Anxhela Tato
Banorët gjetën “bazooka” të braktisur afër liqenit, u dërgua në laborator për ekspertizë balistike
Dosja hetimore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, asnjë provë rreth autorëve dhe motivit
Zbulohet një antitank, i cili dyshohet se mund të jetë përdorur në atentatin ndaj kryekomunarit të Farkës, Fatbardh Plaku. Kanë qenë banorë të zonës, të cilët kanë njoftuar në polici gjetjen e një “bazooka” të braktisur në afërsi të liqenit. Menjëherë forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke kryer veprimet procedurale. Antitanku është dërguar në laboratorin shkencor për ekzaminimin balistik. Ndërsa pritet që brenda pak ditësh të jetë gati raporti shkencor, i cili do të dorëzohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndonëse momentalisht nuk ka ende asnjë provë që të çojë në identifikimin e autorëve të ngjarjes. Hetimet e akuzës kanë ngecur në mungesë provash, ndërsa vetë kryekomunari nuk ka dhënë asnjë lloj indiceje për shkakun e krimit. Dosja hetimore u kaloi Krimeve të Rënda me motivacionin se atentati lidhet me funksionin e Fatbardh Plakut. Por nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës nuk referoi asnjë provë që mund ta vërtetojë këtë dyshim. E vetmja fjali që shkruhej në shkresën e shpalljes së moskompetencës lëndore ishte: Hetimi i kalon Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të detyrës së kryekomunarit të Farkës, Fatbardh Plaku. Ndërkohë që vetëm një ditë pas krimit policia ka marrë në dorëzim pamjet filmike të kamerave të sigurisë, me urdhër të organit të akuzës. Vetë Fatbardh Plaku i pyetur ditën e ngjarjes ka deklaruar se blutë nuk kishin sekuestruar kamerat që ndodhen të montuara në vilën e tij.
Ngjarja
Krimi ndodhi mëngjesin e 25 marsit, kur banesa e kryekomunarit u godit me antitank. Predha nuk arriti të shpërthente për shkak të barutit të skaduar, ndërsa ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë. Sipas prokurorisë, goditja është bërë me antitank. Është gjetur predha e ngulur në mur, pasi ka çarë dy faqe muri dhe ka ngelur mes murit të jashtëm dhe korridorit, pa hyrë në brendësi të banesës. “Goditja është bërë në fushëpamje të pjerrët nga krahu i xhamisë që ndodhet në afërsi të shtëpisë. Mendohet se është përdorur ky vend për sulmin, pasi muri rrethues i vilës nuk e lejonte goditjen e banesës me predhë në fushëpamje horizontale sepse fuqia e predhës do ndalonte në murin e avllisë”, – pjesë e hetimeve të policisë. Sipas ekspertëve të Policisë Shkencore, predha është aktivizuar vetëm me ndezësin dhe nuk ka kryer shpërthimin e fazës së dytë. Këto lloj predhash kanë dy dhoma baruti, njëra më e vogël që ka të bëjë me ndezësin dhe që vendos në lëvizje predhën, dhe e dyta, që ka 400 gramë eksploziv dhe është programuar për t’u aktivizuar në momentin që predha godet objektivin. Pikërisht ky shpërthim i dytë nuk ka ndodhur. Sipas ekspertëve depozita e dytë me 400 gramë eksploziv është e lidhur edhe me një bombol oksigjeni, e cila në momentin e shpërthimit të plotë të predhës krijon një nxehtësi të lartë, pasi predha të tilla janë prodhuar me qëllim goditjen dhe shkrirjen e tankeve.
