Florenc Drizari
“Mazhoranca kërcënon me afate”, Basha: Jo pseudo-reformë të njëanshme. Opozita është për konsensus
“Harta e re administrative krijon avantazhe politike lokaliste për zgjedhjet e ardhshme”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se krerët e mazhorancës me qëndrimet e fundit po kërcënojnë opozitën, duke i vendosur afate që ata dëshirojnë lidhur me miratimin e reformës administrativo-territoriale, ndërkohë që çështja qëndron diku tjetër, sipas tij, në faktin se shumica parlamentare kërkon një reformë të njëanshme për qëllimet elektorale që prekin zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor. Kryetari i Shoqatës së Bashkive, njëherësh edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, këto qëndrime i bëri gjatë pjesëmarrjes së tij në konventën e të zgjedhurve vendorë, aktivitet në të cilin merrnin pjesë kryetarë të këshillave të qarqeve, kryetarë të bashkive, komunave, deputetë të opozitës etj. Në fjalën e tij Basha solli në vëmendje refuzimin që sipas tij Kryeministri i bëri konsensusit, edhe pse për një kohë të gjatë kishte propaganduar se i kishte ofruar gjithçka që kishte kërkuar opozita.
Lulzim Basha
“Nuk e shohin si administrative-territoriale, por kryesisht dhe vetëm si territoriale, duke konsideruar përfitime të momentit që lidhen me gjendjen faktike të decentralizimit dhe autonomisë vendore sot, por duke injoruar pasojat e rënda në perspektivë të reduktimit të kësaj reforme, vetëm në një rivizatim të hartës apo një hartë të re territoriale për zgjedhje vendore dhe politike.
Kjo është një lëvizje që demaskon hipokrizinë dhe hilen e dyshes Rama-Meta, qëllimi i të cilëve është vetëm dhe vetëm një hartë e re administrative që kënaq orekset e tyre politike, lehtëson përdorimin në zgjedhjet e ardhshme vendore të skemave të njohura të joshjes e blerjes së votave që u përdorën në shkallë të gjerë në zgjedhjet e kaluara politike, krijon avantazhe politike lokaliste për zgjedhjet e ardhshme”, – deklaroi Basha. Përpos qëndrimit të opozitës më herët kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka deklaruar në seancën e fundit plenare se nëse opozita nuk bëhet pjesë e reformës administrive-territoriale, mazhoranca do të rishohë vendimin e marrë nga Kuvendi i Shqipërisë për ngritjen e komisionit të posaçëm.
Ndërkaq, duke folur për konceptin e opozitës për reformën administrativo-territoriale, Basha tha se reforma është unike dhe dy komponentët e saj janë të bashkërenditura, prin administrativja, territorialja e ndjek, prin fuqizimi i demokracisë vendore dhe autonomisë vendore, territorialja ndjek.
Sipas kreut të PD-së, edhe pse reforma administrative-territoriale nuk është pjesë e prioriteteve të marrjes së statusit të vendit kandidat dhe integrimit në Bashkimin Evropian, opozita ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë angazhimin e saj për realizimin e reformës bashkë me shumicën qeveritare.
“Kërkojmë dhe ngulmojmë sërish për konsensus në hartimin dhe votimin e saj, në respekt të traditës demokratike evropiane dhe shqiptare, në respekt të kushtetutës të vendit, në respekt të nevojës për një klimë politike bashkëpunuese, qytetare mes shumicës dhe opozitës, mes institucioneve politike dhe publikut të gjerë qytetar”, – tha Basha, dhe jo një reformë të njëanshme për qëllime politike.
Në tjetër pikë e rëndësishme, sipas Bashës, që lidhet me çështjet vendore është edhe shpërndarja e fondeve që është bërë nga qeveria, duke akuzuar Kryeministrin Rama se me ardhjen e tij në pushtet, po bën shpërndarjen e fondeve që mblidhen nga taksat e të gjithë shqiptarëve sipas preferencave partiake.
“Vendorët”, Basha: Ndarja e fondeve nga Rama, përtej aparteidit në Afrikën e Jugut
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se me shpërndarjen e fondeve ndaj pushtetit vendor, po sjell ndarje klasore. Sipas Bashës, Kryeministri i zgjedhur për të qeverisur vendin, ndan fondet e shqiptarëve në bazë të preferencave partiake. Kreu i PD-së përdori solli edhe një krahasim me aparteidin e dikurshëm në Afrikën e Jugut.
“Dua t’i them sot, ndërsa kemi edhe publik para nesh vendimin e destinimit të fondeve në raportet 92 me 8 në favor të njërës palë, pra kemi përpara në fakt hartën e tij të re të ndarjes dhe përçarjes së vendit sipas ngjyrave partiake, bardhezi: Nuk ke fituar kohë dhe nuk do të fitosh kurrë kohë për të propozuar apo të për imponuar vendit zgjidhje të stampës së vjetër, vetëm do të dështosh, vetëm do të humbësh, vetëm do të rrëzohesh, sa herë të mendosh dhe të tentosh zgjidhje të tilla siç ke dështuar dhe ke humbur sistematikisht këto 7 muaj ku ke pohuar t’u mbivendosësh etjen tendë për pushtet dhe sundim të stampës së vjetër ligjeve, zakoneve dhe standardeve të demokracisë evropiane”, – deklaroi Basha, gjatë konferencës së djeshme të mbajtur me vendorët.
“Reforma territoriale”, Meta: Koha po rrjedh me shpejtësi, opozita të bëjë zgjedhjen e saj
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njëkohësisht edhe kryetari i LSI-së, gjatë një deklarate të mbajtur një ditë më parë deklaroi se mazhoranca është e vendosur për ta miratuar reformën administrativo-territoriale brenda këtij sesioni parlamentar. Meta theksoi se koha që opozita të reflektojë është e kufizuar, ndërkohë që shumica parlamentare i ka numrat e nevojshëm të votave në Kuvend për ta miratuar reformën.
“I ftoj aktorët të punojnë në respektimin e rregullores dhe për një klimë sa më bashkëpunuese në Parlament. Sa i përket reformës administrative dhe territoriale, nuk është mazhoranca ajo që nuk pranon bashkëpunimin. Ajo i ka ofruar mundësi të barabarta opozitës, si në përbërje të komisionit dhe në kryesinë e komisionit, natyrisht që koha është duke rrjedhur me shpejtësi dhe ka disa afate kushtetuese në realizimin e kësaj reforme, dhe opozita duhet të merrte përgjegjësitë e saj. Në fund të fundit, është e drejtë e opozitës të bëjë zgjedhjen e saj, dëshira jonë është që të bashkëpunojnë në mënyrën më të hapur dhe të gjitha kushtet janë forta në këtë çështje”, – deklaroi Meta.
Më tej, kreu i LSI-së theksoi se opozita i ka ende mundësitë për t’u bërë pjesë e reformës dhe mazhoranca mbetet në pritje të konsensusit. “Mendoj se deklarata e Kryeministrit Rama për 84 vota nuk ka qenë dhe mbetet tregues i mazhorancës, por përkundrazi i tolerancës së mazhorancës sepse në të kaluarën asnjë mazhorancë nuk i ka pasur votat kaq të shumta për të bërë një reformë. Sot i ka dhe prej 3 muajsh ne mbetemi t’i japim opozitës mundësinë të kontribuojë në këtë reformë”.