Tirana i rrëmben shpresat dhe trepikëshin Vllaznisë

0
182

Jurges Veizaj

Skuadra bardheblu ka arritur që të marrë një fitore shumë të rëndësishme për fatin në kampionat

Kryeqytetasit janë treguar më finalizues para portës dhe kanë arritur të shënojnë më shumë se skuadra shkodrane

 

largea_eliminohen-tirana-dhe-vllaznia1352411168Tirana ka arritur që të triumfojë ndaj rivalit të saj momental, Vllaznisë, duke siguruar kështu një triumf shumë të madh për të ardhmen. Fitorja e skuadrës bardheblu duket se i shton shpresat edhe më shumë ekipit se do të jetë edhe një vit tjetër në Superiore. Edhe pse akoma nuk është e sigurtë nga ana matematikore, 24 herë kampionët nuk duket se do të gabojnë në ndeshjet e fundit.

Si asnjëherë më parë, derbi i Shqipërisë vinte si derbi i mbijetesës. Kjo, pasi të dyja skuadrat janë ekipet që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar. Në “Qemal Stafa” shiu kishte rënduar ndjeshëm terrenin e lojës, por nuk kishte mbajtur larg tifozeritë që ishin të pranishme për të frymëzuar skuadrat përkatëse. Të dyja ekipet vendosën që të dilnin në fushë me formacionet e tyre më të mira duke mbajtur të njëjtin rreshtim. Nga njëra anë qëndronte 4-3-3 i Dervish Haxhosmanoviçit që edhe kësaj radhe vendosi të dilte me këtë rreshtim. Kurse Magani nga ana tjetër u përgjigj me 4-2-3-1 duke e bërë dhe më të rrezikshëm sulmin. Kjo, pasi Xhilberto i vetëm do të mbështetej me Kercikun, Morinën dhe Ndikmanën. Një treshe që ka vërtetuar ndeshjet e fundit që është shumë e rrezikshme. Sfida nisi e luftuar dhe me shumë duele në mesfushë por rasti i parë erdhi pas çerek ore lojë me Arsen Handarin që dha sinjalin në portën e Ilion Likës. Pas vetëm 4 minutash vjen avantazhi bardheblu. Krosim i bukur në zonën kuqeblu me Pashajn që bën kullën dhe mes tre fanellave bardheblu në vijën fatale në vendin ideal është pikërisht elbasanasi që nuk fal duke shënuar golin e epërsisë. Tifozeria bardheblu ekzaltohet në “Qemal Stafa” dhe kjo e shton edhe më shumë presionin e ndeshjes. Goli nxeh gjakrat mes dy tifozerive që degraduan me veprime vandale. Një veprim ky që ndodh shpesh në stadiumet shqiptare dhe që nuk mungoi as kësaj radhe. Në minutën e 27-të Shtubina pretendon për një 11-metërsh ndërsa topi shkon te Hajdari që vetëm pak metra larg Likës shpërdoroi një rast të artë. Vllaznia insiston për të reaguar dhe në minutën e 34-të Morina pengon në zonë Bardullën dhe për kryesorin Lorenc Jemini s’ka dyshim, është 11-metërsh. Në pikën e bardhë është Bushiç që çon topin në të djathtë dhe Likën në të majtën për të risjellë gjithçka nga e para. Një barazim 1-1 që i çon skuadrat të barabarta në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë nis ndryshe për skuadrën vendase. Fjalët e Maganit duhet të kenë bërë efekt pasi Tirana merr menjëherë komandën me fillimin e pjesës së dytë. Aksion model i bardhebluve me Ndikumanën që jep një krosim perfekt në shtyllën e dytë aty ku Morina gjen korridorin për ta çuar topin në rrjetë duke i shpëtuar mbulimit nga mbrojtja shkodrane. Festojnë bardheblutë që arrijnë të menaxhojnë rezultatin pavarësisht tentativave të Vllaznisë. Pas fishkëllimës së Lorenc Jeminit bardheblutë mund të festojnë të qetë duke marrë një fitore që i çon në kuotën e 43 pikëve. Ndërsa nga ana tjetër Vllaznia do ta ketë mjaft të vështirë. Kjo, pasi në “Loro Boriçi” do të presë Flamurtarin. Një rival tjetër që kërkon të qëndrojë në Superiore dhe që nuk do t’i lejojë shkodranët të marrin një fitore lehtësisht.

