Kush përfiton nga heqja e tatimit të dyfishtë me Kosovën?

0
208

Ervin Kaduku

 

Me nënshkrimin e marrëveshjes, taksimi i dyfishtë nuk do të jetë më një çështje mes dy qeverive dhe do të shërbejë për t’u dhënë më shumë frymëmarrje bizneseve në të dy anët e kufirit

 

 

dogana e MorinitHeqja e tatimit të dyfishtë për të ardhurat dhe kapitalin me Kosovën vlerësohet nga biznesi si fillimi i një marrëdhënie të re bashkëpunimi mes dy shteteve shqiptare në nivel ekonomik. Sipas tyre, kjo është një mundësi e shtuar për të shmangur evazionin fiskal

Shqipëria është vendi i parë me të cilin Kosova ka hequr tatimin e dyfishtë mbi të ardhurat dhe kapitalin. Në fakt, bëhet fjalë për një marrëveshje të vitit 2004, por që në atë kohë ishte e lidhur nga misioni i Kombeve të Bashkuara. Me fitimin e pavarësisë nga Kosova dhe më tej me rregullimet e tjera ligjore lindi domosdoshmëria për të përshtatur edhe legjislacionin në këtë fushë.

Kjo është edhe arsyeja se përse dy qeveritë risollën në vëmendje heqjen e disa barrierave, siç ishte edhe shmangia e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal. Pas miratimit nga ana e qeverisë shqiptare, nënshkrimit në Kosovë, tashmë është radha e ministrit të Financave, Besim Beqaj, të vizitojë Tiranën zyrtare për të vazhduar procedurat. E më pas do të jenë ligjvënësit e të dy vendeve që do të thonë fjalën e tyre përmes kartonëve.

Ekspertët ligjorë thonë se marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës “Për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin e evazionit fiskal”, krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridikë shqiptarë apo nga Kosova, të cilët kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera që bien nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dy shteteve.

Nga ana tjetër, ata nxitojnë të sqarojnë se marrëveshja e datës 28 shtator 2004, e lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në emër të Institucioneve të Përkohshme për Vetëqeverisje në Kosovë për shmangien e tatimeve të dyfishta lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal do të pushojë së zbatuari në ditën kur ajo do të bëhet efektive. Përtej këtyre kornizave ligjore, marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve kanë pasur luhatje, shpeshherë të forta e që kanë ndikuar jo pak te bizneset. Për këtë rritja e bashkëpunimit mes dy qeverive shihet si një mundësi për të sheshuar çdo pengesë artificiale ose jo.

 

Efekte konkrete te bizneset

Që me mbledhjen e parë të përbashkët të qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, iu hap rruga diskutimit të shumë çështjeve që kishin të bënin me marrëdhëniet e të dy vendeve. Gjatë saj u artikulua edhe vendimi në parim për heqjen e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin e evazionit fiskal.

Vizita e ministrit të Financave të Shqipërisë në Kosovë shënoi nënshkrimin e marrëveshjes nga njëra palë, ndërkohë që do të pritet edhe vizita e homologut të tij, z. Beqaj në Tiranë.

Këshilltari politik i ministrit të Financave të Kosovës, Menderes Ibra, sqaron se marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë mes Kosovës dhe Shqipërisë ka ekzistuar edhe më parë, përkatësisht është nënshkruar në shtator të vitit 2004 në kohën e administratës së UNMIK-ut.

Në atë kohë, në emër të Kosovës, u nënshkrua nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe edhe nga ministri i atëhershëm i Financave.

Sipas tij, në fakt kjo ka qenë marrëveshja e parë që Kosova ka realizuar me një shtet tjetër për sa i përket shmangies së tatimit të dyfishtë.

“Kjo marrëveshje për bizneset e të dyja vendeve do të ketë efekte pozitive dhe do të reflektojë në rritjen e bashkëpunimit reciprok por edhe të rritjes së besueshmërisë. Efekti konkret i marrëveshjes nënkupton krijimin e mundësisë që të gjitha kompanitë që operojnë edhe në Shqipëri edhe në Kosovë të kryejnë obligimet tatimore vetëm në njërin vend”, -thotë këshilltari politik i ministrit të Financave të Kosovës.

