Florenc Drizari
Bashkim Fino: Nuk ka lidhje fare harta territoriale-administrative për komunat dhe bashkitë me Kodin Zgjedhor
Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten e fundit ndryshimet në komisionin e posaçëm për reformën administrativo-territoriale, duke ia kaluar shumicën koalicionit qeverisës PS-LSI, ndërsa ditën e hënë pritet që ky komision të fillojë nga puna. Nga ana e saj, opozita ka paralajmëruar se një reformë e tillë nuk mund të bëhet e vetme dhe nëse kjo nismë do të ndodhë, mazhoranca do të përballet me protesta në rrugë e sheshe të Shqipërisë. Kjo çështje ka shoqëruar debatet politike prej disa javësh mes pozitës dhe opozitës dhe sipas qëndrimeve të fundit publike mes palëve, pritet që situata të vijojë e tensionuar. Opozita akuzon mazhorancën se me miratimin e vetme të kësaj reforme tentohet cenimi i zgjedhjeve të ardhshme vendore, ndërsa përpos këtyre qëndrimeve, mazhoranca thekson se një reformë e tillë është e domosdoshme jo vetëm për t’i kursyer vendit rreth 80 milionë dollarë në vit, por edhe për të miradministruar disa vendimmarrje lokale për të cilët pushteti vendor aktualisht nuk është në gjendje t’i realizojë. Përtej qëndrimeve politike për kohën në të cilën ndërmerret kjo reformë, referuar edhe marrëdhënieve aktuale mes pozitës dhe opozitës, duket se një tjetër ndarje është edhe në nivel teknik të kësaj reforme. Më konkretisht, përfaqësues të opozitës thonë se me ndryshimet që pretendohet të bëhen, reforma do të kërkojë ndryshime edhe të Kodit Zgjedhor. Nëse zmadhohet ose zvogëlohet një qark, ndikon në mënyrën se si funksionon sistemi zgjedhor dhe si zgjidhen deputetët, kanë thënë përfaqësues të opozitës. Sipas tyre, impakti që ka reforma duke sjellë dizenjimin e një harte të re, nuk është reformë. Deputetë të opozitës kanë thënë se të bësh kufij të ri të bashkive dhe komunave pa prekur asgjë tjetër, do të ndikonte tek Kodi Zgjedhor dhe do të kërkonte rishikimin e tij. Nëse kjo nuk bëhet, sipas opozitës, procesi do të sillte çudira në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe ato parlamentare. Por çfarë thotë mazhoranca, e cila duket e vendosur që këtë reformë ta mbyllë edhe pa opozitën brenda muajit korrik, edhe pse thirrjet për uljen e pakicës parlamentare në një tryezë nuk mungojnë.
Në konferencën e fundit për mediat, kryetari i komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale, Bashkim Fino, pyetjes se a do të shoqërohet harta e re territoriale me ndryshime në Kodin Zgjedhor, iu përgjigj se nuk do të ketë efekte të tilla dhe se kjo nuk është qëllimi i mazhorancës. “Absolutisht jo! Nuk ka lidhje fare harta territoriale administrative për komunat dhe bashkitë me kodin zgjedhor. Sot kemi 12 qarqe dhe prefektura, aty janë. Ne çfarë do bëjmë? Do afrojmë dhe bashkojmë komunat dhe bashkitë, në një numër më të vogël bashkish, kaq”, – ka thënë pak ditë më parë deputeti i PS-së, Bashkim Fino.
Ndërkaq, nëse i referohemi Kodit Zgjedhor, njësitë vendore janë edhe zona zgjedhore dhe referuar Kodit, KZAZ është Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor, që ngrihet dhe funksionon në përputhje më këtë Kod për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë dhe zgjedhjet vendore. Referuar terminologjisë së Kodit Zgjedhor, Zonë zgjedhore është ndarja administrativo-territoriale e qarkut për zgjedhjet në Kuvend dhe bashkia apo komuna për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore. Sipas nenit Neni 27 (ndryshuar me ligjin nr. 74/2012) Zonat e Administrimit Zgjedhor, thuhet: 1. Zonat e Administrimit Zgjedhor ngrihen dhe funksionojnë për çdo lloj zgjedhjeje dhe referendumi, sipas këtij Kodi. 2. Juridiksioni territorial i ZAZ-ve si rregull është i njëjtë me rrethin administrativ, sipas ligjit që rregullon organizimin territorial të Republikës së Shqipërisë. Rrethet që kanë më shumë se 60 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen nga KQZ-ja në më shumë se sa një Zonë e Administrimit Zgjedhor, në përputhje me kriteret e mëposhtme: a) pandashmëria e territorit të komunës dhe bashkisë; b) vazhdimësia dhe kompaktësia e territorit, duke shmangur barrierat gjeografike; c) mundësi të mira komunikimi brenda territorit; numër i përafërt zgjedhësish. 3. Asnjë Zonë Administrimi Zgjedhor nuk mund të shtrihet gjeografikisht në dy ose më shumë qarqe apo rrethe të ndryshme brenda të njëjtit qark. 4. Bashkitë me më shumë se 30 mijë shtetas me të drejtë vote përbëjnë zonë administrimi zgjedhor më vete, kur numri i përgjithshëm i shtetasve me të drejtë vote në shkallë rrethi është më i madh se 60 mijë etj.
