Grabitja e argjendarisë/ Autorët, të maskuar si policë të forcave të speciale, kërcënuan pronarin

0
154

 Anxhela Tato

 

Mekanizmi, shtrinë barkas pronarin, duke e mbajtur nën shënjestrën e armës, grabitën 4 mln lekë bizhuteri

 Rrëfimi i pronarit: Isha me një kliente kur u futën në dyqan dy grabitësit, më drejtuan armën

 

argjendariShtrinë në tokë pronarin e argjendarisë, duke i marrë nën kërcënimin e armës bizhuteri me vlerë 4 milionë lekë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 10:00 të paradites së djeshme përballë Gjykatës së Tiranës, afër ish-ekspozitës “Shqipëria sot”. Nga të dhënat e bluve mësohet se dy autorët, pasi kanë parkuar motorin, kanë kaluar përmes hyrjes së pallatit që lidhet me rrugën kryesore, ku edhe kanë vënë kapuçat në kokë. Në momentin që janë futur në argjendari, i kanë drejtuar armën e tipit “Kallashnikov” pronarit, duke e kërcënuar që të shtrihej në tokë. Njëri prej autorëve ka mbajtur gjatë gjithë kohës nën shënjestër pronarin e argjendarisë, ndërsa grabitësi tjetër ka mundur që të marrë bizhuteritë me vlerë 4 milionë lekë. Teksa kanë dalë nga dyqani, autorët janë ndeshur me një dentist, i cili ka ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë shokut të tij, por grabitësit i kanë vënë armën në fytyrë, duke i thënë që të mos bënte asnjë lëvizje. Më pas kanë hipur në motor, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa pas pak sekondash ka mbërritur policia, e cila ka mbledhur gjurmët e gjetura dhe ka shoqëruar për të marrë në pyetje pronarin e argjendarisë, Alfons Çarçani. I tronditur, pronari ka mundur të rrëfejë me hollësi atë çka ka ndodhur, ndërsa ka treguar se grabitja ka zgjatur vetëm pak sekonda. Ai u ka rrëfyer uniformave blu se autorët kanë qenë të maskuar si punonjës policie të forcave speciale dhe vlera e mallit të grabitur është afërsisht tek 5 milionë lekë. Nga ana tjetër, një nga dëshmitarët e krimit është edhe dentisti i lagjes, i cili ka tentuar që të ndihmojë shokun e tij, por është kërcënuar nga autorët. Një nga miqtë e Alfons Çarçanit ka treguar se pak sekonda pas grabitjes ai ka vajtur për të hapur dyqanin, kur është vënë në dijeni të ngjarjes. Ai tregon se Alfonsi ka qenë shumë i tronditur dhe nuk ishte në gjendje të tregonte gjithçka. Ai ka mësuar se miku i tij është grabitur nga dy djemtë, të cilët nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar që të shtrihej në tokë. Ndërsa nuk ka qenë në dijeni të shumës së vjedhur.

 

Pronari i argjendarisë

 

“Ishte ora 10:00 dhe unë sapo kisha ardhur nga kafja. Kisha hapur dyqanin dhe më kishte ardhur një kliente. Në këto momente më vijnë në dyqan dy djem, të maskuar dhe me armë. Ata ishin veshur si punonjës policie të forcave speciale. Më drejtuan armën dhe më kërcënuan duke më kërkuar që të shtrihesha barkas në tokë. U terrorizova dhe përballë rrezikut për jetën iu binda. U shtriva barkas, ndërsa ata morën bizhuteri të ndryshme. Mund të them që vlera e sendeve të grabitura është përafërsisht tek 5 milionë lekë, por nuk e përcaktoj dot të saktë. Aty afër kanë qenë edhe kushërinjtë e mi, të cilët donin të më ndihmonin, por hajdutët i kërcënuan. Gjithashtu, kur hajdutët kanë dalë jashtë, u është drejtuar një shoku im dentist, që ka klinikën në këtë zonë. Hajdutët i kanë drejtuar armën dhe e kanë kërcënuar. Ata kanë ikur me një motor. Nuk di çfarë të them, pasi jam i tronditur”.

 

Dëshmitari

 

“Me Alfonsin jemi miq dhe dyqanet i kemi në këtë zonë të dy. Mora vesh që ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të paradites. Unë po vija nga kafja që të hapja dyqanin, kur mora vesh se kishin grabitur Alfonsin. Ai ishte shumë i tronditur dhe nuk dinte të thoshte me ekzaktësi se çfarë kishte ndodhur. Na tregoi se kishin qenë dy djem të armatosur dhe të maskuar. Tani ata kishin ardhur me një motor nga hyrja e pallateve dhe mes përmes tunelit dolën në këtë anë të rrugës. Ata ishin maskuar me kapuç kur ndodheshin tek tuneli dhe më pas janë futur brenda në dyqan. E kishin shtrirë barkas në tokë Alfonsin dhe njëri i mbante armën, ndërsa tjetri grabiste. Më pas kishin ikur me motor, por kishin kërcënuar me armë në kokën edhe dentistin, sepse ai donte të ndihmonte Alfonsin”.

 

 

Korçë

Plagosi vëllain me thikë në bark, pranga autorit

 

Një 49-vjeçar është plagosur me thikë dje pasdite në qytetin e Korçës. Polica bën me dije se Roland Ristollari është goditur disa herë me thikë në bark nga i vëllai i tij. Ai është çuar në gjendje të rëndë në spitalin e Korçës. “Rreth orës 17:25, të ditës së sotme, në urgjencën e spitalit Korçë, është çuar nga familjaret, shtetasi R. R., 49 vjeç, banues në Korçë, i cili dyshohet se është goditur me thikë (në pjesën e barkut), nga vëllai i tij Th. R., banues në Korçë, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për kapjen e autorit. U ngrit grupi hetimor për kryerjen e veprimeve dhe zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje”, – bëhet me dije nga policia e Korçës. Policia ka vënë në pranga autorin e plagosjes Thoma Ristollari. Ndërkohë, blutë e Korçës kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes.

 

 

Vlorë

Tenton të grabisë makinën, qëllon në ajër

 

Një person i maskuar dhe i armatosur ka qëlluar me armë zjarri, tip “Kallashnikov”, në fshatin Vranisht, rreth 30 kg larg qytetit të Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30 të paradites së djeshme. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, i riu ka tentuar të grabisë një automjet dhe më pas ka qëlluar me armë në ajër. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, ndërsa ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.