Përplasje për naftën / Rama pranon thyerjen e embargos, opozita kërkon komision hetimor  

0
160

Florenc Drizari

 

Berisha: Shqipëria dhe Siria me datë 20 ose 22 mars kanë thyer embargon e naftës

 Rama: Fatkeqësisht ka ndodhur. Ka ndodhur ekzaktësisht kështu siç do t’ju them

berisha parlament Kuvendi i Shqipërisë u përfshi në debate të ashpra për thyerjen e embargos së naftës me Iranin. Replikat në Kuvend u zhvilluan mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të qeverisë, Edi Rama. Fillimisht, ishte Berisha i cili në fjalën e tij akuzoi krerët e mazhorancës për thyerjen e embargos dhe cenimin e marrëveshjeve me aleatët e Shqipërisë. Duke iu referuar raporteve të OKB-së mbi energjinë, Berisha theksoi se embargo e naftës është thyer në muajin mars. Ai akuzoi krerët e qeverisë për heshtjen gjatë këtyre ditëve, ndërkohë që në replikë më të, Kryeministri Rama pranoi thyerjen e embargos me Iranin, por duke bërë përgjegjës qeverisjen e kaluar.

 

Sali Berisha

Ish-kryeministri Berisha kërkoi në seancën e djeshme plenare ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar mbi thyerjen e embargos së naftës nga Shqipëria në muajin mars.

“Agjencitë e lajmeve, shtypi më prestigjioz evropian dhe amerikan kane shkruar se Shqipëria ka thyer embargo e naftës me Iranin. Agjensia Ndërkombëtare Atomike, watch dog-u i OKB-së për embargo e Iranit, në raportin e saj të fundit informon se embargo e kanë thyer Shqipëria dhe Siria më datë 20 ose 22 mars, pra ka dhe datën e ngarkesës”, – deklaroi Berisha. Sipas tij, më shqetësuese është heshtja e qeverisë ndaj kësaj çështjeje.

“Opozita nuk ka asnjë lloj mëdyshje në qëndrimin e saj të prerë dhe në kërkojmë një Komision Hetimor parlamentar dhe ne do ta ngremë atë sepse ne nuk mund të pranojmë që interesat kombëtare të shiten në këtë mënyrë. Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të bëhet një shtet zuzar, të bashkëpunojë me armiqtë e kombit shqiptar. Ne nuk mund ti pranojmë këto. Absolutisht. Dhe kjo është gjëja më e rëndë, më serioze. Çfarë qëndron mbrapa këtyre veprimeve?”, – deklaroi ish-kryeministri.

 

Edi Rama

Ndërkaq, në reagimin e tij, Kryetari i Këshillit të Ministrave pranoi se Shqipëria kishte thyer embargon e naftës, por me një ndryshim tha ai, që kjo embargo është thyer në pranverën e vitit 2013, kohë në të cilën qeverisnin demokratët. Për këtë Rama lexoi edhe disa shifra që sipas tij, vërtetojnë thyerjen e embargos me Iranin. “Në pesë raste vendi eksportues është Irani dhe dogana hyrëse është Kapshtica dhe Qafë-Thana. Artikulli i importuar është faji bazë në sasinë 108 110 kg si më poshtë vijon. Dogana hyrëse: Qafë-Thanë. Dogana Tirana, vend eksportues Irani. Numri i deklaratës 11721, kodi 42710, data 3.4.2013. pesha neto 21470 kg… kaq për sot. Fillo hetimin se do të dëgjosh të tjera”, – deklaroi Kryeministri. Sipas Ramës, rezulton se gjatë periudhës shtator 2013 dhe në vazhdim nuk ka asnjë deklaratë dhe asnjë fakt që të lidhë Shqipërisë me eksportin e vajit bazë nga Irani, i cili është zhvilluar në kornizën e pesë hyrjeve të lart-shënuara. Përpos këtyre qëndrimeve mjaftoi një kërkim i thjeshtë në faqen zyrtare të agjencisë ndërkombëtare të energjisë, për të saktësuar se vendi ynë e ka thyer embargon duke importuar nafte nga Irani ne mars 2014.

 

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë: Shqipëria e ka thyer embargon në 2014-ën

Në faqen zyrtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë konstatohet se vendi ynë ka thyer embargon e naftës me Iranin në mars të vitit 2014, ndërkohë që ndryshe u pretendua nga përfaqësuesit e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë. Një kërkim i thjeshtë në faqen zyrtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, zbulon se raporte të tilla mbi tregun e naftës janë puna e saj e përmuajshme. Çdo raport analizon të dhënat e muajit të mëparshëm e jo të vitit të mëparshëm siç pretendoi Kryeministri me shifrat e tij në parlament. Raporti i fundit që daton më 11 prill, ka parë tendencën e kërkesë-ofertës së naftës në botë, sasisë dhe çmimeve, me fokus 4 mujorin e fundit të 2013, e specifikisht analizon muajin mars të 2014, duke bërë parashikime edhe për të ardhmen. Importet nga Irani zënë një vend të posaçëm. Sipas raportit, në muajin mars, në listën e importuesve të naftës së Iranit gjenden edhe Shqipëria e Siria që u janë shtuar blerësve të rregullt, Kina, India, Koreja e Jugut, Japonia e Turqia. Për më tepër raporti vëren se Shqipëria mund të jetë vetëm blerësja, e se kjo porosi ka destinacion tregje të tjera botërore.

