Sampajo jep dorëheqjen, Partizani hesht

0
157

Pas humbjes ndaj Skënderbeut, tekniku që drejton të kuqtë u shpreh se do të japë dorëheqjen, por pavarësisht nga deklaratat e tij, ende nuk ka dalë një vendim zyrtar nga klubi

 sampajoTe Partizani duket se do të ketë ndryshime. Revolucioni duket se do të fillojë që te trajneri. Sampajo, pas dështimit ndaj Skënderbeut, deklaroi se do të japë dorëheqjen. Motivi i largimit të tij ishte fakti se nuk arriti që të krijonte një lojë fituese ndaj korçarëve, edhe pse lojtarët dhanë maksimumin. Mirëpo, duke parë të gjitha rrethanat, duket se Sampajo ka vendosur që të largohet. Testi ndaj korçarëve ka qenë mjaft i mirë dhe ka shërbyer për të parë se ku shkon portugezi. Kujtojmë se fillimisht ai erdhi si përgatitës atletik, ndërkohë që më pas mori postin e trajnerit pas dorëheqjes së Likës. Ndërsa tani duket se edhe aventura e tij po vjen drejt fundit.

Tekniku pas ndeshjes në konferencë për shtyp u shpreh: “Sigurisht jam përgjegjësi kryesor për këtë humbje, pasi jam unë trajneri i kësaj skuadre. Jam fajtori kryesor për këtë disfatë dhe i marr përsipër të gjitha përgjegjësitë. Kemi dalë jashtë objektivit dhe për sa i përket të ardhmes sime do të flas me presidentin dhe do të kërkoj dorëheqjen”. Pas kësaj deklarate të trajnerit Marsio Sampajo, në përfundim të takimit me Skënderbeun, ku të kuqtë u mposhtën me rezultatin 1-2, situata te Partizani mbetet e nderë. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga ana e klubit për dorëheqjen e portugezit, i cili mori të gjitha përgjegjësitë për disfatën me kampionët në fuqi të Superiores dhe për mosarritjen e objektivave në përgjithësi. Burime pranë klubit kryeqytetas lënë të kuptohet se presidenti Gazmend Demi nuk e ka pranuar kërkesën e Sampajos për t’u dorëhequr, duke lënë gjithçka në heshtje. Fakti që sezoni ende nuk është mbyllur dhe se matematikisht 15-herë kampionët e Shqipërisë kanë ende shanse për vendin e tretë, i detyron drejtuesit e klubit të presin përfundimin e sezonit për të vendosur më pas për të ardhmen e 35-vjeçarit. Ndoshta kjo është edhe një taktikë e Sampajos për të kuptuar se deri në ç’pikë e ka mbështetjen e presidencës, e cila i ka lënë dorë të lirë në skuadër që pas largimit të Hasan Likës. Mosrealizimi i objektivit evropian mund ta ndëshkojë Partizanin në shumë drejtime. Vetëm nga pjesëmarrja në turin e parë paraeliminator të Ligës së Evropës, të kuqtë mund të përfitonin 120 mijë euro pa futur në llogari edhe të drejtën televizive. Një kalim i turit të parë do të dyfishonte të ardhurat e Partizanit. Të ardhura këto që do të ndikonin shumë në të ardhmen e klubit. Të kuqtë nisin sot përgatitjen për ndeshjen e fundit të kampionatit. Kundërshtarë që do të kenë përballë do të jetë Lushnja. Një skuadër e cila e ka marrë vesh fatin e saj dhe që nuk do të mundohet shumë për të bërë surprizën, duke parë edhe disnivelin që ka midis dy skuadrave. Tashmë mbetet vetëm të shihet nëse dorëheqja e Sampajos ka qenë e parevokueshme apo një mënyrë për të provuar besimin e drejtuesve.

