Reforma administrative/ Të hënën nis në Kuvend pa opozitën, mazhoranca: E mbyllim hartën territoriale brenda qershorit

0
140

Gëzim Saliu

 

Fino: Me opozitën në komision, reforma më radikale. Çuçi: Llogarinë e kemi me shqiptarët

fino dhe cuciNga e hëna do të nisë punën komisioni i posaçëm për reformën administrative territoriale, ku kërkesës së opozitës për pjesëmarrjen në të vetëm pas konsensusit të plotë, mazhoranca i është përgjigjur dje duke pohuar se llogaridhënia parësore është ndaj shqiptarëve. Bashkëkryetari i komisionit, deputeti socialist Bashkim Fino si edhe ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi theksuan se harta e re territoriale e vendit do të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar. “Ne do të respektojmë Kushtetutën që këto variante që ne si komision do t’i pranojmë do t’i kalojmë pastaj për dy muaj siç thotë Kushtetuta në diskutim të gjerë popullor me gjithë këshillat komunar, bashkitë, kryetarët e bashkive, kryetarët e qarqeve, prefektët e kështu me radhë”, – tha Fino. Nga ana e tij, ministri Çuçi nuk nguroi të kujtojë se mazhoranca ka përgjegjësi vetëm ndaj qytetarëve. “Llogarinë e parë që kemi ne e kemi me shqiptarët dhe duhet të japim llogari përpara shqiptarëve, ky është një moment që ne duhet të japim llogari përpara shqiptarëve për premtimet që kemi bërë në fushatën elektorale përpara zgjedhjeve të 23 qershorit”, – tha ai.

 

Deklarimet

Sipas deputetit socialist, opozita i ka të hapur dyert për t’u bërë pjesë e komisionit, edhe pse mazhoranca nuk ndryshon qëndrimin e saj për mosdhënien e konsensusit deri në votimin në Kuvend të reformës. “Ftoj kolegët e opozitës t’u bashkohen punimeve të komisionit tonë dhe të kontribuojnë në një reformë kaq të rëndësishme për vendin tonë. Ne jemi të gatshëm që nënte vendet që opozita i ka, le të vijnë dhe të japin kontributin e tyre me një ndryshim të vogël që ne do ta kalojmë në Kuvend një emër të nënte të tyre dhe do të fillojmë nga puna”, – deklaroi Fino. Më tej, ai bëri të ditur se reforma administrative-territoriale është reforma më e rëndësishme e shtetit dhe do të hapë sipas tij, vizionin e zhvillimit vendor dhe fuqizimit real të qeverive vendore. “Mbledhjet e komisionit do të jenë publike, do të jenë shumë të hapura, do të jenë shumë transparente për të gjithë dhe çdo vendimmarrje dhe çdo variant që do të paraqitet për ndarjen e re territoriale të vendit do të jetë në fokusin tuaj”, – theksoi ai, duke shtuar se vendimi i marrë dy ditë më parë nga Parlamenti, ku opozitës iu hoq një anëtar, i dha fund bllokimit politik të komisionit dhe hapi rrugën e miratimit të kritereve teknike mbi të cilat do të vendoset ndarja e re territoriale-administrative. Ndërkohë, ministri Çuçi nënvizoi se përmes këtij procesi do të sigurohet një bashkëpunim me rezultat mes Parlamentit dhe qeverisë. “Duhet të rendim të kapim kohën që kemi humbur gjatë periudhës së pritjes së opozitës për t’u bërë pjesë e reformës”.