 

Debati Berisha – Rama për embargon e naftës nga Irani

 Berisha: Unë jam këtu për të denoncuar në emër të grupit një problem tmerrësisht shqetësues. Agjencitë e lajmeve, shtypi më prestigjioz evropian dhe amerikan kane shkruar se Shqipëria ka thyer embargo e naftës me Iranin. Agjencia Ndërkombëtare Atomike, watch dog-u i OKB-së për embargo e Iranit, në raportin e saj të fundit informon se embargo e kanë thyer Shqipëria dhe Siria me dt 20 ose 22 mars, pra ka dhe datën e ngarkesës.

Dule: Zoti Berisha ju ka mbaruar koha 10 minuta në emër të grupit parlamentar. Jeni regjistruar edhe herë të tjera. Përse duhet të bëhet në mënyrë konfliktuale, kur ekzistojnë mënyra normale për të zhvilluar seancën.
Rama: Po, ka ndodhur. Fatkeqësisht ka ndodhur. Ka ndodhur dhe ka ndodhur ekzaktësisht kështu siç do t’ju them, bazuar në dokumentacion që disponohet qoftë prej atyre që e kanë publikuar, qoftë prej nesh dhe një gjë më vjen keq për ata që iu besojnë kur ju shfrytëzoni publikimet ndërkombëtare siç fatkeqësisht e filluat me deklaratën e Sekretarit të Shtetit në dhjetor, për të fajësuar qeverinë tonë, ndërkohë që të gjitha publikimet e sotme i përkasin vitit të shkuar. Publikimet që lidhen me këtë çështje…
Braçe: Tregoja, mor tregoja.
Rama: Në pesë raste vendi eksportues është Irani dhe dogana hyrëse është Kapshtica dhe Qafë-Thana. Artikulli i importuar është faji bazë në sasinë 108 110 kg si më poshtë vijon. Dogana hyrëse: Qafë-Thanë. Dogana Tirana, vend eksportues Irani. Numri i deklaratës 11721, kodi 42710, data 3.4.2013. pesha neto 21470 kg… kaq për sot. Fillo hetimin se do të dëgjosh të tjera.
Berisha kërkon fjalën.
Dule:
Ju lutem, çfarë ka ndodhur?! Respektoni ambientin. Çfarë ka ndodhur zonja Topalli, po flas unë?
Topalli kërkon fjalën.
Dule:
Nuk keni gjë tjetër veçse të shpjegoni veten. Ju lutem shumë. Zoti Berisha, gjërat kanë një rregull dhe një rend. Pra, më lejoni. Do të vazhdojmë duke respektuar rregulloren. A ka mundësi të më dëgjoni zoti Berisha. Zonja Topalli, po bëheni kolegia më problematike për zhvillimin e seancave. Parlamenti i sotëm nuk do t’i ngjajë parlamentit tuaj. Fjalën e ka zoti Kokëdhima.
Deputetët e opozitës çohen e zaptojmë podiumin, garda hyn në sallë, Berisha kërkon fjalën në foltoren e Kuvendit.
Dule:
Më vjen keq, opozita preferon debate popullore sesa parlamentare. 5 minuta pushim.
Berisha:
Lidhur me embargon e Iranit, nuk ekziston asnjë dokument ndërkombëtar përveç se këtij që Shqipëria para kësaj qeverie të ketë cenuar rregullin ndërkombëtar. Nëse e gjeni unë jam përgjegjës. Unë kërkova komision hetimor parlamentar për këtë, por konferenca e Gjenevës, e këtyre sanksioneve është e muajit nëntor që kaloi. Sidoqoftë në periudhën e mëparshme unë mund të isha i vetmi Kryeministër që denoncova Ahmedinexhadin si një nazist për deklaratat e tij kundër Izraelit.
Rama:
Nga sa më sipër, rezulton se gjatë periudhës shtator 2013 dhe në vazhdim nuk ka asnjë deklaratë dhe asnjë fakt që të lidhë Shqipërisë me eksportin e vajit bazë nga Irani, i cili është zhvilluar në kornizën e pesë hyrjeve të lart-shënuara.
Berisha kërkon fjalën.
Meta: Ai u tregua i sjellshëm dhe nuk ju përmendi juve.
Berisha: Raporti i OKB-së, përkatësisht Agjencisë Ndërkombëtare në Vjenë, i fundit, thekson se në mars importues të naftës së Iranit përfshihet Shqipëria dhe Siria. Është raport ndërkombëtar dhe duhet të kesh papërgjegjshmëri absolute t’u thuash shqiptarëve që nuk ekziston asnjë dokument. Ja ku është dokument (tregon IPAD-in), të gjejmë muajin dhe vitin: 11 prill 2014.
Rama:
Kur del me këtë IPA-in si argument, më kujton gjithnjë avokat Ngjelën që thoshte se Saliu ka problem të madh me tastierën e telefonit dhe adresat ia mban Fahriu në një bllok se Saliu di vetëm Tap, Send dhe Delete.
Meta:
Ishte shumë e shkurtër për një… (replikë). Për Fahriun më takon mua të bëj replikë, por po ia lë doktorit.
Berisha:
Je i vetmi (Ramës) në politikën shqiptare që ka pasion të çmendur për të gënjyer veten.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency