Vitin e ardhshëm kompensohen personat të cilët disponojnë vendime të vitit 1993 dhe ’94
Kompensimi i ish-pronarëve nuk është një proces i lehtë dhe kërkon kohë për tu mbyllur. Drejtorja e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, është shprehur se i gjithë procesi mund të mbyllet për 4 vite. “Në vitin 2013 kemi arritur të shkojmë dhe të kompensojmë deri në një vendimmarrje të muajit shkurt të vitit 1995. Personat të cilët e kanë vendimin pas këtij muaji, nuk kanë arritur të përfitojnë nga ky fond. Ne kemi nxjerrë të njëjtin vendim për shkak të pamjaftueshmërisë së fondeve”, – tha drejtorja e AKKP-së. Gjatë një interviste për “Top Channel”, Qato theksoi se ka një kalendar të ri, i cili pritet t’i japë më shumë shpejtësi shqyrtimit të dosjeve. Drejtorja e AKKP-së gjithashtu shtoi se edhe vitin tjetër, me rihapjen e fondit të kompensimit, procesi do të jetë i njëjtë dhe më parë do të kompensohen personat të cilët disponojnë vendime të vitit 1993 dhe ’94, pavarësisht nëse kanë aplikuar më parë apo jo.
Procesi
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me herët ka bërë me dije se të gjitha subjektet duhet të paraqiten pranë këtij institucioni për të plotësuar dokumentacionin. “Agjencia ka përcaktuar një afat 1-mujor për plotësim dokumentacioni të të gjitha subjekteve, të cilat kanë depozituar kërkesat e tyre, theksojmë pranë Sektorit të Vlerësimit Paraprak. Qytetarët të cilët nuk kanë pasur mundësi të paraqiten gjatë muajit prill në Agjenci janë të lirë të paraqiten nga e hëna në të premte, gjatë orarit 9:00-12:00. Me riorganizimin e ri të Agjencisë dhe ndryshimin e strukturës organike, Sektori i Vlerësimit Paraprak nuk ekziston më, ndaj praktikat e këtij sektori kanë kaluar për shqyrtim të mëtejshëm në sektorët e shqyrtimit sipas qarqeve përkatëse. Për këtë arsye është kërkuar që të gjithë subjektet që kanë depozituar praktika në këtë sektor të paraqiten për plotësimin e dokumentacionit ose sqarimet përkatëse për ecurinë e dosjes nga nëpunësit e autorizuar të Agjencisë”, – thuhet në një njoftim të AKKP-së.
Pranimi i kërkesave
Pranë AKKP-së vazhdon pranimi i kërkesave për shpërndarjen e kësteve për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Dokumentet që duhet të dorëzojë çdo ish-pronarë janë: Kërkesën tip, që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave; dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikate familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi (në rast se subjekti përfitues ka vdekur). Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarife shërbimi në vlerën 2000 (dy mijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme. Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës. Fotokopjen e dokumentit të identifikimit. Certifikatën familjare të kërkuesit/aplikuesit. Mandat pagesën për shumën 2000 lekë për çdo aplikim të veçantë. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarife shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.
Nisma/ Kosovë – Shqipëri, njësohet shkolla shqipe
Shqipëria dhe Kosova shumë shpejt do të kenë gati kurrikulat e përbashkëta në sistemin parauniversitar. Ekipet që janë ngritur, po punojnë për të ndërtuar kornizat, mbi bazën e të cilave do të zhvillojnë mësimin arsimtarët, duke i paraprirë hartimit më pas të teksteve të përbashkëta. Këto kanë qenë deklaratat e dy ministrave të Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës, gjatë konferencës ndërkombëtare të mbajtur në Prishtinë, me temë ”Qasja e re kurrikulare – sfidë e së ardhmes”. “Qasja e re kurrikulare merr parasysh vizionin bashkëkohor rreth nxënies, dijes, njohurisë, inteligjencës, vlerave dhe qëndrimeve dhe krijon mundësi më të mëdha për të shtjelluar dhe për të kuptuar kurrikulën e bazuar në kompetenca. Ndihemi me fat që në përballjen me sfidat e procesit reformues, kemi arritjet, përvojat dhe bashkëpunimin e kolegëve dhe specialistëve të Kosovës. Harmonizimi i sistemit tonë parauniversitar me sistemin arsimor të Kosovës dhe sistemit arsimore evropian do të zhvillojë në vijimësi kapacitetet e sistemit arsimor për nxënie cilësore”, – u shpreh Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit. “Ekipet tona të përbashkëta kanë bërë punë të mrekullueshme që kjo kurrikulë të mos jetë në 10 mijë metra katrorë, por të zgjerohet më shumë. Të arrihet nivel më i lartë në sistemin arsimor”, – tha Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë në Kosovë. Shqipëria dhe Kosova janë duke ecur me shpejtësi drejt njësimit konceptual të sistemit arsimor mes dy vendeve. Kjo është edhe një nga nismat kryesore të qeverisë shqiptare, që nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të hidhen piketat e pasmbledhjes së përbashkët në Prizren për zbatimin e objektivave të lënë në këtë takim. Në këtë kuadër, në këtë konferencë, mes dy homologëve, ministres Nikolla dhe ministrit Buja, u konfirmua gjithashtu që në një kohë shumë të shkurtër do të shpaloset jo vetëm korniza e përbashkët, por edhe përfitueshmëria e lartë që ky proces pritet të sjellë për vetë sistemin tonë arsimor dhe për vetë nxënësit e komunitetin e mësuesve në Shqipëri dhe Kosovë.