Intervistoi: Florenc Drizari
“Lajm i mirë fakti që të rinj e të reja i bashkohen sot PD-së në opozitë, provë e fortë morale”
Pas publikimit të udhëzimit të ri të PD-së për organizimin e zgjedhjeve në strukturat e saj drejtuese, vijnë edhe reagimet e organizatorëve të këtij procesi. Një prej të deleguarve të Partisë Demokratike në rrethe, Fatbardh Kadilli, shprehet në një intervistë për gazetën “Standard” se udhëzimi i publikuar pak ditë më parë krijon më shumë hapsira në PD, duke vendosur edhe disa standarde të reja. Ish-deputeti i PD-së shpjegon se në cilën fazë ndodhet aktualisht partia më e madhe në opozitë, duke shpjeguar risë që solli procesi i anëtarësimeve dhe si do të zhvillohen zgjedhjet për strukturat drejtuese, duke përfshirë edhe procesin e analizës për zgjedhjet e shkuara të 23 qeshorit.
Z. Kadilli, pak ditë më parë Partia Demokratike shpërndau një udhëzim për zgjedhjet në strukturave e saj drejtuese, sipas jush, çfarë risish sjell udhëzimi i ri?
Fatbardh Kadilli: Udhëzimi është tashmë i njohur për këdo. Aty përcaktohen hapat dhe kalendari që duhet ndjekur në procesin e analizës dhe zgjedhjeve në strukturat e PD-së, si dhe kriteret e kandidimit. Parë nga ky aspekt, Udhëizimi është një dokument teknik, por që padyshim ka edhe komponentin e vet politik. Momenti i zgjedhur, fryma që përcjell janë më të natyrës politike. Në vështrimin tim është po ajo frymë që është lançuar dhe përsëritur në vijimësi nga Kryetari Basha, për përtëritjen e PD-së. Është fryma që synon të mobilizojë gjithë energjitë, anëtarësinë, vizionin dhe aksionin politik të PD-së, si shtëpi e lirisë dhe e enjerëzve të lirë që duhet të marrin shumë shpejt përgjegjësitë e qeverisjes së vendit. Momenti i zgjedhur është brenda një ritmi të logjikshëm që vjen pas mbylljes më sukses të fazes së parë, asaj të verifikimit të anëtarësisë dhe prurjeve të reja.
-Në këtë draft veçanërisht theksohet mosrikandidimi i deputetëve, i të zgjedhurve vendor, si dhe i Kryetareve ekzistues për strukturat dhe degët e PD-së në rrethe. Si e gjykoni këtë vendim?
Fatbardh Kadilli: Janë vendosur disa standarde etike brenda forcës sonë politike. Standardi i parë ka të bëjë me marrjn e përgjegjësive nga drejtuesit e strukturave, atje ku ato kanë pasur rezultate të dobta. Këtë standard e vendosi i pari lideri historik i kesaj partie, z. Berisha dhe padyshim është e nevojshme dhe e shëndetshme që do të ndiqet edhe në nivelet e tjera. Standardi i dytë ka të bëjë me ndarjen e funksioneve. Të zgjedhurit në funksionet e pushtetit qendror e vendor kanë hapsirën e tyre të të bërit politikë, prandaj është logjike që të perqendrohen tek ato funksione. Ndërkohë krijohet hapsirë për prurje të reja, apo rikonfirmime profilesh politike të sprovuara në drejtimin e strukturave të partisë. Kjo është etike, sepse nuk investon gjithçka tek një njeri i vetëm dhe ka mundësi për më shumë përfshirje dhe promovim profilesh politike. Njëherësh ky standard është edhe pragmatik. Një i zgjedhur në pushtet qëndror dhe veçanerisht në ate vendor, kërkon dhe thith mbështetje përtej mbështetjes që siguron forca politike. Identifikimi i funksionarit të zgjedhur nga qytetarët me drejtuesin e strukturave politike i kompormenton këto mundësi.
-Ditët e fundit në disa media është aluduar për përplasje të forta qëndrimesh në PD lidhur me udhëzimin për zgjedhjet e pritshme. A ka vërtetë një konflikt mes përfaqësuesve dhe strukturave drejtuese në Partinë Demokratike?
Fatbardh Kadilli: Nuk ka asgje të vërtetë që të meritojë fjalen përplasje. Mund të ketë opinione dhe vlerësime të ndryshme, natyrisht. Mund të ketë konsiderata të ndryshme, por kjo është normale. Në përgjithësi Udhëzimi është pritur shume mirë.