 

 

Pa media në Presidencë/ Arvizu takon Nishanin, bisedat, nga territorialja, droga dhe kompetencat e kreut të shtetit

 

Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, zhvilloi një takim paraditen e djeshme me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Në takimin e mbajtur në Presidencë rreth orës 12:00 të mesditës, ku nuk kanë qenë të njoftuara mediat, mësohet se në qendër të bisedimeve mes diplomatit të Uashingtonit dhe kreut të shtetit shqiptar, kanë qenë ngjarjet e aktualitetit dhe situata politike në vend. Dy ditë më parë, Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës projektvendimin për ndryshimin e përbërjes së komisionit të reformës territoriale, si dhe ngritjen e komisionit hetimor për akuzat e përfshirjes së ushtrisë në trafik droge, ngjarje këto që besohet se ishin në qendër të diskutimit mes palëve. Po ashtu, një tjetër temë diskutimi mund të ketë qenë edhe heqja e disa kompetencave të Presidentit, pasi Kuvendi i hoqi Presidentit të drejtën për të propozuar kreun e ILDKP-së.

 

Ngërçi i legalizimeve në Tiranë/ Lame: Bllokim prej planeve rregulluese. Bashkia: Ke hallin e pallatit që more në kohën e Ramës

 

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, akuzoi dje Bashkinë e Tiranës se ka refuzuar të bashkëpunojë, por edhe kryetarin e Bashkisë Kamëz si dhe të Komunës Paskuqan për bllokim të procesit të legalizimit, pasi në planet e tyre rregulluese, sipas tij, kanë parashikuar ndërtimet e larta. “Ligji ekzistues i Bashkisë parashikon moslegalizimin e objekteve në ato zona ku studimet parashikojnë ndërtimet mbi 5 kate. Ky ligj i 2006-ës është ende në fuqi”, – tha ai, duke theksuar se është gjetur zgjidhja për ngërçin e legalizimeve të banesave në tokën e pronarëve dhe këtë propozim i ka vënë në diskutim në komisionet parlamentare. “Qytetarët të mos ndikohen, sepse kemi gjetur zgjidhjen nga ky ligj absurd që i ka ngatërruar. Në komisione parlamentare kemi parashtruar qartazi zgjidhjen dhe deputetët e opozitës ishin kundër, ftoj opozitën të qartësojë qëndrimin”, – u shpreh ai. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës lidhur me deklaratat e kreut të ALUIZNI-t, duke pohuar: “Lame nuk është i shqetësuar për qytetarët e kryeqytetit, por për pallatin e tij, të cilin e ka të ndërtuar në shkelje të ligjit në kohën kur Edi Rama ishte kryetar Bashkie. “Kur nuk ke ç’i bën gomarit, i bie samarit”, – thotë populli. Edhe zoti Lame kërkon të fshehë përgjegjësinë e tij të gënjeshtrave ndaj qytetarëve, duke sulmuar Bashkinë. Lame gënjen se në të vetmin takim që ka ftuar Bashkinë, përfaqësuesit e saj kanë qenë aty. Bashkia e Tiranës e ka dëshmuar me vepra se ka qenë dhe është e përkushtuar të zgjidhë sa të jetë e mundur kaosin ku e futën Tiranën Lame dhe Rama”, – thuhej në reagim, ku nënvizohej kërkesa për adresimin e problematikës në ndryshimet ligjore. Po ashtu edhe Bashkia Kamëz reagoi ndaj akuzave të kreut të ALUIZNI-t, duke i konsideruar qesharake deklaratat lidhur me ngërçin e legalizimeve. “Sot qytetarët e Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë janë përballë një premtimi të pambajtur, pasi kanë dëgjuar me zë dhe figurë nga goja e Lames dhe Kryeministrit Rama se nuk do të ketë legalizime falas të ndërtimeve pa leje. Ndaj, kërkojmë sot prej Lames dhe shefit të tij, Ramës, që t’u kërkojë falje qytetarëve të Kamzës për atë zotim. Në Bashkinë Kamëz mbi 90% e ndërtimeve pa leje janë 1-3-katëshe. I kujtojmë z. Lame dhe Edi Ramës edhe një herë se jo vetëm nuk po mbajnë zotimin për legalizime falas, por ndërkohë me ndryshimet që propozojnë ata në ligjin e legalizimeve, do të jetë dhe më e madhe pagesa që qytetarët duhet të derdhin për llogari të ALUIZNI-t, nëse do të duan të ligjërojnë ndërtimet e tyre”, – theksohej në deklaratë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency