Vendimi/   Gjykata e dënon 25 vite burg “monstrën” e Laprakës, Ardian Prrenjasi

0
177

Sonila Mesareja

 

 Fjala e fundit e të pandehurit: Jam i penduar, kërkoj mëshirë dhe ulje të dënimit nga Gjykata

 Prokurorët kërkuan dënimin me 25 vite burg dhe heqjen e të drejtës për të përfituar nga lirimi me kusht

 

 

prrenjasi ne gjyq me avokatenPendesa, mëshira dhe kërkesa për ulje të dënimit nuk e kanë zbutur aspak trupën gjyqësore përballë akuzave monstruoze që rëndojnë ndaj cilësuarit si “monstra” e Laprakës, Ardian Prrenjasi. Gjykata e ka dënuar atë me dënimin më maksimal që parashikon Kodi Penal për këtë vepër penale, pa aplikuar ulje as edhe një vit të vetëm nga dënimi i kërkuar një seancë më parë nga prokurorët Ramadan Troci dhe Elida Celami. Më herët, përmes avokates Vjollca Pustina, Prrenjasi tentoi që nga mëshira dhe pendesa e shprehur të përfitonte uljen e dënimit deri në masën 20 vjet dhe të kishte mundësinë e përfitimit të uljeve të dënimit apo dhe lirisë më kusht. Por, gjykata ka qenë e prerë në vendimin e saj, duke e dënuar jo vetëm me dënim maksimal prej 25 vitesh, por edhe me kushtin që gjatë kësaj kohe të vuajë dënimin në burg të sigurisë së lartë dhe të mos ketë mundësinë e përfitimit nga lirimet me kusht apo uljet e dënimit. Gjykata e ka dënuar atë vetëm për dy akuzua, ato të abuzimit seksual me dhunë dhe heqjen e paligjshme të lirisë të 10-vjeçarit me inicialet A. C., ndërkohë që i pandehuri mbetet nën hetim për rrëmbimin dhe zhdukjen e të miturit tjetër, Julian Çela. Akuzën e fundit e pranoi deri në momentet para se të përfundonin hetimet, ndërsa në fund të hetimeve deklaroi se nuk kishte lidhje me rrëmbimin e Çelës dhe se kishte pranuar nga frika dhe presioni i bërë nga policia. Prrenjasi dyshohet se ka rrëmbyer, dhunuar seksualisht dhe më pas trafikuar Julian Çelën, djalin e zyrtarit të lartë të SHISH-it, Skënder Çela.

 

Rrëmbimi dhe abuzimi

Një seancë më parë, prokurorët Ramadan Troci dhe Elida Celami kanë paraqitur konkluzionet përfundimtare për dy akuzat që rëndojnë ndaj të pandehurit. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Marrëdhënieve homoseksuale me të mitur” të kryer me dhunë dhe “Heqjes së paligjshme të lirisë” shoqëruar me vuajtje të rënda fizike, parashikuar respektivisht nga nenet 100/2 dhe 110/2 i Kodit Penal, në dëm të të miturit me inicialet A. C., në atë kohë vetëm 10 vjeç. I pandehuri, i cili bashkëjetonte me shtetasen Valbona Paci, ishte fqinj me të miturin dhe kishin njohje si banorë të lagjes, ku banonte prej 1 viti. Prej disa kohësh punonte si shofer pranë një kompanie private që transportonte plehrat në landfillin e Sharrës. Në deklarimet e saj përfundimtare, akuza bën me dije se “në datën 16.3.2013, rreth orës 17:00 i dëmtuari A. C. ka dalë të luajë në sheshin para banesës së tyre së bashku me shokët e tij. Në kohën që është larguar shoku i tij dhe ai ka mbetur vetëm, i pandehuri ka dalë tek porta dhe i ka kërkuar të dëmtuarit që të afrohej. Kur ai është afruar, i pandehuri ka hyrë në banesë dhe ai i ka thënë se nuk kishte para dhe të hynte brenda banesës që ta ndihmonte t’i shkruante një letër shitëses. I dëmtuari i ka besuar dhe në kohën që ai ka hyrë brenda në banesë, i pandehuri ka mbyllur derën me çelës. I dëmtuari ka filluar të qajë dhe të bërtasë, por i pandehuri ka fikur dritat dhe i ka thënë të pushonte, pasi do t’i fuste duart në fyt. Ai ka kryer marrëdhënie me të, pavarësisht faktit se i dëmtuari refuzonte. Pasi kanë kryer marrëdhënie, i dëmtuari ka pasur dhimbje, por njëkohësisht ka pasur frikë të kërkonte ndihmë, se mos i pandehuri i bënte ndonjë gjë. Ai i ka kërkuar gjatë natës që ta linte të shkonte tek prindërit, pasi ai i dëgjonte prindërit që e kërkonin, por ai i ka thënë se do ta vriste”.

