Gëzim Saliu
Qefalia: Informacioni nga SHISH lë për të dëshiruar. Strazimiri: Sot ka më pak oficerë sigurimi se sa janë emëruar në Polici e Ushtri në këto 9 muaj
Mazhoranca ka nisur përgatitjet e draftit që do të ndryshojë ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Sipas kësaj reforme, do të ndryshojë tërësisht skema e funksionimit të SHISH, duke nisur nga riorganizmi i strukturave tek detyrat e kreut dhe shefave të këtij institucioni. Ky rishikim i thellë i SHISH do të mbështet sipas të majtëve në faktin se ky institucion varet nga kryeministri si edhe në bazë të nenit 13 të ligjit aktual, ku organizimi dhe struktura e Shërbimit Informativ Kombëtar miratohen vetëm nga kreu i qeverisë. Ndërkohë që për drejtuesit e personelin pritet të ketë ndryshime të mëdha, sa i përket drejtorit të këtij insitucioni duket se mazhoranca nuk do të bëjë ende hapa përpara, ku edhe nëse ndodh e kundërta, do të duhej më pas miratimi i kreut të shtetit, i cili ka vlerësuar deri më tani punën e SHISH. Reforma do të përqëndrohet kryesisht në skemën e funksionimit të këtij institucioni, ku sipas mazhorancës, mungesa apo informacioni jo cilësor nga SHISH duhet rregulluar me ligj. Vetëm pak kohë më parë, kryeminisitri Rama paralajmëroi reformim tërësor të Shërbimit Informativ Shtetëror. “Së shpejti, në Parlament do t’i vijë për shqyrtim një reformë ligjore e këtij Kuvendi, për rendin publik. Niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare, jo vetëm i SHISH-it që ngrihet mbi një ligj të vitit ’98, që nuk përmbush më nevojat për të përballur sfidat e kohës, duhet ngritur në një shkallë tjetër. Edhe këtu lypset një reformë tërësore, ligjore edhe organizative”, kishte theksuar kryeministri.
Qefalia dhe Strazimiri
Deputeti socialist Xhemal Qefalia deklaroi dje se Shërbimi Informativ shtetëror, ka dhënë informacione shumë të dobëta, në lidhje me gjendjen e rendit publik dhe shpërthimeve me tritol të ndodhur muajt e fundit. “Dua të them që pas bërjes prezent nga ministri i brendshëm për mungesë informacioni lidhur me problematikat e rendit në Shqipëri, ka pasur një fluks të madh informacionesh, por informacionet nuk janë të vlefshme vetëm duke siguruar sasi. Informacionet janë të rëndësishme kur brenda tyre ka elementë të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e rendit. Me dy fjalë dua të them nëse ka patur një numër të madh informacionesh, ndoshta dhe të tejkaluara, por cilësia e tyre vlen për të dëshiruar”, tha Qefalia për A1 report. Në të njejtën linjë me të, dy ditë më parë, deputeti socialist Erjon Braçe kërkoi rithemelimin e Shërbimit Informativ Shtetëror mbi parime profesionale dhe ligjore. “Nuk mund të ketë asnjëherë “dyshime të arsyeshme” që nuk mbështeten qoftë edhe në një provë të vetme, pasi “dyshime të arsyeshme” është një term tërësisht abuziv që prodhon spekulime. “Dyshime të arsyeshme” nuk mund të bëhen praktikë pune e nëse kjo është bërë, atëherë kjo agjensi duhet te rithemelohet mbi te tjera parime profesionale dhe ligjore”, theksoi Braçe. Por ndërkohë opozita e ka akuzuar shpeshherë kohët e fundit mazhorancën për kapjen e institucioneve të pavarura, sidomos për ILDKP-në dhe AMA-n. Në këtë kontekst, të djathtët kanë kërkuar nga qeveria që të qëndrojë larg institucionit të SHISH-it dhe synimit për kapjen e tij për interesa të ngushta partiake. Deputeti demokrat Gent Strazimiri reagoi dje në rrjetin social facebook lidhur me reformën që do të ndërmarrë mazhoranca në institucionin e SHISH, duke theksuar me ironi se,: “u dashkësh “Rilindje” në SHISH! Domethënë, që të quhet se punët po shkojnë mirë, duhet ta marrin në dorë “shokët e Sigurimit, se siç dihet ata janë “profesionistë”, me demek ata ia dinë zanatit…sidomos “sipas standardeve të NATO-s”. Në fakt në SHISH, ka sot më pak oficerë Sigurimi nga ç’janë emëruar në Polici dhe në Shërbimin e Ushtrisë këto 9 muaj”.
Festivali i librit/ Rama: Reformë tërësore tek kultura, vullnet kundër medikokritetit
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se qeveria mbështet planin e ministres së Kulturës për një reformë tërësore në art. Pjesëmarrës në “Festivalin e Librit”, kreu i qeverisë tha se synimi i mazhorancës është që të stimulojë dhe mbështesë nismat e njerëzve të lirë, artistëve, shkrimtarëve dhe prodhuesve të cultures. “Nuk është një shfaqje e zakonshme e rradhës dhe as një shfaqje e prekur nga banaliteti i të përditshmes. Në këtë këndvështrim duhet parë edhe plani ynë i një reforme tërësore të artit dhe të kulturës, të institucioneve publike, të cilat duhet të jenë gjithmonë e më shumë të hapura ndaj risive dhe ndaj talenteve dhe nuk mund të jenë përveçse hapsira ku hierarkinë e vendos merita, e vendos publiku dhe asgjë e paracaktuar më parë në çfardo forme qoftë ajo”, theksoi Rama. Lidhur me festivalin, kryeminstri deklaroi se në qendër të tij është libri shqip dhe se synimi sipas tij, është që aktiviteti të marrë përmasa ndërkombëtare. “Jam i bindur se për kohën e shkurtër dhe me vështirësitë e natyrshme të lindjes festivali e justifikoi vetveten dhe dëshmoi potencialin për ty kthyer në një hapësirë kulturore të përvitshme . Libri shqip është qendra e gravitetit të festivalit dhe përmes tij vijnë për lexuesit shqiptar autor nga të gjithën bota. Kjo i jep festivalit mundësinë që të jetë një derë e hapur për të ftuar miq dhe për ti njohur me lexuesit shqiptarë”, deklaroi kreu i qeverisë.
Letër kryeministrit/ Biznesi: Kundër skanimit të kamionëve në dogana
Sipërmarrësit shqiptarë paralajmërojnë se do të kundërshtojnë skanimin e kamionëve të tyre në dogana, pasi po rrit prej disa muajsh artificialisht kostot e tyre. Biznes Albania, por edhe shoqata te tjera, i kanë dërguar letër Kryeministrit Rama, ku shprehin shqetësimin e tyre për këtë ccështje, duke theksuar se nuk do lejojnë që koncensioni të zbatohet. “Është një aktivitet që nuk ndodh në vende te tjera dhe nëse eksizton, paguhet nga buxheti i shtetit”, theksuan përfaqësuesit e biznesit shqiptar. Skanimi i kamionëve në dogana, u dha me koncesion gati një vit më parë, ku tregtarëve u duhet të paguajnë rreth 40 dollarë për çdo kamion që kalon doganën. Aktualisht qeveria e ka pezulluar përkohësisht kontratën dhe është duke negociuar me kompaninë koncesionare tarifat, por edhe kushtet e koncesionit të kundërshtuar nga grupet e interesit.