Reformë të njëanshme? Opozita paralajmëron mbajtjen e referendumeve
Miratimi i njëanshëm i reformës administrative-territoriale nga mazhoranca pritet të kundërshtohet nga pakica parlamentare edhe nëpërmjet mbajtjes së referendumeve. Pak ditë më parë, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, paralajmëroi se një reformë pa pjesëmarrjen e opozitës do të ballafaqohet me qytetarët shqiptarë. “Nëse do të kishim konsensus shumë shpejt do të arrinim në të peshonim shpejt divergjencat e të arrinim në konsensus teknike, me një asistencë të shkëlqyer ndërkombëtare dhe vendase. Do të bënim të gjitha zgjidhjet e nevojshme, të miratonim ligjin në draft dhe ta konsultonim me të gjithë, ne me pjesën tonë, ata me pjesën e tyre dhe do të kishim një përfshirje të plotë, qoftë në nivelin horizontal politik, qoftë në nivelin vertikal që është politika me elektoralin, dhe kjo do ta bënte të panevojshme konsultimet që mund të shkojnë deri në nivelin e referendumeve. Ta harrojë z. Rama dhe z. Meta dhe kushdo tjetër se mundet të shmangin vullnetin e zgjedhësve në të gjithë Shqipërinë për të thënë fjalën e tyre për një nga reformat, për sa kohë nuk ka konsensus”, – ka deklaruar më parë deputeti Oerd Bylykbashi gjatë një interviste televizive.
PD: Dëshmitë tronditëse për trafikun e drogës vënë nën akuzë dyshen Rama-Meta
Partia Demokratike reagoi dje me anë të një deklarate për mediat, duke thënë se dëshmitë e dala së fundmi tregojnë implikimin e krerëve të qeverisë në trafiqet e drogës. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, deklaroi se dëshmitë tregojnë se avionët e drogës, janë ulur në territorin tonë.
“Genti Kuqi, banor i Bedatit në Lushnjë, deklaroi para kamerës së “News 24” se ka parë avionin të ulet në rrugën Bedat-Adriatik. Disa persona me fuoristradë e kanë ndaluar atë dhe 20 banorë të tjerë dhe nuk i kanë lënë të kalojë për 25 minuta derisa avioni është ulur dhe ka ikur sërish. Kjo dëshmi, dëshmitë e banorëve të Kardhiqit, dokumente zyrtare të bëra publike janë tregues rrëqethës të faktit se territori i Shqipërisë është kthyer në një pistë të narkotrafikantëve. Në Gjadër, në Lushnjë, në Kardhiq etj. avionë ngarkohen me drogë dhe e trafikojnë atë në vende të tjera. Këto dëshmi regjistroi edhe gazetari Telnis Skuqi, i cili u kërcënua me jetë, sepse prishi rehatinë e trafikantëve. Kërcënimi i gazetarit me një kokë të prerë dhie ishte një akt mafioz tronditës. Akoma më tronditës është fakti se edhe sot e kësaj dite Kryeministri Rama hesht për këtë akt gangsterësh duke u vetëdenoncuar kësisoj si palë me narkotrafikun dhe jo me të vërtetën”, – deklaroi Vorpsi.
Kreu i SHISH-it reagon për çështjen e drogës
Pas debateve politike për çështjen e implikimit të mundshëm të strukturave të FA-së në trafikun e drogës, ka ardhur edhe reagimi i SHISH-it. Kreu i këtij institucioni, Visho Ajazi Lika, i quan spekulime mediatike dhe politike qëndrimet e fundit lidhur me çështjen e drogës. Sipas një deklaratë nga SHISH, me këtë informacion po abuzohet në dëm të punës së shërbimit e të interesit të vendit. “Ky informacion jo vetëm nuk përmban asnjë fakt të vërtetuar nga ne lidhur me trafikimin e drogës përmes infrastrukturës ushtarake, por po shpërdorohet në një formë krejt të papranueshme, që cenon drejtpërdrejt punën dhe imazhin e Shërbimit Informativ të Shtetit”, – thuhet në deklaratë.
Kreu i SHISH-it sqaron se puna e institucionit që ai drejton, është t’u përcjellë autoriteteve të larta, në formë të klasifikuar, informacione jo vetëm mbi faktet e vërtetuara, por edhe mbi çdo dyshim të arsyeshëm, që gjykohet se mund të vlejë për të ndaluar e parandaluar fenomene ose ngjarje të rrezikshme për sigurinë e vendit.