 

Ançeloti: Lufta për titull, e hapur

Tekniku i “galaktikëve”, Karlo Ançeloti, beson se vendosja e titullit është ende e paqartë pas një fundjave ku të tre liderët lëshuan pikë. Atletiko Madrid u mposht, teksa Barcelona dhe Reali u ndalën në shtëpi dhe Ançeloti thotë se lufta për titull është shumë e hapur. “Kampionati do të vendoset në ndeshjet e fundit, këtë e kam thënë më parë. Dhe kështu edhe do të ndodhë. Ishte një javë e vështirë për top-treshen dhe tani është lufta më e hapur se kurrë. Është e vërtetë se Valencia luajti të enjten, por ata s’kishin presion. Ata luajtën më të liruar. Ne luajtëm në presion. Nuk jemi të kënaqur. Ne kemi tri ndeshje dhe duhet t’i fitojmë të tria. Ëndrra është e njëjtë”, – ka thënë italiani.

 

Atletiko nuk ka oferta për Diego Kostën

 Atletiko Madrid nuk ka marrë oferta për sulmuesin Diego Kosta. Kështu ka deklaruar presidenti i klubit, Enrike Cerezo. Kosta ka qenë në formë të lartë këtë sezon për Atletikon dhe ka pasur spekulime se ai mund të joshet nga klubet më të mëdha evropiane. Por, Cerezo shprehet i qartë dhe i sigurt se ai nuk do të largohet në fund të sezonit. “Nuk është koha të flasim për transferime. Kemi shumë ndeshje të rëndësishme para nesh. Diego Kosta u transferua kur ishte 18 vjeç, kur ishte një fëmijë dhe askush nuk e ka menduar se ai do të bëhet i tillë. Çelsi? Ne nuk duam të dimë për këto gjëra kur kemi këto ndeshje të rëndësishme. Nuk duam të destabilizojmë ekipin. Nuk mund të them se nuk ka asgjë, jo zyrtarisht të paktën. Nëse pyetja është nëse kemi marrëveshje për Kostën, unë them se nuk kam dëgjuar asgjë”, – ka thënë Cerezo.

 

Tirana shpallet kampion në volejboll për të rinj

 Tirana është shpallur kampione në një atmosferë të bukur që duket se është rikthyer në “Asllan Rusi”. Dje u zhvillua kampionati i volejbollit për të rinj dhe në të dyja kategoritë, si për meshkuj ashtu edhe për femra, është shpallur kampion ekipi kryeqytetas. Për djem Tirana u përball me Elbasanin, ndërsa për femra ekipi i Tiranës u sfidua nga një ekip surprizë si ai i Himarës. Të dyja skuadrat e kryeqytetit arritën që të fitonin 3-2 me sete, duke triumfuar në këtë kompeticion.

 

Luis Suarez, më i miri edhe sipas gazetarëve

Luis Suarez ka fituar çmimin si “Futbollisti më i Mirë i Vitit” nga gazetarët sportivë, i dyti pas atij që fitoi nga PFA, ditë më parë. Sulmuesi ka kryesuar sondazhin me 52 për qind të votave, me bashkëlojtarin e tij Stiven Xherard dhe mesfushorin e Sitit, Jaja Ture, që përfunduan në vendin e dytë dhe të tretë. Suarez ka shënuar 30 gola këtë sezon, duke udhëhequr listën e golashënuesve dhe ka nevojë për vetëm dy gola për të thyer rekordin e Alan Shirërit dhe të Kristiano Ronaldos prej 31 golash brenda një sezoni me 38 ndeshje, edhe pse mungoi në ndeshjet e para të sezonit për shkak të suspendimit. “Ata anëtarë që kanë qenë me fat të punojnë në një ndeshje ku është përfshirë Luis Suarez kanë qenë dëshmitarë të një talenti mahnitës. Mundi i palodhshëm i shoqëruar me imagjinatën e jashtëzakonshme e bën një kombinim të parezistueshëm. Shtoja këtu përfundimet e zgjuara, të pacipa dhe ju keni një futbollist që vërtet të shpejton pulsin. Luis është një shtesë e theksuar në listën e gjatë dhe të veçantë të fituesve të çmimin tonë”, – ka thënë kryetari i AGF, Andi Dan.