Gëzim Saliu
“Ky vend ka parë ditë pa President apo qeveri, por pa ambasador amerikan qenka shumë e ulët. Sot pozicioni i ambasadorit të SHBA-ve është vakant, del vetëm kur do mbrojë Ramën”
Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri deklaron se praktikisht në Shqipëri pozicioni i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vakant. Në një koment në rrjetin social “facebook”, duke marrë për bazë të gjitha ngjarjet e ndodhura në muajt e pushtetit të qeverisë së majtë, Strazimiri theksoi se vendi ka domosdoshmërinë e një kryediplomati amerikan pasi sipas tij, është shtuar ndjeshëm klima tërësisht antiamerikane. “Na duhet urgjent një ambasador i SHBA-së në Tiranë në mënyrë që dikush të mbrojë interesat strategjike dhe lidhjet mes dy vendeve. Në vetëm 9 muaj qeverisje krejtësisht anti-amerikane: u mashtrua si kurrë më parë qeveria e SHBA dhe populli shqiptar për armët kimike, madje u tentua që protesta të orientohej drejt ambasadës amerikane që t’i shpëtohej fytyra Kryeministrit mashtrues; u thye embargoja ndaj Iranit ditën për diell, e denoncon Financial Times, Bloomberg në Neë York dhe…Rilindja Demokratike në Tiranë…; për herë të parë pas 23 vjetësh, shpallet nga një qeveri shqiptare si “partner strategjik” Turqia jo SHBA, madje në ditën më të turbullt për demokracinë në Turqi”, shkruante deputeti demokrat. Më tej në komentin e tij, Strazimiri theksoi se,: “ky vend ka parë ditë pa President, Kryeministër apo edhe pa qeveri, por pa ambasador amerikan qenka krejt tjetër gjë, qenka shumë e ulët”. Ndërkohë në reagimin e tij ndaj komentuesve në rrjetin social, ku dikush pyeste edhe nëse Arvizu kishte ikur nga Shqipëria, Strazimiri pohoi se,: “del vetëm kur i duhet shpëtuar fytyra Edi Ramës e jo për të mbrojtur interesat jetike që na lidhin me SHBA. Praktikisht sot ky pozicion është vakant dhe ne si shqiptarë nuk e kemi këtë luks”.
Arvizu
Ambasadori amerikan në vend Aleksandër Arvizu e cilësoi dy ditë më parë si një gjest të ulët, akuzat për përfshirje të ushtrisë në trafike droge. “Unë mendoj se pas disa ditësh kjo çështje ka mbërritur atje ku i takon. Pretendimet ishin shume serioze dhe fatkeqësisht ato u politizuan, prandaj them se të tilla pretendime kanë mbërritur atje ku duhet, në duart e duhura të autoriteteve të hetimit. Nëse ka pasur ndonjë ngjarje me karakter kriminal brenda saj, atëherë kjo duhet të hetohet. Duke parë situatën mes maxhorancës dhe opozitës këto ditë, ajo që të vjen keq është se një parti ndoshta mendon se duke bërë të tilla akuza, pala tjetër njolloset duke u bërë pis”, deklaroi ai për TCH. Sipas ambasadorit, populli shqiptar është i aftë të kuptojë qëllimin e këtyre akuzave. “Ata duhet të tregohen të kujdesshëm si e bëjnë këtë, sepse njerëzit nuk janë budallenj. Njerëzit e kuptojnë se cilat janë motivet, aq më tepër kur mundohesh që në këtë çështje të përfshish tërësisht ushtrinë apo të gjithë policinë. E sidomos, një organizatë të tillë, siç është ushtria, për të shënuar apo marrë pikë politike për qëllime politike”, nënvizoi Arvizu. Sipas tij, “kjo është pak a shumë diçka e ulët. Njerëzit nuk e pëlqejnë diçka të tillë. Tek e fundit më së shumti e gjitha kjo zhurmë e prodhuar dëmton atë parti që bën akuzat, përveç rastit kur ka një bazë të shëndoshë dhe solide ose në të kundërtën ka baza për ta bërë një diçka të tillë”, kishte pohuar Arvizu.
Trafiku i drogës/ Dëshmitë e reja në Gjadër e Kardhiq: Kemi parë avion që ulen e ngrihen
Dyshimet për trafik droge me mjete të Forcave të Armatosura janë shndërruar prej disa javësh në temën kryesore të debatit politik dhe shoqëror në vend. Pas publikimit të një dokumenti të SHISH-it, në ku paraqiteshin detaje se një avion i vogël sportiv i bardhë është ulur në aeroportin e Gjadrit, në emisionin “Ajsberb” në news 24 janë zbardhur dje dëshmi të rradhës nga kjo zonë, të cilat bëjnë të ditur se kanë parë uljen e avionëve. Banorët e Gjadrit dhe Kardhiqit të pyetur nga gazetari lidhur me dyshimet për uljen e avionëve në këto zona, pavarësisht se nguruan të flisnin përpara kamerave, pohuan se në këto zona kanë parë me sytë e tyre të ulen avionë. “Në Gjadër është ulur një avion në 19 mars, në fund të pistës së madhe. Kemi parë disa herë avionë që ulen në Gjadër. Asnjëherë se kemi ditur çfarë bëjnë avionët”, deklaroi një banor. “Ishte një avion i vogël, me erdhi dhe njëri i antidrogës këto llafe i thashë. U ul në sytë e mi, këto nuk mi ndalon dot njeri .Avioni u ul në fillim të muajit janar, e pashë unë, tjetër gjë nuk mund të them. Vetëm njëherë e kam parë”, u shpreh një bari në zonën e Kardhiqit. Një javë më arë në këtë emision, u zbardh shkresa e dërguar nga Shërbimi Informativ Shqiptar ndaj ministres së mbrotjes, ku kjo e fundit informohej se një avion i vogël sportiv i bardhë ishte ulur në aeroportin e Gjadrit. Në shkresën e SHISH citohej se,: “ka dyshime serioze për shfrytëzimin e aeroportit Gjadër në funksion të trafikut të drogës”.
Kreu i Komisionit të Sigurisë/ Braho: Nga SHISH del informacion sekret. Noka: Deklarata që s’kanë vlerë të komentohen
Kryetari i Komsionit të Sigurisë, Spartak Braho deklaron se informacioni sekret vijon të dalë nga Shërbimi Informativ Kombëtar. “Ka patur rrjedhje dhe këtë e di shumë mirë, për këtë jam edhe dëshmitarë edhe i faktiti se vet institucioni i SHISH-it është një nga burimet e rrjedhjes së informacionit në të cilën vet kryetari i këtij institucioni e ka pohuar. Nënkryetari i komisionit zoti Noka u bë portavoçja më e lirë dhe aspak e paguar për të shpërndarë materialin e kualifikuar sekret. Skandal që tregon mungesën e seriozitetit të institucionit dhe të atyre që përpiqen në emër të reformimittë tij ta shkatërrojnë fare”, tha ai për “as”. I pyetur nga gazeta lidhur me këto deklarata, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, deputeti demokrat pohoi se,: “s’ia vlen ti komentosh deklaratat e Spartakut”. Ndërkaq sa i përket draftit të qeverisë për krijimin e një strukture në kryeministri e cila do të merret me informacionin sekrete, si një ndërmjetës mes SHISH dhe institucioneve të tjera, Noka theksoi se nuk e ka ende draftin në dispozicion për të dhënë një koment lidhur me të. “Se kam akoma dhe pa e parë nuk mund të flas për të. Kam dëgjuar që ka një draft, por pa e pasur në dorë nuk mund të flas”.