Serveri i Tatimeve/ Ekspertiza, e paaftë të zbulojë si dhe kur ndodhi fshirja e të dhënave  

0
171

Anxhela Tato

 

Dëshmia në Prokurori e ekspertëve: Nuk kemi pajisje dhe programe që të gjejmë kur u ndërhy në server

 Policia Shkencore kthen përgjigje, e pamundur të provohet nëse të dhënat u zhdukën në nëntor 2013

 

briselda shehajPolicia Shkencore, e paaftë për të zbuluar se si dhe kur ka ndodhur fshirja e të dhënave nga serveri i Tatimeve. Vetë para pak ditësh, blutë e Shkencores i kanë kthyer përgjigje kërkesës së organit të akuzës, duke bërë me dije se është e pamundur të gjendet periudha kohore kur janë zhdukur këto dhëna. Pavarësisht nga ndihma e kërkuar FBI-së, ekspertët janë shprehur se nuk kanë pajisje teknike për të zbuluar klonimin e 4.3 milionë deklaratave, e cila do t’u jepte një përgjigje përfundimtare hetimeve. Nga ana e organit të akuzës janë marrë në pyetje ekspertët, të cilët kanë arritur në përfundimin se nuk mund të zbulohet dhe as të saktësohet afati kohor, kur janë fshirë të dhënat nga serveri. Prokuroria ka dashur të verifikojë nëse klonimi ka ndodhur në kohen e auditit në nëntor 2013, por ekspertët kanë thënë se është e pamundur për shkak të mungesës së programeve dhe pajisjeve. Pra për ekspertët ngërçi është mungesa e pajisjeve elektronike, të cilët do të zbardhin datën e zhdukjes së të dhënave dhe personin përgjegjës. Me këtë përgjigje hetimet kanë ngecur sërish, duke mbajtur peng zbulimin e kësaj çështjeje kaq delikate, e cila u shndërrua edhe në mollën e sherrit mes politikanëve. Prokuroria ka kërkuar ndihmë nga ekspertët amerikanë për zbardhjen e ndërhyrjes kompjuterike. Kërkesa e organit të akuzës është paraqitur kohët e fundit, pasi Policia Shkencore ktheu përgjigjen zyrtare se nuk arriti të kuptonte shkakun e fshirjes së të dhënave nga sistemi i Tatimeve. Rreth katër javë më parë mësohet se sektori i Policisë Shkencore ka dorëzuar një raport ekspertimi, në të cilin përshkruhet një pjesë e veprimeve të kryera në server, por nuk përcaktohet shkaku i fshirjes së të dhënave, mënyra si është kryer ky veprim dhe autori i zhdukjes së dosjeve. Për shkak të hetimit ende të hapur dhe mungesës së një prove që përcakton përgjegjësin e fshirjes së të dhënave, Prokuroria mësohet se i është drejtuar palës amerikane për asistencë në hetimin e rastit. Një përfaqësues si Ambasadës Amerikane dhe një zyrtar i FBI-së u takuan me prokurorin e çështjes dhe kreun e Njësisë Task-Forcë në Prokurori.

 

Pamjet

 

Nëpërmjet një videoje të marrë nga kamerat e sigurisë së Drejtorisë së Tatimeve, të publikuar më 24 janar të këtij viti, në një prej televizioneve në vend, zbardhen detaje të reja që tregojnë se çfarë ka ndodhur në këtë institucion disa ditë para se të konstatohej problemi në serverë. Pamjet filmike tregojnë të gjitha lëvizjet që janë bërë në zyrën e serverëve të Tatimeve në datat 15-17 nëntor të vitit 2013. Në të shihet i dërguari i Ministrisë së Financave, Ermal Beqiri, në zyrën e drejtores së Tatimeve, Briselda Shehaj, deputeti Spartak Braho, si dhe grupi i auditit. Duke iu referuar videos, ky i fundit duket se ka qëndruar 2 herë nga 12 orë në zyrën e serverëve. Problemi me të dhënat u konstatua më datë 21 nëntor të vitit 2013, ditë në të cilën drejtorja e Tatimeve kallëzoi drejtorin e IT-së, Renald Rista, për ndërhyrje në të dhëna, i cili në mbrëmje të po asaj dite u arrestua nga policia e Tiranës bashkë me tre persona të tjerë, por pak ditë më pas u la i lirë nga gjykata. Më 12 nëntor, Ministria e Financave dërgoi në Drejtorinë e Tatimeve një grup auditi për sistemin e IT-së, i cili kishte për qëllim kontrollin e funksionalitetit të infrastrukturës së sistemit të IT-së, të drejtën për akses dhe mirëmbajtjes së sistemit. Por, sipas dëshmive të Ristës, dhënë në Prokurorinë e Tiranës, grupi ka hyrë në ambientet e serverëve të IT-së, nga ku lind edhe debati mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes së grupit të auditit në servera.