 

Zbulimi

Më tej në renditjen e dinamikeve të ngjarjes, prokurori vijon se “duke qenë se i pandehuri Ardian Prrenjasi nuk ka shkuar në punë të nesërmen, një nga punëtorët e quajtur G. Metko, ka shkuar bashkë me dy punëtorë të tjerë tek banesa e tij, por ai nuk i është përgjigjur. Aty ata kanë dëgjuar se ka humbur edhe një fëmijë që jetonte pranë, dhe duke menduar se mosparaqitja në punë e të pandehurit ka pasur lidhje me fëmijën, kanë njoftuar policinë. Duke qenë se nga verifikimet e bëra ka rezultuar se i pandehuri ka qenë i dënuar më parë për heqjen e paligjshme të lirisë, nga ana e punonjësve të policisë është shkuar në banesën e tij, ku gjatë kontrollit të banesës, e kanë gjetur atë në tualet të fshehur poshtë lavamanit që mbante të dëmtuarin, nën kërcënimin e thikës që ai të mos fliste. Në këto kushte është bërë arrestimi në flagrancë i të pandehurit”.

 

 

Masa/ Rekrutimi i shqiptarëve për luftën e Sirisë, ngel në burg Gerti Pashja

Krimet e Rënda kanë lënë në burg edhe të 9-in e xhihadistëve të arrestuar si të akuzuar për rekrutimin e myslimanëve shqiptarë me qëllim dërgimin e tyre në luftë në Siri. Burime pranë Gjykatës bëjnë me dije se Gerti Pashja, i cili u arrestua tri ditë më parë në Rinas, nuk ka pranuar akuzën e Prokurorisë dhe gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ka deklaruar se ka predikuar Islamin. “Nuk kam lidhje me terrorizmin, kam predikuar vetëm fenë islame. Do të kthehesha vetë në Shqipëri, por më arrestuan autoritetet turke dhe më sollën në Tiranë”, – mësohet të ketë thënë para gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni. Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” të vendosur në mungesë ndaj tij, menjëherë pas arrestimit në Tiranë të 8 personave të tjerë të dyshuar për terrorizëm, pjesë e së njëjtës celulë, ku bën pjesë edhe 30-vjeçari. Para se të caktohej masa, seanca u ndërpre për disa minuta për shkak se Pashja kërkoi avokat z. Kambo, i cili njoftoi se ndodhej jashtë Tiranës. Pas përgjigjes së avokatit, Gjykata i caktoi Pashjes si avokate kryesisht Jalldyz Kastratin.

 

Korçë/ Vrau shokun pas humbjes së lojës, dënohet 30 vjet burg nga Gjykata

Pamundësia për të frenuar zemërimin, i cili për pasojë solli vdekjen e një 23-vjeçari, do t’i kushtojë gjithë rininë e tij Donald Krekës, i cili u dënua me 30 vite burg nga Gjykata e Korçës. I pandehuri vrau një shokun e tij në nëntor të vitit të kaluar dhe për këtë vrasje, Prokuroria kërkoi nga Gjykata dënimin me 35 vite burg për Krekën. Pas fjalës së fundit të avokatit dhe vetë të pandehurit, Gjykata e ka dënuar me 30 vite burg 25-vjeçarin, 20 vite për vrasjen dhe 10 vite për “Armëmbajtje pa leje”. Krimi për të cilin Kreka u dënua dje nga Gjykata, ka ndodhur në 5 nëntor të vitit të kaluar në një ambient lokali në fshatin Libonik të Korçës, ku shkak ka qenë një lojë. Për shkak të humbjes së lojës në zemërim e sipër, 25-vjeçari Donald Kreka qëlloi disa herë me armë zjarri Adriatik Bregun, 23 vjeç, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme si pasojë e plumbave të shumtë që u derdhën mbi trupin e tij. Policia arrestoi menjëherë Krekën si autor të këtij krimi, ndërsa dëshmitë zbardhën e shkakun e këtij krimi të rëndë.