Anxhela Tato
Përgjimet, imami Genti Balla takim me disa shqiptarë të Kaçanikut një ditë para nisjes për në SiriBehim Fidani dhe Jeton Raka, pritës dhe financues të udhëtimit të kosovarëve për në kampin e luftës
Lidhjet e celulave terroriste shqiptare me ato kosovare janë në qendër të hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Burime nga akuza bëjnë me dije se imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, ka pasur lidhje dhe komunikime me shtetas kosovarë nga zona e Kaçanikut, të cilët kanë përfunduar në kampet e luftës në Siri. Bazuar në këto të dhëna, thuhet, se pak ditë para ikjes për në Siri të Lavdërim Muhaxherit nga Kaçaniku i Kosovës, ky i fundit dhe imami Balla, janë takuar në xhaminë e Unazës së Re. Kjo provohet edhe nga fakti se më 20 janar të këtij viti Kjani Muhaxheri dhe Shaban Muhaxheri, dy të afërmit e Lavdrim Muhaxherit kanë ardhur nga Kosova dhe së bashku me imamët Balla e Hysa, kanë takuar Shaban Rashën, babanë e Diamant Rashës, i vrarë në Siri. Takimi është bërë në shtëpinë e tij, pikërisht ditën kur Shaban Rasha është pyetur për disa orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rastin e të birit. Akuza dyshon se në disa raste, besimtarët që dërgoheshin në luftë në Siri, përdornin edhe aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë. Sipas prokurorisë, në Kosovë, ata priteshin dhe përcilleshin nga të afërmit e Muhaxherit dhe shtetasit e dyshuar, si financues të udhëtimeve, Bekim Fidani nga Maqedonia dhe Jeton Raka nga Kosova. Emrat e këtyre personave, tashmë ndodhen në dosjen voluminoze të prokurores, Elizabeta Imeraj, e cila ka kërkuar të dhëna për aktivitetet e tyre në Kosovë e Maqedoni. Ata dyshohen, se janë pjesë e një grupi radikal, që drejtohet nga shtetasi turk Murat Gezenler, ku si zv/komandant i njësitit, që lufton në Alepo të Sirisë, është shtetasi shqiptar nga Elbasani, i njohur me emrin fetar Zeyd Al Albani. Ndërkohë, edhe në Shqipëri prokuroria po heton për financuesit e këtyre dy imamëve, ku figuron edhe pronari i një agjencie turistike.
Hetimet
Prokuroria pohon se Imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, Genc Balla i njohur edhe si Sheh Abdurrahim Balla dhe Imami i vetëshpallur i xhamisë së fshatit Mëzëz Bujar Hysa i njohur si Ebu Usama si dhe Orin Reçi, tashmë të arrestuar janë personat kryesor të këtij rrjeti në Shqipëri. Këta të dyshuar me ndihmën e të arrestuarve të tjerë, rekrutonin, stërvitnin, financoni udhëtimin e tyre deri në Turqi. Për të mbërritur në destinacion, të dyshuarit përveç udhëtimit nga Tirana dhe Prishtina drejt Turqisë, në disa raste përdornin edhe rrugën tokësore, Tiranë-Pogradec-Maqedoni-Bullgari-Turqi. Besimtarët mysliman i prisnin bashkëpunëtorët e imamit, Gert Pashja i njohur me emrin fetar Ebu Muxhahidi dhe që mendohet se është imam në kampin ku stërviten shqiptarët që përfundojnë në zonën e luftimeve në Siri. Pas stërvitjes, besimtarët dërgohen në zonën e Alepos në Siri, ku ndaheshin në dy grupe, njëri i drejtuar nga ish-imami i xhamisë së Leshnicës së Pogradecit, Almir Daci, i njohur edhe si Ebu Belkisa ose Haliti nga Pogradeci dhe grupi tjetër në krah të grupit të drejtuar nga një emir turk, ku zv/komandanti i këtij grupi është shqiptari nga Elbasani, i njohur me emrin Zeyd Al Albani. Financimi apo ndihma e dhënë ndaj organizatës “Al-Nusra”, prej të arrestuarve dhe të shpallur në kërkim, është cilësuar tashmë vepër penale e terrorizmit, akuzë për të cilën do të përgjigjen të dyshuarit që rrezikojnë dënimin nga 10 deri në 25 vjet heqje liri. Gjatë viteve 2012-2013 në Rinas janë zmbrapsur rreth 10 persona që vinin nga Turqia në Shqipëri, që mendohet se vinin për të financuar dhe bashkëpunuar me këtë grup në rekrutimin e personave që do niseshin për në Siri. Në lidhje me 6 personat e tjerë që janë në kërkim mendohet se kanë bërë të njëjtën gjë në Kosovë dhe Maqedoni, përhapje të ideve dhe rekrutim të personave që më pas dërgoheshin nga Rinasi në drejtim të Turqisë. Nisja bëhej me grupe nga 2-3 persona.
