Simeone dhe Atletiko në misionin “La final” përballë Çelsit të Murinjos

0
137

Madrilenët do të dyluftojnë me londinezët në një sfidë shumë të rëndësishme, pasi të dyja kërkojnë të shkojnë në finalen e madhe të Lisbonës

 

Për skuadrën spanjolle do të ishte një kualifikim historik, ndërsa për Çelsin do të ishte një mundësi tjetër për të qenë më afër trofeut të Ligës së Kampioneve

 

 

atletiko Kambanat e Ligës së Kampioneve fillojnë ditën e sotme me përballjen e parë në Madrid, aty ku Ateltikoja do të presë Çelsin. Një sfidë shumë e fortë midis dy ekipeve që luajnë një futboll shumë të bukur dhe shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Të zgjedhurit e Diego Simeones presin blutë në ndeshjen e parë të katërshes së fundit, me synimin për të arritur në finalen e garës evropiane për të parën herë që nga viti 1974. Nga njëra është “Çolo” me futbollin e tij me ritëm shumë të lartë dhe me futbollistë që vrapojnë gjatë 90 minutave. Ndërsa nga ana tjetër është loja taktike e Murinjos, i cili më shumë rëndësi i jep rezultatit sesa lojës. Një arkitekt i mrekullueshëm që bën magji sa herë duhet. Mirëpo tekniku argjentinas i kuqebardhëve ka treguar se di të jetë shumë i mirë edhe përballë trajnerëve të mëdhenj, kështu që nuk do të jetë e lehtë për “Special One”. Atletiko vjen pas eliminimit që i bëri Barcelonës së madhe në një sfidë që na dhuroi shumë emocione për lojën që bëri skuadra madrilene dhe për eliminimin e Mesit me shokë. Ndërsa Çelsi bëri një përmbysje in extremis kundër PSG-së në një sfidë që dhuroi emocione deri në sekondat e fundit. Të dyja ekipet vijnë me lojtarët të gjithë në dispozicion. Atletiko vjen pas një ndeshjeje të fituar në kampionat, çka e afroi dhe më shumë te titulli. Ndërsa Çelsi nga ana tjetër vjen pas një rezultati negativ ndaj Sanderlendit, duke i hequr shpresat vetes për të fituar titullin kampion. E rëndësishme do të jetë lufta midis lojtarëve si Hazard dhe Diego Kosta. Të dy vijnë nga një sezon shumë i mirë dhe kanë qenë shumë vendimtarë për ekipet e tyre. Kjo sfidë do të jetë interesante edhe për Torresin dhe Kurtuan. Sulmuesi spanjoll do të kthehet të sfidojë ekipin ku u rrit, ndërsa Kurtua do të ndeshet me ekipin që e ka në pronësi. Portieri belg, i cili luan sezonin e tretë te Atletiko, vazhdon të jetë pronë e Çelsit. “Për mua, fakti që jemi caktuar ndaj Çelsit, siç ndodhi në Superkupën e Evropës, është i veçantë, pasi edhe pse jam te Atletiko, edhe Çelsi është klub im. Është më mirë të mos mendoj për këtë shumë dhe të luaj siç bëj gjithmonë, pasi nëse filloj të mendoj, ‘Oh, më mirë të jem i kujdesshëm’, atëherë do të përfundoj duke luajtur dobët. Dua të fitoj trofe këtu dhe do të jem një tifoz i Atletikos për këto dy ndeshje, por të gjitha herët tjera jam edhe tifoz i Çelsit. Shpresoj që ata ta fitojnë Premier Ligën, vetëm jo këto dy ndeshje ndaj nesh. Vërtet shpresoj ne të arrijmë në finale, pasi jemi aq afër. Çelsi është favorit, por edhe Barça ishte”, – ka thënë belgu.

 

Parashikimet

Çuditërisht nga ç’pritej, Atletiko e Madridit me përballjet e treguara së fundmi këtë sezon duket se e ka rritur shumë nivelin si skuadër, gjë që ka ndikuar edhe te pikat e basteve. Ato i japin një koeficient 1.9 skuadrës spanjolle kundrejt koeficientit 5.00 që japin për skuadrën e Çelsit. Kjo tregon se ekipi madrilen nuk është inferior, madje në sfidën e parë, duke pasur parasysh se luhet në “Vinsente Kalderon” do të mundohet që të marrë një rezultat pozitiv. Ndërsa nga ana tjetër pritet që Çelsi të bëjë një lojë për të marrë rezultat pozitiv dhe pastaj për të kërkuar kualifikimin në “Stamford Bridge”.

