Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbledh sot grupet e punës për Tiranën, ku në qendër të diskutimit do të jetë caktimi i koordinatorëve. Në mbledhjen që do të zhvillohet në mesditë në selinë e PD-së, në kryeqendër të diskutimeve do të jetë dega e PD-së në Tiranë, ku kreu demokrat së bashku me grupet e punës për kryeqytetin do të caktojnë koordinatorët, duke nisur kështu edhe punën në këtë aspekt. Partia Demokratike ka mandatuar 38 koordinatorë në qytete dhe zona të ndryshme të vendit, të cilët do të merren me procesin e anëtarësimeve të reja në PD si dhe analizën që do ta shoqërojë këtë forcë politike deri në zgjedhjet për strukturat e saj drejtuese. Sa i përket kryeqytetit, risia e anëtarësimeve qëndron në faktin se aplikimet mund të bëhen edhe nëpërmjet internetit, online. Kjo ishte një zgjedhje që u argumentua nga përfaqësuesit e PD-së, me faktin se kryeqyteti konsiderohet si një nga zonat me përdorimin më të madh të internetit. Në faqen online të Partisë Demokratike është publikuar tashmë formulari, i cili mund të plotësohet me të dhënat personale të cilitdo. Në këtë faqe citohet edhe ligji për ruajtjen e të dhënave personale, një garanci kjo për aplikuesit qe duan të bëhen pjesë e strukturave të Partisë Demokratike. Pas fazës së vlerësimit të bazës së anëtarësisë, PD pritet të mbyllë këtë proces për kryeqytetin dhe në muajt maj-qershor, kjo forcë politike pritet të zhvillojë zgjedhjet për strukturat e saj përfaqësuese dhe drejtuese, përjashto këtu kreun e PD-së, i cili u mandatua në korrik të 2013-ës.
Projektligjet e qeverisë/ Hiqen kompetencat e Presidentit, Noka: Politizohet SHIU, Kryeministri dublon SHISH-in
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, denoncoi dje dy ndër projektligjet e fundit të qeverisë, duke i cilësuar ato si antikushtetuese. Sipas tij, këto dy nisma politizojnë ushtrinë dhe zhveshin Presidentin nga kompetencat e tij ligjore. “Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish Presidentin e Republikës, duke i hequr atij një kompetencë kushtetuese. Me projektligjin që ka paraqitur në Kuvend, Edi Rama merr në dorë emërimin e kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes. Me këtë skemë të rrezikshme, Edi Rama po tenton të kontrollojë personalisht Shërbimin Inteligjent të Ushtrisë, por dhe të rrisë kompetencat e tij duke shkuar drejt një dublimi të Shërbimit Informativ të Shtetit. Edi Rama kërkon një shërbim informativ të ushtrisë, që të mos i bindet ligjit dhe Kushtetutës, por t’i bindet atij”, – tha Noka. Më tej, deputeti demokrat theksoi se kreu i ekzekutivit shqiptar po kërkon një shërbim informativ të ushtrisë që të mos denoncojë aferat e rënda kriminale të trafikut të drogës, por kërkon ta ketë si armë politike në duart e tij. Nga ana tjetër, Noka shtoi se Kryeministri ka marrë dhe një tjetër kompetencë që i takonte Presidentit Nishani, siç është miratimi i projektligjit për dhënien e gradave në ushtri. “Edi Rama ka miratuar dy ditë më parë dhe projektligjin që i mundëson kryeministrit dhënien e gradave. Kryeministri po e fut ushtrinë në kursin e politizimit të plotë, duke marrë në dorë edhe shpërndarjen e gradave, që tashmë do të jenë partiake. Partia Demokratike i dënon këto iniciativa të rrezikshme dhe antikushtetuese, dhe i kërkon Kryeministrit të tërhiqet sa më parë, të mos cenojë integritetin e ushtrisë shqiptare, tashmë ushtri e NATO-s”, – deklaroi deputeti demokrat Flamur Noka.