Gëzim Saliu
Takimi i përbashkët mes dy doganave: Krijohet Këshilli Ekonomik Kombëtar, ngrihen terminalet e përbashkëta doganore. Rama: Heqim çmimin e referencës dhe njësojmë certifikatat sanitare
Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ekzistojë më nga pikëpamja doganore, pasi të dyja vendet do të kenë pika të përbashkëta të shkëmbimit tregtar. Kështu pohoi dje Kryeministri Edi Rama në takimin e parë të Dhomës Kombëtare të Tregtisë të krijuar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Kukës, ku merrnin pjesë ministrat e Financave të dy vendeve, drejtorët përkatës të doganave si dhe anëtarët e këtij institucioni të përbashkët. “Është e pamundur që ne të shkojmë më tutje, pa pasur një terminal të përbashkët doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Krijimi i terminaleve të përbashkëta, por edhe i zyrave të përbashkëta doganore është një domosdoshmëri, besojmë, për të hapur pastaj, procesin e lehtësimit në të gjitha aspektet. Konkretisht, terminali i përbashkët i Morinë – Vermicës dhe zyrat doganore të përbashkëta të Morinë – Tropojës dhe të Qafë-Prush – Hasit janë në rendin e ditës”, – tha Rama.
Takimi
Sipas kreut të qeverisë, takimi i djeshëm ishte një hap i madh përpara në kuadër të shkrirjes doganore mes dy vendeve përmes transformimit të procedurave doganore, ku theksoi Rama, nga dy ditë të kohës që shpenzojnë sot eksportuesit e importuesit në doganë, do të bëhen në vetëm dhjetë minuta. Në këtë kontekst, Kryeministri bëri të ditur nismën për certifikimin kombëtar unik për produktet bujqësore. “Na duhet një certifikim kombëtar, pavarësisht nëse e ka lëshuar një agjenci në Shqipëri apo e ka lëshuar një agjenci në Kosovë. Agjencia në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të funksionojë si pjesë e të njëjtit zinxhir. Dokumentin e agjencisë në Kosovë duhet ta njohë Shqipëria njësoj si ta kishte lëshuar vetë dhe dokumentin e agjencisë në Shqipëri duhet ta njohin në Kosovë njësoj sikur ta kishte lëshuar vetë”, – deklaroi ai. Një tjetër hap i rëndësishëm, sipas kreut të qeverisë, në rritjen e shkëmbimit tregtar është edhe heqja tërësore e çmimeve të referencës me Kosovën. “Dhënia e përparësisë dhe procedurave të thjeshtuara në përpunimin e mallrave sensitive, duke përfshirë produktet ushqimore dhe blegtorale, që përbëjnë 80% të eksporteve të Kosovës në Shqipëri. Produkte ushqimore dhe blegtorale që përveç të tjerave nuk mund të presin. Nuk mund të presin as kohën që do të ishte normale, jo më kohën anormale që ne u imponojmë me regjimin absurd të doganës së dyfishtë dhe me regjimin absurd të dokumenteve të dyfishta të certifikimit”, – theksoi Rama. Në fund, kreu i ekzekutivit propozoi ngritjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar Shqipëri-Kosovë, i cili, sipas tij, duhet të organizojë takime periodike, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, me prezencën e gjithhershme të dy ministrave të Financave dhe të dy drejtorëve të Doganave. Besoj që ky Këshill Ekonomik Kombëtar Shqipëri Kosovë do të na japë mundësinë që, e para të jemi në kontakt të vazhdueshëm, sepse luftën me burokracinë e kemi të përbashkët. Ndërkohë, i pranishëm në këtë takim, ministri i Financave të Kosovës, Besim Beqaj, shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për t’i dhënë udhë projektit për menaxhimin e integruar të kufijve. “Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në secilën pikë për menaxhim të integruar të kufijve. Të luftojmë tregtinë informale”, – tha ai.