Ilia Kareli/ Ekspertizë mjekoligjore zemrës dhe indeve, rezultatet do t’i dërgohen Prokurorisë
Nis ekspertiza mjekoligjore e zemrës së të ndjerit Ilia Kareli, i cili u dhunua barbarisht nga gardianët e burgut të Nigritas. Zemra, e cila u mbajt nga ekspertët mjekoligjorë grekë për testet histologjike, mbërriti mbrëmjen e së mërkurës në Shqipëri nga Greqia, ku u mor në dorëzim nga një prokuror dhe një ekspert mjekoligjor shqiptar. Rezultatet e ekspertizës mjekoligjore shqiptare do t’i dërgohen Prokurorisë së Fierit, e cila ka hapur hetim për vdekjen nga dhuna të të dënuarit shqiptar, 42-vjeçarit Kudret Kume, i njohur në Greqi si Ilia Kareli. Pas testeve histologjike të kryera me indet e zemrës dhe trupit të shqiptarit Ilia Kareli, mjekësia ligjore greke doli në përfundimin se 42-vjeçari ka pasur një ngushtim të hershëm në një nga enët koronare të zemrës, problem që në kombinim me thyerjen e disa brinjëve në kafazin e kraharorit, ka shkaktuar vdekjen e tij. Gjithashtu nga testet laboratorike, ekspertët grekë vërtetuan se mbi të dënuarin nuk është ushtruar dhunë me ndonjë elektroshok dhe se plaga ne dorën e tij ishte shumë më e vjetër. Rezultatet e këtij ekzaminimi histologjik i ka në dispozicion prokuroria e Serresit në Greqi dhe janë përfshirë në aktakuzën ndaj rojeve të burgut të Nigritas, ku gjeti vdekjen shqiptari Ilia Kareli. Ekspertiza histologjie greke zbut akuzat dhe pozicionin e 15 gardianëve që masakruan barbarisht Ilia Karelin. Sipas shtetit helen i dënuari shqiptar ka vuajtur nga probleme kardiake dhe goditjet nga dhuna kanë qenë vdekjeprurëse për zemrën. Konkluzioni i ekspertëve dyshohet se është një justifikim për të kamufluar shkaqet reale dhe masakrimet rrëqethëse që i morrin jetën 42-vjeçarit shqiptar. Kjo ekspertizë bie në kundërshtimin me autopsinë e realizuar nga vetë mjekët grek, të cilët arritën në përfundimin se thyerja e dërrasës së kraharorit i morri jetën Ilia Karelit. Në mbështetje të autopsisë janë edhe pamjet filmike të videos, të cilat zbulojnë dhe qartësojnë torturën në qelinë “frigorifer” ku Kareli u mbaj për dy orë e dyzet e pesë minuta dhe më pas u flak në qeli në mënyrë çnjerëzore, duke e lënë të shtirë lakuriq në agoni, pa ndihmë mjekësore dhe pa minimumin e përkujdesjes. Urrejtja dhe hakmarrja e policisë helene konstatohet në shenjat e dhunës që mban trupi i Karelit, në aktet barbare dhe torturat, gjatë të cilave iu hoqën thonjtë e duarve e të këmbëve, iu shkëputën indet e duarve dhe iu bënë vrima në trup me thikë.
Tiranë/ Shfrytëzonin lokalin për prostitucion, pranga 3 personave
Policia e Tiranës dhe Seksioni kundër Trafiqeve ka bërë të mundur që mbrëmjen e djeshme të bllokojë një lokal në kryeqytet që shërbente si bazë prostitucioni. Ndërkohë, janë arrestuar në flagrancë edhe 3 shtetas si dhe janë lënë për procedim në gjendje të lirë 2 të tjerë. Kështu në pranga të policisë kanë përfunduar Agron Koçi, 40 vjeç; Liljana Aliko, 24 vjeç; si dhe Oltion Mehmeti, 28 vjeç. Ndërsa në gjendje të lirë po procedohen shtetasit Hekuran B., 56 vjeç, si dhe Nazmije V., 47 vjeç. Materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “Shfrytëzimit për prostitucion” dhe “Prostitucion”.
Bulqizë/ Shpërthen granata në minierë, plagoset minatori
Një minator ka mbetur i plagosur në minierën e Bulqizës, teksa pranë tij ka shpërthyer një granatë që përdorej për hapjen e njësive të reja të kromit. I plagosuri është, Petrit Gjoni, 54 vjeç, i cili është dërguar fillimisht në spitalin e Bulqizës dhe më pas është nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Në vendngjarje kanë mbërritur blutë e Bulqizës që kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të kësaj ngjarje.
Tiranë/ Tentuan të grabisnin argjendarinë, arrestohen 2 persona
Një vjedhje me dhunë në një argjendari është mundur të parandalohet në kohë nga policia e kryeqytetit ditën e djeshme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30 në rrugën “Luigj Gurakuqi”. Efektivët e policisë të komisariatit nr. 1 kanë arrestuar dy persona të cilët kishin planifikuar të kryenin vjedhjen, Arqile Voci, 25 vjeç, dhe Emiliano V., 24 vjeç. Blutë e kryeqytetit kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale motorin me të cilin po udhëtonin dy personat.