Zoti Ibra sqaron se tatimet ekzistuese ndaj të cilave do të zbatohet marrëveshja janë:

 

Në Shqipëri:

1. Tatimet mbi të ardhurat (që përfshijnë):

– Tatimin mbi fitimin e shoqërive

– Tatimin mbi të ardhurat personale

– Përfitimet kapitale

– Tjetërsimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme

2. Tatimet mbi aktivitetet e biznesit të vogël

3. Tatimi mbi pasurinë

 

Në Kosovë:

1. Tatimi mbi të ardhurat personale

2. Tatimi mbi të ardhurat e korporatave

3. Tatimi mbi pronën

Për këshilltarin e ministrit Beqaj, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, realisht taksimi i dyfishtë nuk do të jetë më një çështje mes dy qeverive dhe do të shërbejë për t’i dhënë më shumë frymëmarrje bizneseve në të dy anët e kufirit.

 

Edhe libri, “i lirë” të kalojë kufijtë

Një tjetër mall që ka hasur jo pak pengesa në qarkullimin e tij sa andej–këndej kufirit është edhe shtypi i shkruar. Për të reduktuar barrierat, dy ministrat e Financave, Cani dhe Beqaj nënshkruan një marrëveshje për përjashtimin reciprok nga Tatimi i Vlerës së Shtuar në import për librat, produktet e përafërta me të dhe materialet e ngjashme të shtypit, gazetat, revistat dhe periodikët të publikuar në Republikën e Kosovës apo në Republikën e Shqipërisë. Heqja e TVSH-së shihet si një mënyrë për të rritur bashkëpunimin mes të dy vendeve në sferën e qarkullimit për librat, gazetat, revistat, periodikët etj. E në fakt, libri i Kosovës në Shqipëri është shumë pak i pranishëm, ndërsa vlen më shumë e anasjella. Madje mund të thuhet se libri që vjen nga Shqipëria arrin të “mbysë” produktin e Kosovës, e këto të fundit kanë mbetur pak në hije. Pra, botohet shumë më shumë në Shqipëri sesa në Kosovë. Megjithatë, Kosova ka ruajtur traditën e autorëve shqiptarë, ndërsa e kundërta ndodh në Tiranë, ku ata botohen në nivel më të ulët. Nëse shihni te botimet në Kosovë, do të vini re se ka ende nostalgji dhe besnikëri për librat shqiptarë, ndaj kritikës, historisë, botimeve akademike, etj. Shqipëria kryeson me botimin e “bestseller”, libra komercialë dhe të huaj. Në të dyja vendet libri ndeshet me problemet si shpërndarja, mbledhja e të ardhurave, etj.

Në Kosovë, libri ende nuk është shndërruar në industri e në këto aspekte tregu çalon. Për botuesit e librave në Kosovë, shteti duhet patjetër që të japë subvencionime, pasi nëse ai e merr nën “ombrellë”, atëherë, sipas tyre, do të ketë vazhdimësi. Aktualisht në Kosovë po shfaqen disa shenja në mbështetje të librit. Vitin e kaluar nisi projekti për pasurimin e bibliotekave që u huazua nga Shqipëria dhe që po zbatohet edhe nga Ministria e Kulturës.

Por, nuk është vetëm shtypi që ka hasur pengesa në “kapërcimin” e kufijve, ndaj dy ministrat e Financave gjatë takimit të tyre në Prishtinë, u kujdesën që të trajtonin edhe heqjen e disa barrierave të diskutuara edhe më herët, siç është ai i tubave të çelikut që ka qenë problematike në anën e Shqipërisë e që nuk është më. Ndërsa në mbledhjen e fundit të qeverisë shqiptare u hoq edhe tranzitimi i cigareve, çështje që u diskutua edhe në Kosovë.