Hetimet/ Rritje fiktive të faturave të energjisë, dosja në gjykatë
Prokuroria ka depozituar në gjykatë dosjen ndaj dy punonjësve të CEZ, të cilët hynin natën në sistemin kompjuterik të matësve dhe rrisnin fiktivisht faturimet. Në ngarkim të dy të pandehurve Luan Xhiherri dhe Mërkur Ndreu rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale të dërguar në Prokurori nga Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë. Në këtë informacion referohet se nga ana e punonjësve të kompanisë “CEZ Shpërndarje”sh.a. (faturuesit e energjisë elektrike), në marrëveshje dhe bashkëpunim me drejtues të kompanisë, është kryer vjedhje e konsumatorëve të rregullt të energjisë elektrike. Gjithashtu, në datën 20.01.2011, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve (Z.M.K.) ka paraqitur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë një kallëzim penal, me të cilin ka kërkuar të fillojë ndjekja penale ndaj drejtuesve të kompanisë “CEZ Shpërndarje”sh.a. për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Mashtrimit kompjuterik” të parashikuara nga nenet 143 dhe 143/b të Kodit Penal. Në këtë kallëzim, krahas faktit të lartpërmendur të referuar nga policia gjyqësore, pretendohet se nga ana e kompanisë “CEZ Shpërndarje”sh.a. janë lëshuar fatura energjie për konsumatorët në të cilat është shtuar një zë i vëcantë me emërtimin “Energji e pamatur” me të cilin për konsumatorët familjarë janë shtuar për pagesë 4.000 kilovatë, ndërsa për konsumatorët jo familjarë janë shtuar për pagesë 20.000 kilovatë.
Vlorë/ Kërcënoi me gjobë kryekomunarin, pranga 31-vjeçarit
Kërcënonte me sms duke i kërkuar para, kryetarin e Komunës së Bratajt arrestohet 31-vjeçari. Burime nga Policia e Vlorës kanë bërë të ditur se, Ermal Rrapaj, 31 vjeç, banues në lagjen “Uji i Ftohtë”, prej disa muajsh i shkruante mesazhe në telefon duke i kërkuar para, kryetarit të Komunës Brataj, me inicialet P. T. Ky i fundit kishte denoncuar në polici kërcënimet që i bëheshin dhe uniformat blu kanë nisur hetimet në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Pas disa muaj hetimesh, policia ditën e djeshme ka organizuar edhe aksionin për arrestimin e 31-vjeçarit Rrapaj. Ndalimi i 31-vjeçarit Rrapaj është bërë falë hetimeve 3 mujore nga Policia e Vlorës në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndaj 31-vjeçarit Ermal Rrapaj është ngritur akuza e “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”.
Gjirokastër/ Ndalohen 10 klandestinë nga Siria
Sektori kundër trafiqeve në policinë e Gjirokastrës në bashkëpunim me policinë kufitare të Kakavijës ka ndaluar 10 klandestinë nga Siria dhe Palestina që kishin hyrë nga shteti helen me destinacion Malin e Zi. Operacioni është zhvilluar në shtratin e lumit Drino dhe Fushat e Grapshit , gjatë orëve të natës pas një telefonate bërë në sallën operative. Mësohet se gjatë operacionit klandestinët kanë tentuar t’i shpëtojnë ndjekjes së policisë, çka ka kërkuar edhe ndërhyrjen e policisë rrugore të Gjirokastrës. Klandestinët janë shoqëruar më pas në komisariatin e Gjirokastrës ku në praninë e një përkthyesi do të merren në pyetje për organizatorët e trafikut, ndërsa pas plotësimit të dokumentacionit përkatës do të kthehen në Greqi, vendi prej nga kaluan kufirin.