 

 

Tiranë/ Tenton të vetëdigjet ish-i burgosuri politik, ndërhyn policia

 

Një ish-i burgosur politik ka tentuar të vetëdigjet me benzinë para Parlamentit. Kujtim Kaziu, ndërsa ka qenë duke dhenë një deklaratë për mediat, ka nxjerrë shishen e benzinës dhe ka tentuar t’ia hedhë trupit, por ndërhyrja e forcave të policisë e ka lënë në tentativë aktin ekstrem. Forcat e komisariatit numër 1 të kryeqytetit ndodheshin para Parlamentit, pasi një grup ish-të përndjekurish politikë kishin paralajmëruar një protestë paqësore, para fillimit të seancës së sotme parlamentare. Fatmirësisht, gjithçka ka përfunduar pa pasoja, pasi policia ka ndërhyrë, duke e penguar ish-të përndjekurin politik që të nxjerrë çakmakun dhe t’i vë flakën vetes. Jo zyrtarisht mësohet se mund të ketë një rinisje të grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë, pas asaj të tetorit të vitit 2012.

 

 

Lihet i lirë Emiljano Shullazi, u përfshi në një konflikt pronësie

 

Është lënë i lirë pas 24 orësh Emiljano Shullazi, i cili u ndalua pas përfshirjes në një konflikt pronësie. Ngjarja ndodhi të mërkurën në mbrëmje, kur policia njoftoi ndalimin e Shullazit rreth orës 22:00 në afërsi të Pallatit me Shigjeta. Shullazi ishte përfshirë në një konflikt, por pas ndalimit nga policia nuk iu gjetën armë apo sende të ndaluara. Ai është arrestuar të paktën 3 herë nga policia si anëtar i një bande, për kërcënime apo armëmbajtje pa leje, trafik lëndësh narkotike. Emiljano Shullazi është një emër i njohur për drejtësinë në Shqipëri.

 

 

Shkodër/ U plagos para 3 javësh, vdes në spital Renato Gjoka

 

37-vjeçari Renato Gjoka, i cili tri javë më parë mbeti i plagosur në një atentat me armë zjarri në qytetin e Shkodrës, ndërroi dje jetë në spitalin e këtij qyteti. Gjendja e 37-vjeçarit, i cili mori plagë në pjesë të ndryshme të trupit, sipas bluzave të bardha, paraqitej e rëndë. Renato Gjoka u plagos mbrëmjen e 4 marsit në lagjen “Salo Halili” të metropolit verior nga dy persona të cilët u larguan me makinë. Policia vijon hetimet për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

 

 

 

Trukimi i ndeshjeve/ Delegacioni i UEFA-s i kërkon informacion Prokurorisë

 

Shitja dhe trukimi i ndeshjeve të futbollit ka qenë qëllimi i takimit mes një delegacioni të UEFA-s në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndonëse takimi është tentuar të mbahet jashtë vëmendjes së medias, mësohet se UEFA ka kërkuar informacione për procedimet për veprën penale të trukimit të ndeshjeve. Nga delegacioni janë kërkuar të dhëna për rastet e proceduara si dhe numrin e personave të dënuar. Nga burime të organit të akuzës bëhet me dije se delegacioni ka kërkuar që t’i jepen të gjitha detajet e nevojshme për të kuptuar situatën e ekipeve të futbollit në vendin tonë si dhe abuzimet që ndodhin me lojën. Përfaqësuesit e UEFA-s janë shprehur se në rast konstatimi të trupimit, do të merret masa e përjashtimit të ekipit për të marrë pjesë në kompeticionet evropiane. Por kjo masë është e vlefshme vetëm në rastet kur mbyllet procedimi penal nga ana e Prokurorisë. Ndërsa përfaqësuesi i akuzës i ka bërë me dije delegacionit se aktualisht janë tre dosje hetimore në mbarë vendin për akuzën e trukimit të ndeshjeve me qëllim përfitimin financiar. Por asnjë person nuk është dënuar për këtë akuzë, pasi hetimet janë në vijim e sipër. Ndër rastet më flagrante dhe abuzive është ai i Nexhat Bizhdilit, presidentit të Besës. Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, sipas Prokurorisë, akuzohet se ka kryer veprën penale të “Paracaktimit të rezultateve në garat sportive” nga disa shtetas maqedonas, serbë, si dhe shtetasi i njohur me emrin “Nexhi”, i cili më pas rezultoi të ishte Shpëtim alias Nexhat Bizhdili, i cili pritet të merret i pandehur. Këta shtetas, sipas prokurorisë, kanë influencuar në paracaktimin e garave sportive në 7 ndeshje mes Kategorisë Superiore dhe kampionateve të të rinjve U-19 dhe U-17, me qëllim fitimin pasuror. Institucioni i akuzës ka zbardhur detajet për të gjitha ndeshjet e dyshuara për trukim. Ndërsa rasti i dytë i përket një arbitri, të akuzuar për marrje ryshfeti me qëllim manipulim rezultateve të ndeshjes. Por emri i tij nuk është bërë me dije për arsye hetimore. Ndërsa asnjë informacion në lidhje me rastin e tretë që është nën hetim nga akuza.