Beqaj: Nuk isha i përgatitur
Grupet e interesit: Kriteret e reja lënë vend për korrupsion
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka refuzuar ditën e djeshme të ishte i pranishëm në Komisionin e Shëndetësisë. Në Komision u dëgjuan grupet e interesit lidhur me procedurat për prokurimin e blerjeve të barnave dhe arsyet e ndërhyrjes së ministrit në kriteret e përcaktuara. Pak ditë më parë, u zbardh dokumenti, ku ministri i Shëndetësisë ndryshonte procedurat për blerjen e barnave, pavarësisht se ligji e ndal një ndërhyrje të tillë. Që në nisje, kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, kërkoi pjesëmarrjen e ministrit të Shëndetësisë, ndërsa deputetët e mazhorancës kërkuan që ministri të thirrej në një tjetër seancë. Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë dënoi refuzimin e Beqajt, duke e quajtur si “mega-aferë korruptive” ndryshimin e kritereve për tenderat e barnave. “Pavarësisht nga kërkesat e njëpasnjëshme të bëra nga ana e Komisionit, ministri i Shëndetësisë, z. Beqaj, refuzoi që të vinte në një seancë dëgjimore ballë për ballë me faktorët e interesit, që kanë ditë që kanë ngritur shqetësimin e tyre për ndërhyrjen flagrante të ministrit të Shëndetësisë në tenderin e barnave të shërbimit spitalor. Ne si Parti Demokratike do të vazhdojmë të denoncojmë këtë mega-aferë korruptive, e cila u hap rrugën klientëve të Partisë Socialiste, të cilët financuan fushatën rilindase. I bëj thirrje ministrit të Shëndetësisë të reflektojë dhe të tërhiqet nga ky mega-skandal, i cili, edhe pasi dëgjuam edhe faktorët më të rëndësishëm të interesit farmaceutik, rezulton që jo vetëm cenon sigurinë e shëndetit të të gjithë qytetarëve shqiptarë, por është një rrezik i madh edhe për sigurinë kombëtare”, – u shpreh Vokshi në një deklaratë të saj.
Ministri
Akuzat e rënda për ndryshimin e kritereve për tenderat e ilaçeve e kanë detyruar ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që të shpjegojë arsyet pse është marrë një vendim i tillë. “I kam dhënë një përgjigje Komisionit. Komisioni kërkonte që, i ka ardhur një ankesë nga biznesi. Mua, nga Komisioni nuk më erdhi ankesa e tyre që të shkoja i përgatitur dhe, së dyti, pasi Komisioni ka bërë dëgjesën me biznesin, do të marr ankesën, do të marr procesverbalin dhe jam i gatshëm kur të duan të përgjigjem para Komisionit parlamentar”, – ishte përgjigjja e ministrit të Shëndetësisë gjatë një konference për shtyp.
Komisioni
Përfaqësuesja e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Diana Toma, u shpreh e pakënaqur me ndryshimin e procedurave për tenderat e ilaçeve. “Urdhri ndihet i alarmuar për atë çka aktualisht po kalojmë. Por më e keqja është për pasojat që mund të kemi në të ardhmen. Çdo situatë ka një shkak dhe si rezultat ka edhe pasoja. Mjafton të thuash që jemi në një komunikim jo të mjaftueshëm dhe jo transparent me Ministrinë e Shëndetësisë”, – tha Toma. Ndërsa Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike u shpreh se ka vend për korrupsion me kriteret e reja. “Ne vërejmë se tek ligji 9323 janë shkelur disa nene, është neni 11, pika 1, ku thotë që barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë duhet të jenë të regjistruara. Duke hequr vërtetimin e regjistrimit të barit, atëherë ky nen bie poshtë. Shkelet dhe i bie që të qarkullojnë barna të paregjistruara. Mund të vijnë barna nga çdo vend i botës. Pika tjetër që është hequr është autorizimi i prodhuesit. Me heqjen e këtij autorizimi, mbajtësi i autorizimit të barit, nuk është më pronar i këtij bari. Nuk dihet se ky bar nga prodhohet, si transportohet”, – tha Bledar Shorri, përfaqësues i Shoqatës Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike. “Unë gjykoj se qëllimi është t’ju nxjerrin nga tregu dhe t’ju largojnë nga tregu për këtë punë heroike që keni bërë në këto vite. Jam shumë i tronditur”, – tha deputeti i PD-së, Florion Mima.
Bozdo, Ramës: Zhblloko buxhetin, mos luaj me cilësinë e jetës së qytetarëve!
Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, ka shprehur sërish dje shqetësimin për bllokimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Bllokimi i këtij buxheti po mban peng realizimin e një sërë investimesh në rrugë, shkolla, kopshte, çerdhe, duke cenuar drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës e duke mos kursyer as të vdekurit. Komunikimin me mediat z. Bozdo e bëri në bllokun e banimit të kufizuar nga rruga “Muhamet Gjollesha” – “Myslym Shyri” – Rruga e Kavajës me kufirin e njësisë bashkiake nr. 10, për rikualifikimin e të cilit, në buxhetin e Bashkisë është parashikuar një fond prej 117.044.470 lekësh. Në këtë bllok banimi nuk është investuar prej 20 vitesh, ndonëse ndodhet në zemër të Tiranës. “Zgjodhëm këtë komunikim, për të dhënë shembullin konkret se çfarë ka sjellë bllokimi, tashmë prej 4 muajsh, në mënyrë të pakuptimtë i buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Pas meje ndodhet rruga “Nikolla Lena”, në zemër të Tiranës, një rrugë e cila së bashku me rrugët kufizuese është zgjedhur si projekt i kualifikimit të plotë urban. Është një projekt i Bashkisë së Tiranës me vlerë investimi, 117 milionë lekë (të reja), një sipërfaqe urbane prej 12 ha, kemi të bëjmë me 1.3 km rrugë parësore dhe 1.9 km rrugë dytësore. Afati i punimeve është 12 muaj, çka do të thotë se në çastin që projekti na zhbllokohet, në një vit ne rikuperojmë nga ana urbane të gjithë bllokun dhe rikuperimi ka të bëjë jo vetëm me shtrimin e rrugëve por me gjithë rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, sipërfaqe të gjelbra, vendet e depozitimit të mbeturinave, ndriçimin, trotuaret, parkimet, vendet e sigurta për kalimtarët, pra kemi të bëjmë me një projekt kompleks. Prej 4 muajsh, ky projekt por edhe të tjerë që kanë lidhje me çerdhet, kopshtet, shkollat, varrezat (problemin më të madh social që ka sot Tirana) janë të bllokuar. Janë bllokuar sepse konflikti politik, për fat të keq ka prekur interesat e qytetarëve të Tiranës, interesat e Tiranës”, – u shpreh Bozdo. Më tej nënkryetari i Bashkisë i ka bërë sërish thirrje Kryeministrit Rama ta nxjerrë Bashkinë nga konflikti politik dhe të mos bllokojë investimet për qytetarët. “Edhe një herë, gjej rastin këtu për t’u bërë thirrje kryeministrit, të dërguarve të tij, institucioneve që me projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës luajnë pingpong (e miratojmë, nuk e miratojmë) e kjo histori vazhdon kështu prej 4 muajsh, që ta lënë Tiranën jashtë konfliktit politik, t’u japin mundësi qytetarëve të kryeqytetit të jetojnë një jetë më të mirë. Ne kemi paratë, mundësitë, kemi projektet të cilat nuk i kemi gjetur në kohën kur z. Rama ka lënë Bashkinë e Tiranës, i kemi të gjitha mundësitë që ta rikuperojmë këtë bllok e shumë blloqe të tjera, të ndërtojmë shumë shkolla, çerdhe e kopshte por z. Rama vetëm të japë mundësinë që projekt-buxheti të miratohet. Kjo është një thirrje qytetare që vjen nga zemra e qytetit të Tiranës”, – theksoi Bozdo.
U dhanë para pas vdekjes, SHSSH denoncon administratoren e Komunës Bulgarec
Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror në Korçë ka denoncuar në Prokurorinë e Rrethit administratoren e ndihmës ekonomike dhe PAK në Komunën Qendër Bulgarec të Qarkut Korçë me motivacionin e shpërdorimit të detyrës dhe shkaktim dëmi ekonomik. Denoncimi është bërë pas kontrollit të ushtruar në muajin shkurt 2014 për zbatimin e legjislacionit për përfitimin e pagesës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar si dhe realizimin e detyrave të lëna nga kontrolli i mëparshëm. 109 familje kanë përfituar ndihmë ekonomike në vitin 2013 në shkelje të VKM nr. 787 datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”. 62 familje që në momentin e kryerjes së kontrollit nuk ishin në skemën e ndihmës ekonomike, sepse ishin larguar nga skema nga administratorja, në vitin 2013 këto familje kanë përfituar ndihmë ekonomike, në kundërshtim me VKM nr. 787 datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”, i ndryshuar.
Në 2 raste janë kryer pagesave për personat para dhe tetraplegjik dhe kujdestarët e tyre, pas vdekjes së personave me aftësi të kufizuar, në kundërshtim me VKM nr. 618, datë 7.9.2006 “Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuar”, duke i shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit prej 142.000 lekë, ndërsa në 1 rast personi me aftësi të kufizuara është trajtuar pas përfundimit të afatit të përcaktuar në Vendimin e Komisionit Mjekësor, në kundërshtim me VKM nr. 618, datë 7.9.2006 “Për përcaktimin e kritereve,të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuar “, duke shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit në vlerën gjithsej 12.000 lekë.