Mosmarrëveshjet, që nuk zgjidhen ndërmjet palëve, zgjidhen nga organet gjyqësore dhe fakti i ekzistencës së kësaj mosmarrëveshjeje pasqyrohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme, objekt shqyrtimi
Zyra e Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme shumë shpejt do të nisë riregjistrimin e tokës apo pasurisë. I gjithë ky regjistrim do të bëhet në rastet kur ka mospërputhje të të dhënave apo kur individët kërkojnë që prona e tyre të kalojë në një proces të ri regjistrimi. “Përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme është një proces që përfshin të gjitha pasuritë e paluajtshme në territorin brenda kufirit të një zone kadastrale dhe do të quhet përmirësim sistematik. Përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme mund të kryhet edhe për pasuri apo grup pasurish të paluajtshme, të cilat kërkojnë përmirësime për raste të tjera të ngjashme, por që nuk renditen në mënyrë specifike në nenet 30, 31 dhe 63, të ligjit nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe do të quhet përmirësim sporadik. Përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme do të kryhet me kërkesë të subjektit të interesuar ose me nismën e regjistruesit dhe/ose të kryeregjistruesit”, – thuhet në vendimin e qeverisë. Procesi i përmirësimit dhe përditësimit të të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme do të kryhet nga ZRPP-ja ose nga çdo person apo grup i autorizuar, me urdhër nga kryeregjistruesi, pas propozimit të regjistruesit.
Regjistrimi
Kur kërkesa për përmirësimin e të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme bëhet nga subjekte apo institucione të interesuara, me qëllim kryerjen e përmirësimit sistematik, procesi do të mbulohet financiarisht nga kërkuesi, duke aplikuar standardet e miratuara, në bazë të një marrëveshjeje me ZRPP-në, e cila monitoron e kontrollon procesin dhe konkluzionet përfundimtare. Regjistruesi i ZVRPP-së përkatëse i propozon kryeregjistruesit fillimin e procesit për përmirësimin sporadik, duke i bashkëlidhur kërkesën e palës së interesuar dhe dokumentacionin shoqërues të saj. Kryeregjistruesi, brenda 15 ditëve pas marrjes së propozimit, urdhëron ZVRPP-në për fillimin e procesit të përmirësimit sporadik, duke i vënë në dispozicion pjesë të produktit fotogrametrik ku ndodhet zona kadastrale përkatëse. ZVRPP-ja, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së urdhrit të kryeregjistruesit, kryen verifikimet përkatëse për produktin fotogrametrik dhe hartën kadastrale, duke përcaktuar numrin e pasurive që përfshihen në përmirësimin sporadik. Pavarësisht se kërkesa mund të jetë për përmirësimin e një pasurie të paluajtshme, procesi i përmirësimit sporadik do të përfshijë edhe pasuritë e tjera, të cilat preken nga përmirësimi i të dhënave të regjistrimit për pasurinë e paluajtshme që është objekt i kërkesës. Në këtë numër pasurish do të përfshihen ato pasuri që ndodhen brenda parcelës bujqësore mëmë ose brenda një territori minimal me kufij natyrorë apo pasuri të paluajtshme, që dallohen qartë në produktet fotogrametrike dhe në terren. Pas verifikimit të kryer nga ZVRPP-ja, regjistruesi informon palën e interesuar për sa është verifikuar dhe i kërkon asaj të kryejë studimin hartografik të zonës ku do të kryhet procesi i përmirësimit sporadik, nëpërmjet inxhinierëve gjeodetë të licencuar, duke i bashkëlidhur fragmente të hartës kadastrale ekzistuese dhe pjesë të produktit fotogrametrik. “Pala e interesuar, brenda 30 ditëve pas marrjes së shkresës nga regjistruesi i ZVRPP-së, duhet të paraqesë në ZVRPP studimin topografik në format manual dhe digjital. Me paraqitjen e studimit topografik, ZVRPP-ja kryen procesin e përmirësimit të të dhënave digjitale dhe manuale të regjistrit të pasurive të paluajtshme që janë përfshirë në procesin e përmirësimit sporadik. Kartela e pasurisë/pasurive të paluajtshme dhe harta kadastrale e përmirësuar, në zbatim të urdhrit të kryeregjistruesit, afishohen për një periudhë 45-ditore në mjediset e ZVRPP-së dhe të organit të qeverisjes vendore, ku ndodhet e pozicionuar zona apo pasuria, e cila i nënshtrohet përmirësimit dhe/ose përditësimit të të dhënave. Brenda afatit të afishimit publik, personat e interesuar kanë të drejtë të paraqesin pretendimet për përmirësimin e të dhënave pas periudhës së afishimit publik”, – përcakton vendimi i qeverisë. Të gjitha pasuritë e paluajtshme, për të cilat nuk ka asnjë pretendim, do të regjistrohen siç janë në kartelat dhe hartat kadastrale të përmirësuara. Mosmarrëveshjet, që nuk zgjidhen ndërmjet palëve, zgjidhen nga organet gjyqësore dhe fakti i ekzistencës së kësaj mosmarrëveshjeje pasqyrohet në kartelën e pasurisë/ve të paluajtshme, objekt shqyrtimi.
Përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme, kryhet në rastet kur:
– të dhënat e pasqyruara në to nuk përputhen me ato të aktit të fitimit të pronësisë apo të së drejtës reale, të përdorur për kryerjen e regjistrimit
– nuk ekziston lidhja mes një kartele dhe një harte kadastrale
– pozicioni gjeografik i pasurive, i pasqyruar në hartën kadastrale, nuk përkon me pozicionin gjeografik faktik të këtyre pasurive, sipas aktit të fitimit të pronësisë
– pozicioni i kufirit të zonës kadastrale, i pasqyruar në hartën kadastrale, nuk përkon me pozicionin gjeografik faktik
– pasuri të paluajtshme, të ndodhura brenda kufirit të zonës kadastrale, nuk janë të regjistruara
– elementet matematike të hartës kadastrale nuk janë të sakta
– indeksimi i dokumentacionit tekniko-ligjor nuk është në përputhje me standardet digjitale të miratuara
Drejtorja e AKKP-së/ 300 milionë lekë për pronarët
Pronat e kompensuara, ato të fituara dhe gjithçka është në pritje për t’u dhënë tek pronarët e ligjshëm do t’i nënshtrohet një skaneri të detajuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sonila Qato, drejtore e AKKP-së, është shprehur se këtë vit ka një fond prej 300 milionë lekë për kompensim. “AKKP ka një periudhë të gjatë kohore tashmë, sepse nuk është pak, ka rreth 6 muaj dhe është duke punuar intensivisht për një skaner të plotë të të gjithë aktivitetit që ajo ka pasur. Sot në AKKP nuk ekziston një shifër e saktë zyrtare e numrit të vendimeve që janë marrë nga viti 1993 deri më sot. Nuk ekziston ende një faturë financiare apo më saktë një faturë për kompensimin, e cila është shume e rëndësishme dhe ka qenë një prej detyrave që shteti shqiptar ka marrë përsipër”, – tha Sonila Qato, drejtore e AKKP-së. Kjo, gjatë emisionit “Mëngjes në AS”. Lidhur me çështje që po ndiqen nga Gjykata e Strasburgut Qato bëri me dije se është ndërmarrë një projekt pilot, për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi.“Ka kaluar për miratim ky plan veprimi tashmë nga AKKP-ja, Ministria e Drejtësisë dhe të gjitha organet e tjera që kanë lidhje me pronat, do të fillojnë të ndërmarrin hapat konkretë për ta detajuar këtë plan veprimi dhe për ta kthyer në një mekanizëm efiçent në zgjidhjen e kësaj situate. 300 milionë lekë nuk është një fond i vogël. Nga krahu tjetër është një fond i pamjaftueshëm për të zgjidhur problemin lidhur me kompensimin e pronave dhe pritshmërinë që kanë qytetarët ndaj pronave. Sikurse 50 persona kanë përfituar nga ky fond që janë trashëgimtarë të subjektit të shpronësuar nuk janë një numri madh personash në raport me numrin e qytetarëve që mbajnë në dorën e tyre një vendim kompensimi. Sipas saj, fondi i dhënë për kompensimin e pronarëve gjatë 2013-ës nuk ka qenë i mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha dosjet që janë pranë AKPP-së, gjë që ka gjasa të jetë e njëjtë edhe këtë vit. “Këtë vit qeveria ka vendosur në dispozicion të AKKP-së, në fondin special, një kompensim me vlerë prej 300 milionë lekësh. Megjithatë, ne gjykojmë që është shumë herë më e rëndësishme që të fillojmë të ndërmarrim këto reforma, të cilat do ta shndërrojnë edhe legjislacionin që është në fuqi në disa instrumente dhe mekanizma, të cilët do të quhen efektivë në zgjidhjen e këtij problemi”, – tha Sonila Qato, drejtore e AKPP-së.Pas skanimit të të gjitha dosjeve dhe arkivit së AKPP-së, pritet një informacion i hollësishëm për numrin e pronave të kthyera, vlera e kompensimit dhe të gjitha dosjet e tjera që janë në pritje për kthim prone apo kompensim në vlerë financiare.