Intervista për gazetën “Dranas”
Rama: Vizita në Beograd në kohën e duhur, s’gjykojmë serbët. Temat e Kosovës dhe Preshevës
Edhe pse nuk ka ende një datë zyrtare për vizitën në Serbi, Kryeministri pritet që të shkelë shumë shpejt në Beograd. Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, Rama shprehu keqardhje që marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë përparuar ndër vite, ndërsa theksoi angazhimin për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit. “Besoj se vizita do të realizohet në kohën e duhur, që uroj të jetë një kohë e shpejtë, gjithsesi pas përfundimit me sukses dhe në të mirën e popullit serb të procesit politik në vendin e tyre”, – tha kreu i qeverisë. Nga ana tjetër, Rama deklaroi se pavarësisht nga çfarë mendon për Millosheviçin, qeveria e Tiranës nuk ka paragjykime ndaj zyrtarëve serbë dhe beson në sinqeritetin dhe orientimin e tyre panevropian. Sipas tij, demokratët në Serbi dhe të gjithë spektrit politik atje u është dashur të pranojnë dhe të shpjegojnë që Kosova qe një mision i pamundur. “Unë nuk di se si mund të ecet përpara duke mbajtur kokën pas. Nëse e kaluara do të vendoste të sotmen, atëherë padyshim s’do të ekzistonte e ardhmja. Ne i kemi thënë haptazi vlerësimet tona për Millosheviçin, dhe do t’i themi për këdo cenon paqen, sigurinë, progresin, stabilitetin e rajonit, por ne nuk kemi paragjykime. Ne besojmë në sinqeritetin e orientimit panevropian të zyrtarëve serbë, dhe kemi dëshirën që të ecim së bashku në rrugën evropiane si një destinacion brenda vetes, që do të thotë demokraci, mirëqenie, siguri në vendet tona dhe në rajon”, – pohoi ai. Nga ana tjetër, Rama theksoi se qeveria e tij nuk do të mbajë një qëndrim paternalist ndaj Kosovës dhe në tryezën e bisedimeve ajo do të trajtohet si një subjekt më vete. “Për sa u përket problemeve që mund të hasim në bashkëbisedime mund të jenë qëndrimet në lidhje me Kosovën. Gjej rastin të theksoj se qeveria shqiptare nuk do të mbajë një qëndrim paternalist ndaj shtetit të Kosovës. Për ne Kosova është një shtet i barabartë me shtetet e tjera në rajon. Në bisedimet tona me Beogradin, në rastet kur do të hapet tema e Kosovës, ne do të insistonim që Kosova të trajtohet, siç është, subjekt më vete. E në çdo rast nuk ka përse ne të flasim në emër të Kosovës”, – u shpreh Kryeministri i vendit, Rama, duke shtuar se me palën serbe përmes dialogut të hapur mund të zgjidhim më së miri çështjet të lidhura me minoritetet. “Nga ana tjetër, në Serbi ka një minoritet më të madh shqiptar, një pjesë e konsiderueshme e të cilit në Luginën e Preshevës, ku mijëra nxënës kanë problem në tekste mësimore në një kontekst dhe të papunësisë, problemeve ekonomike, të përfaqësimit etj.”, – theksoi ai.
Integrimi/ Ministrja Gjosha: Statusi është vetëm një hap përpara
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, deklaroi dje se procesi i integrimit është një sfidë që duhet të përfshijë të gjithë shqiptarët. Duke folur gjatë një takimi me nxënësit e shkollës “Aleksandër Moisiu” në Kavajë për gjithëpërfshirjen e të rinjve në procesin e integrimit, ministrja Gjosha theksoi: “Duhet të mendojmë për të ardhmen e brezave të rinj. Pa dije nuk ka integrim”. Nga ana tjetër, ministrja nënvizoi: “Statusi i vendit kandidat është vetëm një hap përpara. Është e nevojshme të evropianizohemi brenda nesh dhe të mos ndalemi me reformat. Shqipëria duhet të transformohet brenda vetes”. Në këtë kontekst, Gjosha theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet dhe standardet e BE-së.