Ervin Kaduku
Financat sjellin në Komisionin e Ekonomisë draftin, me vlerë 3.6 milionë euro, që përfshin gjoba të ashtuquajtura “politike” nga qeveria “Rama”, por duke shmangur një amnisti reale, për të cilën ka me të vërtetë nevojë ekonomia dhe biznesi shqiptar
Janë 4.069 gjoba, me vlerë mbi 500 milionë lekë, të vendosura nga administrata tatimore gjatë periudhës mars-qershor 2013 që do të falen nga qeveria “Rama”. Deklarata është bërë dje nga zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend, në kuadër të prezantimit të projektligjit të përgatitur nga qeveria.
Gjatë fjalës së tij përballë deputetëve, Mete tha se ky është një premtim elektoral i kësaj qeverie që do të mbahet. “Duhet t’i falim gjobat e asaj periudhe”, – deklaroi gjatë fjalës së tij zv.ministri Ervin Mete.
Ky projektligj u bë publik nga Kryeministri Edi Rama disa javë më parë gjatë një bashkëbisedimi me biznesin dhe u miratua në mbledhjen e qeverisë në fillim të këtij muaji.
Sipas ekspertëve, llogariten në mbi 4 mijë bizneset që do të përfitojnë nga falja e masave administrative të vendosura nga administrata tatimore. Projektligji është hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, është diskutuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe përfshin faljen e gjobave të vendosura gjatë periudhës para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Sipas qeverisë “Rama”, gjoba të tilla mund të jenë bërë edhe me qëllime politike, sidoqoftë për biznesin e rëndësishme është që sa të jetë e mundur më shumë të lehtësohet barra e taksave të tyre.
Nga e gjithë shuma e përllogaritur e gjobave, rreth 3.6 milionë euro tashmë janë paguar nga biznesi dhe do të rimbursohen me një udhëzim të ministrit të Financave, që duhet të dalë vetëm pasi drafti të miratohet si një akt ligjor në Kuvendin e Shqipërisë. Por ky projektligj është cilësuar si përzgjedhës nga opozita. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh dje në Komisionin kuvendor të Ekonomi-Financave se duhet zgjeruar kjo falje edhe në sektorë të tjerë dhe të mos përqendrohet në një periudhë të caktuar kohore, që ka të bëjë vetëm dhe thjesht me konsiderata politike.
Edhe gjatë këtyre muajve të funksionimit të qeverisë së re, marrëdhëniet midis biznesit dhe administratës tatimore në të vërtetë kanë qenë dhe vijojnë të jenë të acaruara. Në mjaft raste, biznesi, vendas por edhe i huaj, është ankuar publikisht për mënyrën arbitrare të sjelljes së administratës tatimore, kryesisht në kontrollet e shpeshta dhe gjobëvënie pa bazë ligjore, vetëm për të mbushur arkën e shtetit. Kjo, pasi një biznes i gjobitur duhet më parë që të paguajë detyrimin dhe vetëm më pas i lind e drejta për të nisur procedurën ankimore, fillimisht në Komisionin e Apelimit të vetë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe më pas, në rast se mbetet i pakënaqur nga vendimi i dytë, mund të ankimojë në Gjykatën Civile, deri para pak kohe, dhe tani, në Gjykatën Administrative, pas hyrjes në fuqi me shumë vonesë të këtij sektori shumë të rëndësishëm të administratës gjyqësore, në shërbim të biznesit. Krijimin e këtyre gjykatave e pengoi me çdo mjet ish-opozita socialiste, në tentativën për të krijuar një ngërç për bllokimin e marrjes së statusit kandidat për në BE nga ana e qeverisë “Berisha”.
Megjithatë, do të kishte qenë më me efektivitet një amnisti e vërtetë fiskale.