Në projektet e publikuar lehtësisht bie në sy se financimet do të shkojnë për Bashkinë e Durrësit, Bashkinë e Beratit, Bashkinë e Gjirokastrës, Bashkinë e Elbasanit, Bashkinë Fier, Bashkinë Tepelenë etj.
Rreth 90% e fondeve që do të përdoren për infrastrukturën vendore, do të jepen për bashkitë dhe komunat e majta. Vendimi i qeverisë për shpërndarjen e fondeve për vendorët ka zbardhur edhe projektet të cilat do të financohen nga qeveria. Në projektet e publikuar lehtësisht bie në sy se financimet do të shkojnë për Bashkinë e Durrësit, Bashkinë e Beratit, Bashkinë e Gjirokastrës, Bashkinë e Elbasanit, Bashkinë Fier, Bashkinë Tepelenë etj. Në vetëm një rast do të ketë financim për një bashki të madhe që drejtohet nga një përfaqësues i Partisë Demokratike, që është Bashkia e Shkodrës dhe ky një projekt me vlerë shumë të vogël. “Të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, projektet e të cilave miratohen për t’u financuar, duhet të paraqesin pranë sekretariatit teknik për infrastrukturën vendore, në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, brenda datës 30 prill 2014, një kalendar me të gjitha afatet e prokurimit publik dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit e përdorimit të fondeve (realizimit të investimit), për të vlerësuar realizimin e investimeve, përpara çeljes së fondeve për projektet e miratuara. Të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, projektet e të cilave miratohen për t’u financuar, duhet të kryejnë procedurat e prokurimit publik dhe të lidhjes së kontratës përkatëse për zbatimin e punimeve të ndërtimit deri në fillim të gjashtëmujorit të dytë të vitit 2014. Për fondet e projekteve të paprokuruara sipas këtij afati, Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve ka të drejtën për të rishqyrtuar financimin dhe rialokimin e fondeve të këtij financimi për një projekt tjetër”, – thuhet në vendimin e qeverisë.