuadra e tij në fushën e blertë pavarësisht rezultatit. “Mangësia jonë ishte këmbëngulja te porta dhe përqendrimi në ato momente që dolëm për të shënuar, edhe Flamurtari kishte një rast në pjesën e parë që mund të shënonte si pasojë e një gabimi tonin, por gjithçka ishte normale dhe kjo u pa nga zëvendësimet që unë nuk kreva pasi skuadra ishte në mirë. Nuk kam ç’të them, jam i kënaqur me atë që dha skuadra ime përveç përqendrimit apo këmbënguljes para portës.” “Nuk jemi nën presion. Sot skuadra s’kishte asnjë lloj presioni, luajti lirshëm dhe luajti shumë mirë ashtu siç i kisha kërkuar. Janë momente që duhet të na bëjnë më të vëmendshëm për sa i përket përqëndrimti, qoftë para portës dhe qoftë për pasin e fundit”. Për Ernest Gjokën është një sukses që paguan mundin e ditëve të vështira por dhe një fitore personale ndaj gjithë zërave që vetëm pak ditë më parë i kërkonin të largohej nga stoli i vlonjatëve. Gjithsesi tani e keqja më e madhe ka kaluar dhe Flamurtari mund të festojë. “Kampionati është i vështirë, ka akoma përgjegjësi brenda dhe mobilizim brenda. Tashmë jemi më të qetë. Filloi që në Laç kthesa e madhe sidomos morale për ekipin, në vazhdimësi po bëjmë mirë, brenda javës kemi marë dy fitore. Të mërkurën nuk festuam se menduam si do të mbijetojmë, por sot mund të festojmë se kemi vënë shkallët për t’u ngjitur në katet e larta.