Sonila Mesareja
Gjykata vlerëson të ligjshme arrestimet dhe lë në “burg pa afat” të arrestuarit e operacionit “Marry Christmas 2”
Pesë të dyshuarit si trafikantë droge dhe shefi i Antidrogës në Fier kanë dalë dje para Gjykatës, ku janë njohur me akuzat dhe masat e arrestit të marra në mungesë. Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, një pas një kanë hyrë të akuzuarit Jorgo Naçi (Emiljamo Brahimi), Niko Brahimi, Sajmir Shosha, Edison Latifaj dhe Agur Malaj, për të cilët prokurori ka lexuar akuzën, faktet që disponohen dhe që provojnë kërkesën e tyre për lënien e burg deri në përfundim të plotë të hetimeve, si dhe rolin e tyre në disa tentativa trafikimi të sasive të mëdha të drogës së Lazaratit drejt shtetit fqinj të Italisë. I fundit është njohur me masën shefi i Antitrafikut, Dritan Zagani, i cili akuzohet se ka dekonspiruar shumë operacione të kolegëve të tij, duke njoftuar trafikantët dhe në mënyrë të veçantë një shtetas Italian që bënte pjesë te strukturat e policisë italiane të Guardia Di Financës. Sipas burimeve zyrtare nga Krimet e Rënda, Zagani ishte rekrutuar nga strukturat për të dhënë informacione në këmbim të parave. Ndërkohë që nga burime pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda bëhet me dije se të akuzuarit kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se nuk kanë të përfshirë në ndonjë rrjet trafikimi i lëndës narkotike apo të kenë tentuar trafikim të saj.
Rekrutimi
Nga hetimet e deritanishme rezulton se Dritan Zagani, shefi i antidrogës në Policinë e Fierit, ishte rekrutuar dhe jepte informacione për trafikun e drogës tek policia italiane e Guardia di Financës. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës, sipas të cilëve ky fakt është provuar gjatë hetimeve disa mujore nga Prokuroria për Krime të Rënda. Sipas dosjes, Zagani shfrytëzonte informatorët e policisë për marrjen e informacionit në lidhje me linjat e trafikut të drogës dhe nuk vepronte siç e ngarkon ligji për të parandaluar trafikantët, por i dërgonte informacionet tek policia italiane. Prokuroria nuk jep më tepër detaje rreth oficerit të kontaktit me të cilin komunikonte vazhdimisht Zagani, duke i koordinuar lëvizjet dhe veprimet e tyre për bllokimin e drogës në shtetin fqinj të Italisë. Sipas dosjes, mësohet se për këto informacione, Zagani në një rast edhe është shpërblyer me një shumë parash të cilat janë dërguar nëpërmjet agjencisë së transfertave të parave.
Zyrtarisht, nuk dihet ende qëndrimi zyrtar i Guardia di Financës, për rekrutimin e shefit të anti-trafikut të drogës dhe arsyes pse informacioni shkëmbehej pa dijenin e tituallarëve shqiptar apo duke mos përdorur rrugën zyrtare por atë informale.
Zbulimi
Prokuroria e Krimeve të Rënda dha detaje si u ra në gjurmët e kreut të Antitrafikut të Fierit. Gjatë hetimeve të zhvilluara për grupin e trafikantëve nga Lazarati, rezulton se njëri prej tyre komunikonte shpesh me shefin e sektorit të Luftës kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Fierit, Dritan Zagani, duke e vënë në dijeni për lëvizjet e grupit. Ky i fundit, në bazë të informacioneve të marra në këtë rrugë joligjore, pasi nuk kishte vënë në dijeni strukturat eprore të tij, organizon në janar 2014 një operacion “rutinë”, në të cilën bllokohen në një automjet në aksin rrugor Fier-Vlorë rreth 101 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Ky veprim, i cili ishte i pakoordinuar me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndikoi negativisht në një operacion tjetër që po zhvillohej lidhur me këtë ngarkesë, për të cilën pritej destinacioni final i kësaj lënde narkotike për të ndërhyrë. Nga hetimet rezultonte se personat që po transportonin këtë ngarkesë lënde narkotike kanë komunikuar me “burimin” e zyrtarit të policisë Zagani, pasi e konsideronin bashkëpunëtor të tyre. Pra, shtetasi nën hetim Dritan Zagani, në kundërshtim flagrant me ligjin ka bashkëpunuar me “burimin” e tij në rastin në fjalë, pasi ai do të duhej të rregullonte veprimtarinë e “burimit” të tij në përputhje me nenet 294/a e vijues të Kodit të Procedurës Penale. Ai paraprakisht duhej të kishte informuar Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier apo Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë për Krime të rënda duke referuar veprën penale e në vijim me autorizimet përkatëse të dokumentonte veprimet e “bashkëpunëtorit” të tij pasi në kryerjen e kësaj vepre penale ka dukshëm veprime aktive.
