Denoncimi/ Hekuran Beollari: Gjykata liroi mjekun që vdiq vajzën tonë

0
240

Gjykata dënoi me kusht 18 muaj mjekun Pashollari, familjarët e 7-vjeçares akuzojnë për korrupsion trupën gjyqësore

 Përmet

era beollariDhimbja e vdekjes së vajzës së tyre vetëm 7 vjeçe, për shkak të mjekimit të pakujdesshëm të mjekut nuk ka qenë asgjë para asaj të përjetuar pas vendimit të gjykatës për familjen Beollari në Përmet. Faik Pashollari është dënuar me 18 muaj me kusht nga Gjykata e Përmetit, duke urdhëruar paraqitjen te Shërbimi i Provës për ta mbikëqyrur. Ndërkohë që avokati i tij pretendoi përmes një ekspertize të dorëzuar në gjykatë se mjeku Pashollari vuan edhe nga probleme psikike. Ky moment ka shpërthyer zemërimin e familjarëve të vogëlushes 7-vjeçare Era Baollari, e cila humbi jetën 20 muaj më parë në spitalin e Përmetit. Ata kërkojnë drejtësi dhe kanë kërkuar nga media ndihmë, ndërsa u janë drejtuar institucioneve përkatëse, duke arritur deri në akuza për korrupsion për trupën gjyqësore që dha vendimin. Reagimi i tyre vjen pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, e cila ka rrëzuar Prokurorinë që kërkoi dënimin me 5 vite burg për mjekun Faik Pashollari, i akuzuar për mjekim të gabuar, duke e dënuar këtë të fundit me një vit burg, të konvertuar në 18 muaj vënie në provë.

 

Akuza

I ati i vajzës Hekuran Beollari ngre akuza për korruptim të trupës gjyqësore. Ai pretendon se vendimi nuk është bazuar në ekspertizën e mjekësisë ligjore si dhe është marrë për bazë një dokument i paraqitur nga pala mbrojtëse vetëm 10 ditë para dhënies së dënimit, ku faktohej se mjeku kishte probleme psikike. Kjo ekspertizë e dytë, sipas denoncuesit, është lëshuar nga një klinikë private. “Gjykata nuk u bazua në ekspertizën e Institutit të Lartë të Mjekësisë Ligjore, por në një ekspertizë private nga doktorët Anesti Vako, Asqeri Xhani, Arben Lloja, Sokrat Meksi dhe pediatër Bugash Cerka. Një fakt tjetër mund t’u them, që avokati mbrojtës i ka dhënë gjyqtares një dokument që me mjekun pediatër e kanë nxjerrë psikopat. Këtë dokument e ka dhënë në datën 1.4.2014 kur gjyqi është bërë në datën 10.4.2014. Po të verifikohet që ky i pandehur punon në spitalin e Përmetit”, – shprehet babai i vajzës.

 

Apelimi

Prokuroria e Përmetit dhe familja Beollari kanë apeluar vendimin e gjykatës që është bazuar në nenin për dënimet alternative, për pezullim të dënimit me burg për shkak të rrezikshmërisë se ulët të personit, moshës, kritereve shëndetësore apo mendore. Familjarët e Era Baollarit bëjnë apel për drejtësi nga institucionet, pasi deklarojnë se ky vendim i gjykatës ua vrau vajzën për herë të dytë. Më 13 gusht të vitit 2012 kjo familje humbi vajzën 7-vjeçare Era Beollari, nxënëse e klasës së parë. Për vdekjen e saj u mor i pandehur mjeku që bëri mjekimin e saj në spitalin e Përmetit, Faik Pashollari.

 

Krimet e Rënda/ Dëshmia, Lulaj: Makinën ma vodhën, Arben Frrokun nuk e njoh

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vijuar edhe dje me dëshmitarët e akuzës, të cilët kanë dijeni apo ndonjë lidhje me ngjarjen ku mbeti i vrarë kryekomisari Dritan Lamaj dhe i pandehur është marrë biznesmeni Arben Frroku. Dëshmitarët u janë përgjigjur pyetjeve të prokurorit dhe togave të zeza, por asnjë prej tyre nuk deklaroi për njohje me të pandehurin apo viktimën, por edhe ata që e njihnin nuk kishin parë gjë ditën e ngjarjes. Një ndër dëshmitarët ishte edhe ajo e pronarit të automjetit tip BMË, që u përdor në atentatin ndaj ish-kryepolicit Lamaj në kryeqytet. Ai dëshmoi se nuk njeh asnjë nga personat, qoftë Arben Frrokun apo dhe personin që akuzohet se ka vjedhur mjetin. Fatmir Lulaj ka dëshmuar para gjykatës se mjetin e tij BMË, e kish parkuar në lagjen e tij në qytetin e Durrësit, ndërsa pasi nuk e kish gjetur në mëngjes e denoncoi të vjedhur në polici. Më tej Lulaj tha para gjykatës se ka mësuar nga lajmet një ditë më pas se automjeti i tij ishte përfshirë në një atentat, por vetë ai dhe pse është shoqëruar një vit më parë në polici, i qëndron dëshmisë se nuk njeh asnjë nga autorët dhe se makinën ja kanë vjedhur. Në procesin ndaj të pandehurit për vrasjen e Lamajt, ka dëshmuar dhe i afërmi i tij Pjerin Frroku, i cili tha se e ka takuar Arbenin 10 ditë para ngjarjes, por nuk ka vënë re asgjë që të mendojë se kushëriri i tij ka kryer vrasjen. Seanca e radhës do të vijojë të mërkurën e ardhshme me të tjerë dëshmitarë të akuzës.

 

Tiranë/ Korrupsioni, dosja e gjyqtarit Pojanaku dërgohet te Krimet e Rënda

 Prokuroria e Krimeve të Rënda do të hetojë akuzën për korrupsion për të cilën akuzohet gjyqtari i Korçës, Dhimitër Pojanaku. Dosja e tij është transferuar nga Korça për në Tiranës, pas shpalljes së moskompetencës, pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal. Avokati i gjyqtarit të arrestuar në Pogradec, Nevzat Tarelli, është shprehur kundër këtij vendimi të Prokurorisë së Korçës. Gjyqtari i arrestuar Dhimitër Pojanaku akuzohet për korrupsion pasiv në ushtrimin e detyrës së tij si gjyqtar. Pojanaku u arrestua në kushtet e flagrancës nën akuzën për korrupsion pasiv. Me 20 prill gjykata e Korçës caktoi ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg.

 

 

Korçë/ Arratisja nga burgu i Drenovës, përfundon hetimi për 7 të dënuarit

 Ka përfunduar hetimi i prokurorisë së Korçës për arratisjen nga burgu i Drenovës dhe dje është dorëzuar dosja në gjykatë. Në dosjen e prokurorisë gjenden emrat e 7 të arratisurve nga burgu i Drenovës, të cilët akuzohen për arratisje nga vendi i vuajtjes së dënimit. Nga burgu i Drenovës në datën 23 nëntor 2013 u arratisën, Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Artur Gora, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lula. Të arratisurit nga qelitë u kapën brenda 48 orëve, shumica prej tyre në Korçë dhe Librazhd, ndërsa dy prej tyre u kapën nga policia greke në Kostur.