Angjelin Preljocaj/ Shoh dëshirën, por jam i paduruar për nivelin e balerinëve!

0
221

Violeta Murati

la stravaganza“Kishte me ken shumë mir me mujt me fol shqip për kyt konferencë, krejt shqip me kallzue çfarë kam n’zemër. Por me vjen keq se nuk mundem e do flas frengjisht…” – nis fjala e koreografit më famë në Evropë, me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj vihet brenda një kohe të shkurtër dy herë para mediave, tani përballë e më parë përmes “Skype”.

Arsyet pse e rikthejnë Preljocajn në Tiranë, fizikisht, pas vitit ‘94, s’kanë ndonjë peshë personale apo nostalgji, por kërkesa e Ministrisë së Kulturës për të bashkëpunuar me një nga institucionet qendrore të artit në vend, siç është Teatri i Operas dhe Baletit me kompaninë e tij private. “Kontaminim pozitiv” – e ka quajtur koreografi një farë “shkrirje” mes balerinëve të tij e shqiptarë, ndërsa bëhet fjalë për një projekt trevjeçar bashkëpunimi, ku aq pak sa u tha dje, u kuptua se lidhet me nivelin e njohjes teknike, teknologjinë si dhe shkëmbimin e balerinëve mes trupës së Preljocajt dhe TOB.

Bisedat siç tha koreografi janë në fazën e shikimit të mundësive të realizimit deri në nënshkrimin e një protokolli zyrtar ku do vendosen kushtet e angazhimet e palëve. I kapur prej fyti Teatri i Operas nuk u mor vesh se kë kishte drejtor, pasi e gjitha rrjedh si nismë e drejtpërdrejtë e ministres, e cila ka shkuar deri në Paris për ta takuar personalisht koreografin. Ajo tha se kjo punë është e përfunduar, entuziaste për bashkëpunimin meqë rasti i parë i “provës” lidhet me shfaqjen e sotme në kuadër të Ditës së Evropës.

Preljocaj, një trup i pakët, i ulur në kolltukët tejet të vjetruar (kushedi prej ç’kohe janë aty) jo pa habi dhe kuriozitet ka vëzhguar gjithë Operan, pa lënë gjurmë përshtypjesh të gjata në reflektimin e tij. “Jam shumë i lumtur që rikthehem në Tiranë, në vendin tim, në vendin e origjinës. Shoh se ka shumë kapacitete, energji, dëshirë nga ana e balerinëve shqiptarë për të realizuar këtë projekt dhe unë jam i gatshëm dhe kam ardhur këtu që të luaj dhe unë rolin tim në këtë entuziazëm dhe këtë përpjekje”.

Spektaklin e sotëm, për dy net në TKOB, «Stravaganza» dhe «Royaume Uni», koreografi e ka quajtur simbolikë në fillesën e bashkëpunimit, pasi balerinë shqiptarë dhe të importuar nga Franca do të interpretojnë bashkë.

Është jashtë natyrës “rutinë” të punës së tij baleti që do vendosë sonte në Tiranë. Preljocaj ka treguar se e ka shkruar për katër balerinë hip-hopi, e hibridizuar me stilin e tij personal. “Nuk mund të them se ky është stili im por është një nga parametrat e punës time”. Një lloj eksperimenti për të cilën koreografi thotë e ka dhe për pjesën e dytë, e përgatitur mes trupës së tij dhe Teatrit të Operas dhe Baletit.

Për “La ekstravaganza”-ën rrëfen se është pasqyrë e karrierës së tij artistike, ku materializohet e gjithë eksperienca e emigracionit, shkruar në vitin 1997.

“Është një balet që kërkon një teknikë të jashtëzakonshme të baletit klasik por njëkohësisht kërkon dhe një përpjekje fizike të jashtëzakonshme sepse është një lloj koreografie që të drejton drejt tokës dhe kërkon një angazhim. Është pikërisht ky lloj kontakti që përpiqem të përcjell përmes këtij spektakli”.

Dy produksione në vit, dhe shfaqje të panumërta – me këtë ritëm pune, Preljocaj tregon se është e rrallë, ka pak njerëz që në jetë ndjekin pasionin e tyre duke shpërfillur fjalën “punë”. Në Tiranë, Preljocajn e kemi ndjekur në dy tre vepra, pa prezencën e tij, dhe kjo prekje reale tani, e shtyn të thotë se “shoh një dëshirë dhe energji shumë të madhe në Shqipëri ashtu siç ka ndodhur me artin një rilindje në art pikërisht një gjë të tillë ndjej që po ndodh në Shqipëri. Është kjo që më ka tërhequr dhe më ka bërë të vij këtu.

Këtë ndjenjë dhe dëshirë që gjej këtu në Shqipëri në disa vende të Evropës nuk është kaq e fortë. Evropa është shumë e bukur dhe herë pas here kam ndjesinë se njerëzit nuk e kuptojnë sesa e bukur është Evropa, dhe pikërisht në Shqipëri ndjehet kjo gjë, një lloj urie për të tilla të bukura”. Me këtë ide evropiane foli dhe ministrja Kumbaro që në fakt dje u duk më tepër si drejtore e Teatrit të Operas dhe Baletit se sa në profilin e saj qeveritar.