Ervin Kaduku
– Arsimi do të vijojë të mos paguajë TVSH, ndërkohë që rihyjnë në skemë reklamat në media, materialet e ndërtimit për HEC-et dhe operacionet e kërkimeve nëntokësore
Ka paraqitur dje në Ministrinë e Financave kreu i këtij dikasteri Shkëlqim Cani projektligjin e ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Projektligji i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që është hartuar tashmë nga Ministria e Financave, është përfshirë tashmë në diskutime me grupet e interesit. Ky projektligj do të shfuqizojë ligjin ekzistues për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
Reklamat në media
Reklamat që do të publikohen apo do të transmetohen në media parashikohet të paguajnë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Siç përcaktohet në projektligj, reklamat nga media e shkruar ose elektronike nuk janë të përjashtuara nga TVSH. Kjo përbënte një shqetësim për agjencitë publicitare të cilat duhet të paguanin TVSH dhe prandaj i faturonin kompanitë me një çmim automatikisht 20% më të lartë, çka shtyu bizneset të lidheshin direkt me mediat duke shmangur këtë kosto.
Ndërkohë, vetë aktiviteti i medias do të vijojë të mbetet e përjashtuar nga TVSH. “Furnizimet e shtypshkronjave, gazetave, revistave dhe librave, përveç reklamës, e kemi mbartur si të përjashtuar, por theksojmë se direktivat evropiane nuk e kanë të përjashtuar”, – theksohet në relacionin e TVSH.
Përjashtimet
Ndërkohë, shërbimet financiare në përgjithësi me ndonjë ndryshim të vogël do të mbeten të përjashtuara në përputhje edhe me direktivën; pullat postare, pulla të taksës e të ngjashme; lojërat e fatit, bastet; furnizimi i ndërtesave; tokës, qiradhënia e ndërtesave me disa përjashtime.
Furnizimi i kartave të identitetit po ashtu është specifik, pasi Direktiva nuk e ka një parashikim të tillë.
Mjekësia
Ulja e TVSH-së së barnave, e cila ka hyrë tashmë në fuqi përmes një udhëzimi të qeverisë, do të përfshihet edhe në ligjin e ri për të këtë taksë. Furnizimi i barnave, shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, është furnizim i përjashtuar nga TVSH. Për barnat e importuara dhe të prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit me çmimin me TVSH 10%, me qëllim për t’u tregtuar (shitur) që rezultojnë gjendje në subjektet farmaceutike deri në datën 1 prill 2014, do të aplikohet TVSH-ja në shitje siç rezulton e shënuar në pullë.
Operacionet e përjashtuara sipas këtij ligji janë: shërbimet shëndetësore dhe furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të lidhura ngushtë me to, të kryera si nga institucionet shëndetësore publike dhe nga ato private, por këto të fundit duhet të kryejnë shërbimin në kushte sociale të krahasueshme me ato publike që të përfitojnë nga përjashtimi.
Ndërkohë, përjashtohen nga TVSH edhe shërbimet e mjekëve në kuadër të ushtrimit të profesionit të tyre, të licencuar nga autoriteti kompetent shëndetësor, shërbimet e stomatologëve dhe laborantëve dentarë në kuadër të ushtrimit të profesionit, furnizimi i organeve, gjakut, qumështit njerëzor, shërbimet dhe mallrat që kanë të bëjnë me ndihmën sociale, mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, furnizimi i shërbimeve sportive, kulturore kur këto shërbime kryhen nga organizata pa qëllim fitimi dhe me çmime të cilat, nëse nuk janë të aprovuara nga institucionet përkatëse, janë jokonkurruese. Këtu është vendosur si kriter çmimi nën 50% të çmimeve të tregut siç është aktualisht sipas VKM-së, pra që të rezultojë si masë e marrë për çmime që nuk janë konkurruese me subjektet me TVSH dhe nuk kanë për qëllim fitimin.
Arsimi
Arsimi do të jetë vijojë të mbetet i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe universitetet private do të vijojnë të mos paguajnë TVSH.
Sipas relacionit të TVSH, ato që përjashtohen nga kjo taksë janë furnizimet e shërbimeve të mësimdhënies shkollore dhe universitare sipas ligjeve specifike si dhe furnizimi i mësimdhënies shkollore apo universitare nga mësuesit në emër personal.
HEC-et dhe nafta
Gjithashtu rikthehet TVSH për furnizimin e hekurit dhe çimentos ndaj subjekteve ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat, në bazë të marrëveshjes respektive, i përdorin si lëndë të parë për ndërtimin e hidrocentraleve. Përjashtimi nga TVSH ishte një masë e ndërmarrë nga qeveria e mëparshme me qëllim nxitjen e investimeve në energjetikë dhe mbështetjen e sipërmarrësve, duke lehtësuar kostot.
Ndërkohë edhe përjashtimi nga TVSH për furnizimet e shërbimeve të destinuara për realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që punojnë për realizimin e këtyre fazave, si dhe furnizimi i mallrave që bëjnë kontraktorët për njëri-tjetrin ose nënkontraktorët për kontraktorët e tyre është hequr. Të gjitha këto shërbime tashmë do të jenë pjesë e TVSH.