Zagani, raportim një shtetasi të huaj mbi operacionet
Një tjetër element që ka vënë pas prangave shefin e Antitrafikut ishte raportimi që ky zyrtar i Policisë së Shtetit i bënte një shtetasi të huaj për operacionet e zhvilluara apo informacionet që dispononte. “Në vijim, shtetasi Zagani i raporton për operacionin një shtetasi të huaj duke shkelur etikën, detyrën dhe sekretin hetimor dhe me papërgjegjshmëri flet për detaje të cilat nuk i ka bërë prezent as tek eprorët e tij dhe nuk gjejnë pasqyrim në asnjë dokument të firmosur prej tij dhe të administruar në përmbushje të detyrës”, – bën me dije Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke shtuar se “komunikimi në vijim me këtë shtetas, i cili nuk ka asnjë autorizim as nga autoritetet shtetërore të vendit të tij dhe as nga autoritete shtetërore shqiptare, përbën shkelje të rëndë të detyrës së tij si punonjës policie, pasi ai për shkak të detyrës që ka në radhët e Policisë së Shtetit, merr informacione për aktivitete të ndryshme kriminale të zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe i raporton ato tek ky shtetas pa qenë i autorizuar për një veprimtari të tillë. Këto informacione nuk i administron sipas ligjeve procedurale penale dhe ligjit organik të Policisë së Shtetit, por ia dërgon një shtetasi të huaj të paautorizuar për të marrë këto informacione”. Në vijim të këtyre hetimeve, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjykata vendosi në mungesë masën e arrestit me burg për shtetasin Dritan Zagani, akuzuar për “Shpërdorim detyre”, e cila është ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit paralelisht me arrestimin e 5 personave nga Lazarati, të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Dëshmia/ Nëna e 7-vjeçarit: Begzim Isa tentoi të më trafikonte djalin
Begzim Isa ka mohuar të ketë tentuar të rrëmbejë për qëllim trafikimi kushëririn e tij 7-vjeçar. I pyetur nga trupi gjykues, i pandehuri ka shpjeguar se ka ndërhyrë thjesht për të shuar një zënkë kalamajsh, por ka reaguar prokurori i çështjes, i cili ka deklaruar se është e provuar që Isa ka tentuar të dalë nga fshati me fëmijën, ndërsa e kërcënonte me armë. Të njëjtin qëndrim para Gjykatës ka mbajtur edhe nëna e fëmijës 7-vjeçar, e cila ka dëshmuar se i pandehuri ka tentuar t’i trafikonte djalin dhe se ka qenë ndërhyrja në kohë e vëllait të fëmijës që ka lajmëruar edhe banorë të tjerë, që bëri të mundur parandalimin e trafikimit drejt Kosovës. Begzim Isa akuzohet për “Trafik të fëmijëve të mbetur në tentativë”. Ai ka marrëdhënie familjare me fëmijën që tentoi të trafikonte, çka ka sjellë edhe acarim mes dy familjeve për këtë ngjarje. Studenti i pandehur vazhdimisht ka mohuar akuzën, duke pretenduar se ka qenë një zënkë mes fëmijëve ku ai kishte ndërhyrë për t’i qetësuar dhe ndarë. Por, akuza ka të provuar se Isa e ka marrë fëmijën 7 vjeç dhe është nisur për të dalë nga fshati duke e kërcënuar me armë.
Gjykatë/ Vijon procesi “Gjika” me dëshmitarët, mohojnë të kenë dijeni për vendimet
“Nuk dimë gjë apo nuk mbajmë mend gjë”. Kjo është fjalia tipike e gati të gjithë dëshmitarëve të sjellë para Gjykatës deri tani nga akuza në procesin gjyqësor kundër kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, dhe vartësve të tij. Dje kanë dëshmuar katër dëshmitarë, të gjithë ish-anëtarë të KRT-së së Bashkisë së Vlorës. Sipas Bashkim Cakës, nuk mban mend që në mbledhje të jenë diskutuar lejet e ndërtimit për dy pallatet që akuzohet Gjika dhe të pandehurit e tjerë. Edhe dëshmitarët e tjerë nuk mbanin mend nëse është diskutuar apo jo kërkesa për leje. Seanca u ndërpre për të vazhduar të hënën e ardhshme me pyetjen e 5 dëshmitarëve të tjerë të akuzës.