 

 

 

Runi: Junajtid, armik i vetes

Mançesteri ishte armik i vetes në disfatën e së dielës 2-0 nga Evertoni. Kështu u shpreh sulmuesi Uejn Runi pas atij rezultati negativ të marrë në fundjavë. “Çdokush e di se ky është një vend i vështirë të vish dhe Evertoni e bëri të vështirë për ne duke vendosur shumë lojtarë prapa topit. Por ne pësuam dy gola të panevojshëm që duhej t’i kishim shmangur, pasi po ia vështirësojmë vetes gjërat për t’u rikthyer në ndeshje. Ishte e qartë, sapo ata e shënuan golin e parë, ne e dinim se do të ishte vështirë dhe goli i dytë ishte një goditje e madhe. Nuk është mirë kur ju pranoni pak para fundit të pjesës së parë në një vend si ky. Evertoni është në formë të mirë dhe ka shumë vetëbesim, dhe ne e dinim se do të jetë vështirë”, – është shprehur lojtari i djajve.

 

 

Ksavi: Mesi duhet lënë i qetë

Të gjithë kanë kthyer kokën nga Leo Mesi. Shumë media, por i gjithë opinioni publik i ka kthyer sytë nga katër herë fituesi i Topit të Artë, që e akuzojnë se nuk po e ndihmon ekipin mjaftueshëm. Mirëpo lideri i katalanasve, Ksavi, mendon se shoku i tij i skuadrës duhet të lihet i qetë nga të gjithë, sidomos nga zërat kritikë, në mënyrë që të përqendrohet maksimalisht te loja dhe jo te njerëzit që flasin për një krizë të blaugranave. “Shpesh kërkohet shumë prej Mesit, por ai duhet të lihet i qetë që të bëjë punën e tij. E pamë të gjithë se ndaj Bilbaos ishte pikërisht Mesi që vendosi fitoren e skuadrës”. Mesfushori i katalanasve e pranoi se edhe ndaj rivalëve baskë, Barça vuajti për t’u rikthyer në rrugën e sukseseve. “Duhet ta kishim mbyllur takimin shumë më herët, por gjithsesi mund të them se bëmë një lojë të mirë. Morëm 3 pikë mjaft të rëndësishme për të mbajtur gjallë shpresat për titullin. Treguam se kemi karakter”. Nga fitorja me Bilbaon tashmë skuadra ndodhet 4 pikë prapa Atletikos, me të cilën ka ndeshjen e fundit të sezonit.

 

 

Vilas Boas: Nuk kam nënshkruar me Barcelonën

Trajneri i Zenitit, Andre Vilas-Boas, ka hedhur poshtë spekulimet se mund të marrë drejtimin e Barcelonës nga sezoni i ardhshëm. Strategu portugez u vu në krye të stolit të Zenitit në muajin mars dhe është zotuar që ta respektojë kontratën. Mediat po spekulojnë se blauagranët do ta shkarkojnë Gerardo Martinon në fund të sezonit, ndërsa emri i Vilas-Boasit është përmendur si njëri nga zëvendësuesit e mundshëm. “Të gjitha spekulimet rreth negociatave të mia me Barcelonën, janë të pavërteta. Kam nënshkruar kontratë me Zenitin dhe jam i vendosur të qëndroj këtu derisa të skadojë data. Puna ime me Zenitin është përparësi”, – ka deklaruar portugezi.

 

 

Ronaldo, gati për Bajernin e Mynihut

Lajme të mira për madrilenët. Kristiano Ronaldo ka arritur ta kompletojë seancën e plotë stërvitore të hënën, ndërkohë që Reali i Madridit po përgatitet për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve kundër Bajernit. Portugezi u lëndua në ndeshjen e parë çerekfinale kundër Borusias së Dortmundit dhe ishte në dyshim për sfidën e së mërkurës mbrëma. Megjithatë, të hënën ai ka arritur që të përfundojë me sukses stërvitjet dhe pritet të jetë në dispozicion të Karlo Ançelotit në ndeshjen e rëndësishme kundër kampionit të Evropës. Edhe Serxho Ramos e ka kompletuar seancën stërvitore, mirëpo Gareth Bejl nuk është angazhuar në stërvitje, si pasojë e sëmundjes. Të mërkurën galaktikët do të presin bavarezët në mitikun “Santiago Bernabeu”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency