Skandali/   Barnat, PD akuza Beqajt: Manipuloi tenderin

0
136

Ministria e Shëndetësisë pranon në heshtje ndryshimin e kritereve për tenderin

 

 

albana vokshiPas Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë, Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Albana Vokshi, akuzoi ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj për manipulim të tenderave të ilaçeve. Sipas Vokshit, Ministria e Shëndetësisë ka modifikuar kriteret e tenderit, në kundërshtim me ligjin, duke i hapur rrugën një abuzimi skandaloz me financat dhe me sigurinë e pacientëve shqiptarë, duke lejuar hyrjen në treg të ilaçeve të paautorizuara. “Me anë të shkresës së datës 21.3.2014, ministri Beqaj i ka hapur rrugën falsifikimit të ilaçeve dhe futjes së medikamenteve të rrezikshme për shëndetin, për të kënaqur interesat financiare të grupimeve të farmaceutikës që ndodhen pranë qeverisë dhe atyre që financuan fushatën rilindase. Modifikimi i kritereve të tenderit, me urdhër të ministrit, në kundërshtim të hapur me dy nene të ligjit, është më e pakta vepër penale me pasoja të rënda në komunitet pasi shkatërron sigurinë e mjekimit”, – u shpreh Vokshi gjatë një deklarate për shtyp. Më tej, deputetja e PD-së denoncoi mënyrën se si po ndërhyhet në shëndetësi. “Legjislacioni shqiptar e ka të parashikuar qartë rastin kur ministri ndërhyn në këtë procedurë dhe, sipas ligjit, kjo bëhet vetëm në raste katastrofash. E vetmja katastrofë, aktualisht, është mënyra se si po qeveriset shëndetësia dhe spitalet në vend. Në mundësinë më të parë që u jepet, ndërhyjnë në tender, shkelin ligjin, favorizojnë klientelën e tyre dhe vënë në rrezik shëndetin publik duke i hapur rrugën një abuzimi të paprecedent me ilaçet. Ky është modeli i Edi Ramës për shëndetësinë, ky është ministri rilindas”, – theksoi deputetja Vokshi.

 

 

Ministria e Shëndetësisë

Në reagimin e saj, Ministria e Shëndetësisë pranon në heshtje se ka ndryshuar kriteret për tenderimin e barnave, pavarësisht se ligji e ndalon. “Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë edhe një herë opinionin publik se çdo nismë apo projekt që është ndërmarrë në këta shtatë muaj të parë të qeverisjes, ka pasur në qendër të vëmendjes qytetarin dhe vetëm interesin e qytetarit, duke qenë të vetëdijshëm se do të duheshin përpjekje titanike për shndërrimin e sistemit shëndetësor që trashëguam në mjerim dhe bjerrje të plotë, për shkak të paaftësisë, praktikave abuzive dhe klienteliste. Kështu, dëshirojmë të ritheksojmë se importi dhe regjistrimi i barnave ka qenë deri para pak kohësh një proces tërësisht i kompromentuar dhe i mbyllur, me një mungesë të theksuar transparence, duke lënë, kështu, shteg për praktika abuzive dhe klienteliste në treg. Interesi i Ministrisë së Shëndetësisë për barnat për përdorim spitalor, ka qenë që, pa cenuar aspak cilësinë dhe efektin që këto barna duhet të kenë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pacientët, si dhe me të njëjtën sasi parash të mund të blejë më shumë barna, për t’ia lënë njëherë e përgjithmonë të kaluarës, dukurinë e mungesës kronike të barnave në shërbimet tona spitalore. Dëshirojmë të bëjmë me dije gjithashtu, se për tri procedurat e para të tenderimit të realizuara deri tani, nëse krahasojmë çmimet e ofertuara në këto procedura me çmimet e kontraktuara në vitin 2013, rezulton një ulje në vlerën prej 84.890.000 lekë (ose 22% më pak se vitit të kaluar)”, – thuhet në një reagim të Ministrisë së Shëndetësisë.

 

 

Çfarë thanë përfaqësuesit e Shoqatave së Distributorëve Farmaceutikë?

 Shqetësimin për ndryshimin e kritereve për tenderat e barnave e ka ngritur dhe Shoqata e Distributorëve Farmaceutikë. “Ajo që është më e rëndësishme, është të kuptoni që konventat ndërkombëtare, Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon që standardet të jenë të tilla, që të garantojnë sigurinë dhe cilësinë e barnave, që do të thotë zinxhiri i shpërndarjes nga prodhuesi deri tek pacienti apo konsumatori final duhet të jetë i mirëkontrolluar. Dhe sistemi që ne kemi aktualisht garanton këtë gjë. Në qoftë se një hallkë shkëputet dhe në këtë moment kjo po ndodh, atëherë ka vend për abuzime dhe ka vend për të rritur rrezikun e futjes së barnave që nuk garantojnë standardet e cilësisë dhe të sigurisë. Ne kemi nisur një shkresë për ministrin e Shëndetësisë, ku i kërkojmë sqarim se si ata kanë menduar që do ta monitorojnë situatën pas këtyre ndryshimeve. Normalisht që nuk kemi pasur një përgjigje”, – u shpreh Roland Xhaferaj, kreu i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë, dy ditë më parë.