 

 

Ndeshjet e djeshme

TIRANA-VLLAZNIA  2-1

Golat: Vrapi 19′ / Bushiç 34′ (pen), Morina 48′

Gjyqtarë: L. Jemini

TEUTA-SKËNDERBEU  2-1

Golat: Samb 59′, Jakupi 86′ / Pejiç 90′

Gjyqtarë: E. Sino

BESA-LUSHNJA  3-0

Golat: Sefa 30′ (pen), 49′, 84′

Gjyqtarë: O. Sokoli

PARTIZANI-KASTRIOTI  1-0

Golat: Sacer 48′

Gjyqtarë: A. Koci

KUKËSI-LAÇI   1-1

Golat: Izucuku 44′ / Xhejms 54′

Gjyqtarë: D. Jubica

FLAMURTARI-BYLISI (3-0 në tavolinë)

 

 

Mirallas: Januzaj nuk duhet të jetë pjesë e Belgjikës në Brazil 2014

Kevin Mirallas ka thënë se do të ishte e padrejtë nëse Adnan Januzaj ftohet në skuadrën e kombëtares së Belgjikës që do të luajë në Botërorin “Brazili 2014”. Adnan Januzaj së fundmi mori vendimin që ta përfaqësojë kombëtaren e Belgjikës, deri në momentin që përfaqësuesja e Kosovës të pranohet me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA. “Kishte shumë presion mbi të që ta ndante mendjen se për cilën kombëtare do të luante dhe është gjë e mirë që ai zgjodhi Belgjikën, sepse është një lojtar i mirë. Sidoqoftë, nuk mendoj se ai duhet të vijë në Brazil. Do të ishte e padrejtë të lihet jashtë kombëtares ndonjë lojtarë i mirë për dikë i cili nuk i njeh bashkëlojtarët dhe i cili nuk ka luajtur shumë për klubin e tij muajve të fundit”, – deklaroi Mirallas. “Adnani nuk e njeh këtë grup të lojtarëve dhe fakti qëndron se ai nuk ka luajtur shumë ndeshje me Mançester Junajtid së fundmi. Nuk është se ne kemi mungesë të lojtarëve në atë pozicion. Në fakt, ka shumë lojtarë të mirë në pozicionin e tij që luajnë në kombëtaren e Belgjikës, kështu që do të jetë e vështirë për të”, – shtoi Mirallas.

 

 Panuçi: Baloteli nuk është “top-lojtar”

Ish-mbrojtësi italian Kristian Panuçi ka thanë se vetë fakti që Mario Baloteli konsiderohet si top-lojtar tregon se sa poshtë ka rënë futbolli italian. “Nëse futbolli italian është poshtë, është sepse ne e konsiderojmë Mario Balotelin si top-lojtar. Nëse dikur Milani kishte diçka, ishte respekti që kishin mes vete. Në momentet e vështira, kjo gjë ndihmonte shumë që të zgjidhen problemet. Kështu që, ne nuk duhet të merremi me veprimet e tij, ne duhet t’i pranojmë ato”, – shtoi ish-mbrojtësi. “Kampionë të mëdhenj janë lojtarët e tjerë. Milani është i vetmi ekip ku ai ka qenë gjithmonë startues, të paktën deri më tani”, – përfundoi italiani.

 

Van Gal arrin akordin me Junajtidin

Luis van Gal ka pranuar marrëveshjen për t’u bërë menaxheri i ri i Mançester Junajtidit, sipas “goal.com”. Holandezi ka finalizuar afatet e kontratës me një delegacion të Junajtidit, të drejtuar nga familja Glazer në 24 orët e fundit. Holandezi pritet ta nënshkruajë kontratën afatshkurtër prej jo më shumë se tre vjetësh dhe të marrë “frenat” në “Old Trafford”, kur angazhimi i tij me kombëtaren holandeze të përfundojë pas Kupës së Botës. Një delegacion i klubit prestigjioz, ku ishin të pranishëm zëvendëspresidenti Ed Woodward dhe një nga vëllezërit Glazer ka negociuar kushtet e sakta të kontratës në vilën e Van Gaalit në Olgrejv. Edhe pse të shtunën djajtë publikisht u distancua nga zërat se Van Gal ka rënë tashmë dakord, drejtuesit e klubit as nuk e kanë mohuar dakordësinë mes palëve. Sipas raportimeve të “goal.com”, Van Gaal i nisi bisedimet javën e kaluar ku ishte shprehur se ishte shumë i interesuar për të drejtuar ekipin anglez.