-Z. Kadilli, si koordinator i PD-së për grupet e punës në bazë, aktualisht ku ndodhet procesi i analizës në Partinë Demokratike dhe kur pritet të fillojë procesi i zgjedhjes për strukturat e reja drejtuese?
Fatbardh Kadilli: Janë duke fuknsionuar grupet e punës në nivel Grupseksioni. Ato kanë bërë kalendarët e aktivitetit të analizës dhe zgjedhjeve në seksione. Anëtarësia e gjerë e PD-së priste fillimin e procesit të analizes dhe zgjedhjeve. Dhe, në bindjen time zgjedhjet janë analiza më e mirë. Kur të votojnë, anëtaret do shprehin me votën e tyre gjithë reflektimin tashmë të pjekur e racional të asaj analize që e kanë bërë tashmë në këtë periudhë gati një vjeçare.
-Pak ditë më parë opozita mbylli procesin e rifreskimit të bazës së të dhënave në degët e saj lidhur me anëtarësinë dhe paralelisht me këtë proces pati edhe prurje të reja në PD. A keni një shifër konkrete dhe a rezulton një rritje e numrit të anëtarëve në PD, kur tashmë kjo forcë politke është në opozitë?
Fatbardh Kadilli: Sot në PD janë administruar të dhënat e rregjistruara në të gjitha degët, përjashtuar Tiranën. Sot PD ka në këtë bazë të dhenash numrin më të madh të anëtarësimeve të verifikuara e konfirmuara që ka pasur ndonjëherë. Ka shumë prurje të reja. Është lajm i mirë fakti që të rinj e të reja i bashkohen sot PD-së në opozitë duke dhënë provën e fortë morale që angazhohen në politikë sepse kanë vlera, besime, vizion politik dhe jo se presin përfitime politike, siç rëndomë ka qenë modeli i zbatuar, madje i kthyer në mit nga partite e majta. Prurjet e reja janë lajmi më i mirë jo vetëm për ne si forcë politike, por edhe për shoqërinë në tërësi, pasi janë prova se rinia beson tek ky sistem politik, beson tek aktivizmi i saj dhe tek mundësia që Shqipëria të bëhet sipas vizionit të tyre dhe falë kontributit dhe aktivizmit të tyre. Një gjeneratë e rë në politikë është një lajm i mirë dhe këtë lajm e ka sot e djathta edhe pse në opozitë.
-A mendoni se marrëdhënia e kushtëzuar që po mban aktualisht opozita në raport me mazhorancën është e dëmshme për proceset integruese të vendit apo jeni për një ashpërsim të këtyre qëndrimeve, duke pasur parasysh edhe konfliktet pozitë-opozitë për krerët e disa institucioneve të pavarura në vend?
Fatbardh Kadilli: Qendrimet e opozites janë pasojë dhe duhen gjykuar si pasojë. Ndërsa nuk duhet lënë në injorim ajo që është shkaku i kësaj pasoje. Sigurisht edhe pasoja mund të jetë objekt gjykimi. Sa efektive, sa etike sa e proporcionuar ka qenë, etj. Dhe në këtë veshtrim them se jemi duke bërë opozitë të fortë, të vendosur dhe njëherësh dhe konstruktive. Këtë e kemi provuar me faktin që nuk kemi bojkotuar sipas modeleve të frekseta që la trashëgimi ish- opozita. Kemi propozuar dhe debatuar për cdo ligj. Kemi shfrytëzuar sistemin ligjor me komisione hetimore dhe gjykatë Kushtetuese si mjetet e opozitës për të bërë transparence për të provuar qëndrimet e saj dhe garantuar kushtetushmërinë. Pra, të vendosur, këmbëngulës dhe luajal ndaj sistemit. Shkaktarët, maxhoranca, po tregon se nuk respekton sistemin ligjor në fuqi. Mjafton të shikojmë seç po bën me kompetencat e presidentit për të kuptuar mendësinë e tyre ndaj sistemit dhe parimeve. Mjafton të shikojmë arbitraritetin në reformën administrative-teritoriale, arbitraritetin ndaj institucioneve të pavarura që nuk drejtohen nga njerëz të zgjedhur nga kjo maxhorance. Ka një padurim të kundërshtarit politik, ka një nivel gati patologjik që fillon me foton dhe mbaron me kompetencat që po vënë në rrezik sistemin duke i prishur pikërisht mundësinë e kontrollit dhe balancës.