Disiplina dënon Besën një ndeshje pa tifozë

0
180

Komisioni ka reaguar ndaj protestave të kavajasve në ndeshjen e luajtur në fundjavë

 Ndërkohë, me tri ndeshje është pezulluar edhe ndihmëstrajneri i Tiranës, Klodian Dervishi

 

Besa Komisioni i Disiplinës, në mbledhjen e tij të radhës, pavarësisht nga pritshmëritë, ka kaluar me masa të lehta shfaqjet problematike të fundjavës së fundit në futbollin tonë. Mirëpo, duke u krahasuar me sezonet e kaluara, duhet thënë që ky Komision po tregohet më i rreptë dhe më i vendosur për të dhënë dënimin e duhur. Në këtë mënyrë, klubi i futbollit Besa, për hedhjen e gurëve dhe sendeve të forta në fushën e lojës, por pa shkaktuar akte dhune, dënohet me luajtjen e ndeshjes së radhës në kampionat kundër Lushnjës, pa praninë e tifozëve. Kjo, pas ndeshjes që u luajt midis tyre dhe Laçit. Një sfidë shumë e përfolur që mori edhe kësaj radhe vëmendjen, por jo për mirë. Mirëpo, problemi më i madh i kësaj sfide nuk ishte vetëm tifozeria e Besës, por edhe arbitrimi. Historia përsëritet në Kavajë, duke na sjellë në vëmendje dhe gabimet trashanike të sfidës së fazës së dytë. Remzi Sadiku vendos të bëhet protagonist, në një 90-minutësh, ku të dyja skuadrat kishin objektiva për të arritur, me Besën që luan për mbijetesë dhe Laçin që kërkon Evropën. Gabimet e gjyqtarit kryesor kanë qenë të shumta, por ato që kanë peshuar më shumë janë tri pretendimet për 11-metërsha të verdhezinjve. U desh ndërhyrja e forcave speciale që gjyqtarët e takimit të mund të futeshin ne dhomat e zhveshjes. Sfida ofroi shumë pak cilësi në fushën e blertë, për shkak të një tensioni të panevojshëm që vinte nga situata e të dyja skuadrave në tabelën e renditjes, por prodhoi sharje pafund në shkallët e stadiumit, nga ku u dëgjuan kore ofenduese edhe ndaj presidentit Pashk Laska. Ndërkohë, anëtarët e Komisionit të Disiplinës janë treguar më të ashpër, me ofendimet e konstatuara gjatë takimit Tirana-Lushnja, duke dënuar me dy ndeshje pezullim Ergys Sorrën e Tironës dhe Erjon Sulen e Lushnjës. Gjithashtu, me një ndeshje është pezulluar portieri i dytë i bardhebluve Marsel Caka dhe mbrojtësi i Lushnjës Alban Byzhyti. Ndërsa masa më e rëndë është dhënë për ndihmëstrajnerët Klodian Dervishin e Tiranës dhe Dritan Cukon dhe Altin Hyskon e Lushnjës, të cilët janë të pezulluar për tri ndeshjet e radhës. Ndërkohë, kujtojmë që Tirana ishte dhe radhën e kaluar subjekt i Komisionit, për shkak të problemeve të tifozerisë që pati me Skënderbeun. Dënim që i detyroi bardheblutë që të luajnë një ndeshje pa tifozë çka nuk është pozitive për ekipin kryeqytetas që i nevojiten më shumë se kurrë pikë. Mes klubeve të Kategorisë Superiore, që ka qenë në axhendën e Komisionit të Disiplinës ishte edhe Flamurtari. Për dështim në përmbushjen e detyrimeve të një ndeshjeje, vlonjatët janë gjobitur me 50 mijë lekë të reja.

 

 Krujf: Barcelona shpëton vetëm nga Guardiola

 Legjenda holandeze është shprehur se për ekipin ka vetëm një zgjidhje dhe ai do të ishte ndryshimi në strukturat drejtuese

Ish-ikona e Barcelonës dhe e kombëtares holandeze, Johan Krujf, mendon se gjëja më e mirë që mund të bëjë klubi katalanas është të kthejë trajnerin Pep Guardiola. Kjo, pasi nën drejtimin e tij katalanasit fituan gjithçka. Sipas 66-vjeçarit, trajneri aktual i Bajernit është njeriu i duhur për ta rikthyer Barçën në majën e futbollit evropian. “Gjëja më e mirë për Barcelonën është të rikthejë Pep Guardiolën. Nëse Johan Laporta do të bëhet sërish president, do t’i sugjeroja të rikthente Pepin. Ai është një njeriu shumë i zgjuar ndaj jam i sigurt që do ta bënte këtë”. Krujf bën përgjegjës për situatën e krijuar drejtuesit aktualë, duke sugjeruar afrimin e njerëzve që marrin vesh nga futbolli. “Njerëzit që e dinë se çfarë duhet bërë nuk kanë mundësi vendimmarrjeje. Pikërisht këta njerëz duhet të merren me punët e futbollit. Kur Laporta ishte presidenti, vendimet i merrnin Txiki Begiristain, Frank Rajkard dhe Pep Guardiola. Gjithkush mund të bëjë gabime, por ata e dinin që vendimet e tyre motivoheshin nga futbolli, ndërsa Laporta ishte president për t’i mbrojtur ata. Kjo është arsyeja pse Barcelona funksiononte. Kishte momente të mira dhe të këqija, por u bënë hapa të mëdhenj”. Sa u përket kritikave që Lionel Mesi ka marrë javët e fundit Krujf u shpreh: “Ky është absurditet. Kohët e fundit kam thënë se Mesi ishte lojtari më i mirë në botë, ndërsa tani që Barcelona u eliminua nga Champions-i, vlerat e tij po vihen në diskutim. Barça ka një problem struktural, sepse presidenti kërkon të jetë menaxher dhe trajner”.

 

 

Deshamp: Franca nuk e fiton Botërorin

Didier Deshamp nuk beson se Franca është në mesin e favoritëve për ta fituar Botërorin 2014 dhe ka hedhur poshtë pritjet në prag të garës së kësaj vere. “Ka gjashtë ose shtatë ekipe atje të cilat futen në garë për ta fituar atë, por Franca nuk është në mesin e atyre ekipeve. Objektivi ynë i parë është ta fitojmë ndeshjen e parë ndaj Hondurasit më 15 qershor. Herën e fundit kur Franca fitoi në Botëror në fazën e grupeve ishte kundër Togos në vitin 2006. Ne nuk jemi më në mesin e ekipeve elite në Evropë ose në Botë. Unë jam realist dhe vazhdoj të mbaj këmbët në tokë”, – ka komentuar trajneri i gjelave.

 

 

Rosberg: Kësaj radhe fitoj unë

Britaniku Hamilton të dielën mund të regjistrojë fitoren e tretë radhazi për herë të parë në karrierën e tij në Formulën 1. Mirëpo kolegu i tij te Mercedesi, Niko Rosberg, ka deklaruar se ai do të mundohet që mos ta lejojë këtë. Piloti gjerman ka regjistruar vetëm një fitore, mirëpo aktualisht është në pozitën e parë me 11 pikë më shumë se britaniku që ka fituar dy gara këtë edicion. Dy pilotët e të njëjtës skuderi po e rivalizojnë njëri-tjetrin këtë sezon, ndërsa duket se një duel ballë për ballë pritet të zhvillohet edhe në Kinë. “Kjo garë duket se po i përshtatet stilit tim të garimit. Është një rrugë që më pëlqen të garoj dhe dua të kthehem në vendin e parë në podium këtë fundjavë”, – është shprehur Rosberg.

 

 

Kajehon: Në Napoli, futbolli si besimi

Kajehon është shprehur se futbolli në Napoli është i ngjashëm me besimin. 27-vjeçari kaloi në “Stadio San Paolo” në verën e kaluar për 10 milionë euro, pasi nuk mund të zinte vend në formacionin bazë të “Los Blancos”. “U largova nga Real Madridi që të gjeja qëndrueshmëri më të madhe të paraqitjes sime, me qëllim që të luaja më shumë dhe të bëja një ndryshim në karrierën time. Nuk ka qenë lehtë, Madridi është një klub të cilin është vështirë ta braktisësh, por në një pikë dashuria ime për futbollin e tejkaloi këtë dhe unë shkova te Napoli. Pata disa oferta, mirëpo u binda nga gjithçka. Tashmë mund të konfirmoj se nuk kam gabuar. Në Madrid, futbolli është i rëndësishëm, jeton me presion të madh. Por këtu ka të njëjtën vlerë sikur besimi”, – ka theksuar Kajehon.